Sonte në natën e t’shumve, natën e përshpirtjes

Nga Albert Vataj

Sonte, në këtë cak të përbashkimit të botëve, në ne, mungesa thërret me zë përgjërues, flet më fjalë t’përmallshme, dëgjon më kujdesin e përshpëritjes. Hapat e tyre janë të lehtë, prekja që ata rrëzojnë mbi pikëllimin tonë është paqtuese. Ata vijnë për të zgjuar brenda nesh mallin, për të mëkuar prehjen e shëlbyer që shpirti i tyre e mori si shpërblesë në botën e pasosun, në përjetësi.
Kujtesa na thërret sonte në një përshpirtje, e cila kërkon të zgjojë nga honet e trishtimit dhe dhimbjes së ndarjeve, përulësinë dhe dëlirësinë e atij shpirti që i shërben vullnetit tonë, si urëbashkimi ndërmendjeje me më të shtrenjtit, të shenjtit tanë.
Nata e t’shumve është nata e dhimbjes që rivjen si provë e përulësisë dhe shpagës që gërryen në shpirt gjithkënd, për atë çfarë nuk mundi të ishte për ata që nuk janë, kur ishin pjesë e jetës, e përplasjes dhe pendesës.
Sonte, të shtrenjtit e mijë që na mungoni kaq shumë, ju kujtojmë me fjalë malli, e ju ndrisim dritën e parajsës me lot përshpirtjeje, si provë e atij vullneti të epërm që na nënshtron për të na lartësuar në aktin tonë të amanetit, për të qenë pasues të denjë të dëshirimeve tuaja.
Vijmë këtë natë kujtese dhe përshpirtje për të dëshmuar se në ne ju keni mbetur ende ata që ishit, të shtrenjtë dhe të paharruar. Asnjë epitaf varri nuk e nxë atë çfarë shpirti na kushtron në këtë përshpirtje nderimi dhe respekti, mirënjohje dhe përulësie për ju.
Pushofshi në paqe e ndritshi në çdo yll, ju shpirtra që latë diell brenda nesh.