Skandali i radhës nga Edi Rama: Nxjerr gazetarët PERGJITHMONE jashtë Kuvendit!

Kuvendi shqiptar ngre organin e vet mediatik. Kryeministri Edi Rama merr një vendim të paprecedentë për të larguar televizionet nga seanca plenare. Kreu i qeverisë heq kameramanët e mediave dhe urdhëron ngritjen e një ‘ushtrie’ të re për të prodhuar sinjal të gatshëm me regji, dhe për t’ia shpërndarë mediave për transmetimin live të seancave në Kuvendin e Shqipërisë.

Këtë të enjte të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë shpërtheu një debat që preku mediat private, por që u përhap si një shqetësim i madh edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike. Televizioni Publik Shqiptar nuk i shpërndau mediave private sinjalin e transmetimit të drejtpërdrejt të seancës plenare, siç kishte funksionuar prej vitesh. Kështu, mediat private nuk mundën të transmetonin në ekranet e tyre atë se çfarë po ndodhte në Kuvend, pasi TVSH nuk i shpërndau sinjalin. LSi dhe PD e quajtën këtë një atentat të rëndë që i bëhet fjalës së lirë.

Por në përfundim rezultoi se nuk kishim të bënim me një defekt teknik, por me një veprim të qëllimshëm pas të cilit fshihet kryeministri Edi Rama. Pas situatës së krijuar dhe revoltës së mediave, kreu i qeverisë Edi Rama mori fjalën në Kuvend për të dhënë sqarimin e tij. Ai tha se nuk do të ketë më një politikë të tillë për transmetimin LIVE të seancës, duke i hequr TVSH-së  ekskluzivitetin e transmetimit. Por nëse logjikja do të ishte që të gjitha mediat të siguronin vetë sinjalin për ta përcjellë LIVE seancën, Rama deklaroi përjashtimin nga kuvendi të të gjithë gazetarëve dhe kameramanëve.

Sipas tij nuk është më e nevojshme që mediat të bëjnë kaq shumë shpenzime me kameramanët dhe mjetet teknike, pasi sinjalin ekskluziv do ta shpërndajë një strukturë e ngritur nga vetë Kuvendi. Seanca do të jepet e gatshme me regjinë e stafit që do të ngrihet. Kështu, televizionet në Shqipëri do të transmetojnë vetëm atë se çfarë sheh syri i kameramanëve të punësuar nga Kuvendi.

Kështu, edhe prania e gazetarëve që lejohen deri më sot ta ndjekin seancën nga ambjentet e brendshme të saj, nuk do të lejohen më. Mesa duket kryeministrin Edi Rama, e kanë ‘bezdisur’ momentet pikante që syri i gazetarëve, kameramanëve dhe fotografëve kapte në sjellët e tij. Tashmë gjithçka do të jetë brenda kornizave, me regji!

“Sapo kemi asistuar në një tjetër mbytje të opozitës me një lugë uji dhe duke pritur që opozita të rinxjerrë kokën në sipërfaqen e ujit të lugës, do bëj një shpjegim lidhur me këtë situatë absurde. Është kjo që, mënyra si funksionon shërbimi i parlamentit për dhënien e hapësirës televizive në raport me punimet e tij të ndryshojë. Deri më sot jemi në kushtet e një shërbimi komunist në kushtet e demokracisë. TVSH nuk mund të ketë asnjë ekskuzivitetet mbi hapësirën e jetës parlamentare. Si në çdo shtet demokrat kuvendi duhet të ketë televizionin e vet. Shërbimin e vet për të gjithë të interesuarit që ta marrin këtë shërbim. Si në çdo vend tjetër nuk mund të ketë 25 kamera në sallën e Kuvendit, nuk është nevoja për gjithë këto shpenzime dhe burime të të gjithë aktorëve. Mjafton një regji televizive e kuvendit që i jep aksesin të gjithë atyre që kanë dëshirë ta transmetojnë të plotë, të pjesshëm, gjithë ditën, 3 minuta, çdo veprimtari të kuvendit. Ligji që i imponon TVSH-së dhënien falas të veprimtarisë së Kuvendit është thjesht një adoptim në kushtet e demokracisë në një situatë komuniste. Kërkesa e TVSH për t’ua shitur apo për t’iu imponuar televizioneve private një faturë për sinjalin me logon e TVSH-së i takon së shkuarës. Të gjithë aktorët mediatikë mund të bëjnë diçka tjetër dhe jo të rrijnë këtu””, – shpreh Rama.