Në një kohë kur Angela Merkel dhe Emmanuel Macron kremtuan në takimin e nivelit të lartë të BE përbashkësinë gjermano-franceze, përçarja me evropianolindorët po shtohet. Nga Brukseli informon Christoph Hasselbach.
Presidenca estoneze e radhës e BE nuk dëshiron të mjaftohet me këtë. Estonia konsiderohet si vendi model i digjitalizuar i Evropës. Kryeministri estonez, Jüri Ratas paralajmëroi në Bruksel: “Të dhënat (digjitale) janë industria e qymyrit dhe e çelikut e së ardhmes. Prandaj ne duhet të jemi të parët në tregun botëror të ekonomisë digjitale.”
Shpërndarja e refugjatëve? Për momentin pa shanse
Një pozicion drejtues kërkon BE edhe në ruajtjen e tregtisë së lirë. Atë BE e sheh të rrezikuar nga tendencat proteksioniste të Presidentit të SHBA, Donald Trump. Nga ana tjetër, BE nuk është “naiv”, siç tha Macron. Të qenurit të hapur kërkon edhe sjellje korrekte. Në qendër të kritikave është para së gjithash Kina.

Për t’i qetësuar valët, Macroni u takua në kuadër të takimit me anëtarët e Grupit të Vishegradit. Por nga takimi nuk rezultoi gjë. Merkeli tha pas takimit se në çështjen e sigurimit të kufijve të jashtëm “ne jemi shumë, shumë dakord”. Por për fat të keq nuk u shënuan “përparime në çështjen e shpërndarjes.”
Frika nga konkurrenca evropianolindore
Macroni druhet se i gjithë projekti evropian është në pikëpyetje, sepse punëmarrësit në vendet e pasura kanë frikë nga konkurrenca evropianolindore. Macroni para pak kohësh shpjegoi me këtë edhe Brexitin, kur tha: “Si erdhi puna deri te Brexit-i? Sepse punëmarrës nga Evropa Lindore zunë vende pune britanike”. Prandaj Macroni kërkon që të ndryshohet direktiva e BE dhe që punonjësit e dërguar evropianolindorë të paguhen njësoj si ata vendas, p.sh. si francezët. Mbështetje për këtë ai ka nga Gjermania dhe Austria. Por evropianolindorët e kundërshtojnë rreptësisht marrjen e përparësisë në konkurrencë.
Ky takim i nivelit të lartë tregoi se dyshja gjermano-franceze fitoi me Macronin vrull të ri dhe me të mund të nxiten edhe projekte të reja evropiane. Por njëkohësisht, hendeku midis Perëndimit dhe Lindjes, shteteve të vjetra dhe anëtarëve të rinj të BE kërcënon të thellohet edhe më tej. DW