Situatë alarmante në kryeqytetin helen. Rreth 80 të vdekur, 1000 persona rezultojnë të zhdukur  dhe mbi 1000 banesa të djegura

Tragjedi nga zjarret në Greqi

Kryeqyteti grek, Athina ka përjetuar dy ditët e fundit një situatë dramatike. Si pasojë e zjarreve dhjetëra qytetarë kanë humbur jetën, ndërsa raportohet për qindra të plagosur. Zyrtarët grekë thanë pasditen e djeshme se ka arritur në të paktën 74 numri i të vdekurve nga zjarret që kanë përfshirë zonat turistike afër Athinës. Autoritetet rajonale shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në zonat në lindje dhe perëndim të Athinës dhe dërguan trupa ushtarake për të ndihmuar në fikjen e zjarreve.

Tre komunitete u evakuuan, ndërsa flaka mbylli një pjesë prej rreth 20 kilometrash të një autostrade të madhe. Temperaturat e larta dhe erërat me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë po pengojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve. Një zjarr tjetër goditi në verilindje të Athinës, në zonën Penteli, duke përparuar drejt qytetit të Rafinës. Kryebashkiaku i Rafinës tha se të paktën 100 shtëpi janë shkatërruar. Roja bregdetare greke dërgoi anije në zonë për të evakuuar banorët e bllokuar në plazhe. Ajo është vënë në kërkim të një anijeje që u raportua e zhdukur dhe për të cilën u tha se po bartte turistë danezë që po iknin nga zjarret. Shefi i zjarrfikësve lokal bëri thirrje përmes televizionit që njerëzit të ikin nga zona, meqë disa kanë bërë përpjekje që të qëndrojë në pronat e tyre. “Njerëzit duhet të ikin, të mbyllin shtëpitë dhe thjeshtë të ikin. Njerëzit nuk mund të durojnë kaq shumë tym për disa orë”, tha Achilleas Tzouvaras. “kjo është një situatë e jashtëzakonshme”. Por si nisi zjarri në Athinë? Zjarret janë një problem i përsëritur në kryeqytetin grek dhe këtë herë flakët janë ndihmuar edhe nga erërat e forta. Por zyrtarët vendas janë shprehur për AFP se mund të kenë qenë zjarrvënësit që kërkojnë të plaçkitin shtëpitë e braktisura ata që kanë nisur tragjedinë.

BE dërgon avionë në Athinë për shuarjen e zjarrit

Athina është pushtuar nga flakët me një bilanc tragjik viktimash, ku deri tani janë konfirmuar të paktën 74 të vdekur, por autoritetet greke shprehen se numri mund të jetë shumë herë më i lartë. Në një situatë të tillë, vendet europiane janë mobilizuar për të ndihmuar shtetin grek. Qeveria e tij i ka kërkuar vendeve të tjera evropiane për helikopterë dhe zjarrfikës shtesë për të ndihmuar në përballimin e zjarreve. Italia, Gjermania, Polonia dhe Franca kanë dërguar avionëve për vënien nën kontroll të flakëve. Zjarrët e fundit në Athinën janë më vdekjeprurësit të paktën që prej vitit 2007, kur dhjetëra njerëz vdiqën në gadishullin jugor të Peloponezit. Por si nisi zjarri në Athinë? Zjarret janë një problem i përsëritur në kryeqytetin grek dhe këtë herë flakët janë ndihmuar edhe nga erërat e forta. Por zyrtarët vendas janë shprehur për AFP se mund të kenë qenë zjarrvënësit që kërkojnë të plaçkitin shtëpitë e braktisura ata që kanë nisur tragjedinë.

Kryeministri: Jemi në orët e betejës me flaktët

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ndërpreu një vizitë në Bosnje të hënën dhe u kthye ne Athinë për shkak të situatës. “Ne po bëjmë gjithçka që është në dorën e njeriut për të fikur zjarret, tha kryeministri Tsipras. “Ajo që na shqetëson është se ata po shpërthejnë në të njëjtën kohë”. Zjarri i parë shpërtheu në një pyll pishash afër qytetit të vogël të Kinetës, 50 kilometra në perëndim të Athinës. Në mesazhin e tij drejtuar kombit grek, Tsipras shpalli tre ditë zie për ndër të viktimave dhe premtoi se situata do të përballohet. “Nuk ka fjalë për të përshkruar ndjenjat e të gjithëve ne, gjatë këtyre orëve që vendi po përjeton një tragjedi të paparë. Janë me dhjetëra persona që kanë humbur jetën. Prandaj dhe është e papërballueshme dhimbja për çdo qytetare dhe çdo qytetar. Më shumë për ato familje që humbën njerëzit e tyre të dashur. Por edhe për çdonjërin prej nesh që mban një post me përgjegjësi. Sot Greqia është në zi. Në kujtim të atyre që humbën jetën, shpallim tre ditë zie Kombëtare. Por nuk duhet të lejojmë që zia të na mposhtë, këto orë janë orë beteje, uniteti, guximi dhe mbi të gjitha, jane orë solidariteti”, deklaroi kryeministri grek.