Simbolet Kombtare e Shtetnore Shqiptare, cila âsht gjendja e tyne aktuale?

Flamuri Kombtar, Hymni Kombtar e stema e Republikës së Shqipnisë simbas ligjit te miratuem ne Kuvendin Popullor me date 22 korrik 2002.

Cilat janë simbolet kombtare e shtetnore të Shqipnisë? Ose,mâ mirë me thânë: cila âsht gjendja e tyne aktuale?
Historia e jonë e trazueme ka shkaktue që edhe simbolet tona t’i nenshtrohen rrjedhave të ngjarjeve, të vleresohen e neperkamen nganjiherë e mbi to të vehet dorë herë mbas heret tue ia pershtatë herë pushtuesve e herë ideologjinave. I kena të freskta kujtimet e periudhës komuniste e mes tjerash edhe yllin e kuq me konture të verdhe mbi kryet e shqipojës, apo ajo stema e shtetit (e quejtun e republikës) e ndertueme kryekëput me simbole të nji ideologjie që sot na njall vetem kujtime të këqija. Qysh prej 30 prillit 1991 simbolet tona çlirohen prej njollosjeve me yje të kuq.
Flamuri tashmâ ka vetem elementin e shqipojës dykrenore të zezë në fushen e kuqe. Stema e shtetit ka pamjen e nji shqytit të kuq me shqipojen dykrenore të zezë. Me 21 tetor 1998 stemës i shtohet perkrenorja e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut tue e kthye aty ku ishte ne periudhen e mretit Zog, vetem se në rastin e fundit perkrenorja difton profilin tjeter.
Pamjen definitive (së paku tash per tash, se qendrueshmenia âsht “e huej” per ne) simboleve tona kombtare (Flamuri Kombtar e Hymni Kombtar) e simbolit shtetnor (Stema e Republikës së Shqipnisë) ia jep ligji i miratuem ne Kuvendin Popullor me date 22 korrik 2002.

Per Flamurin percaktohet që perbâhet prej ketyne elementave: nji fushë e kuqe gjaku me nji shqipojë të zezë dykrenore ne mes, me krahë të hapun anash. Sejcili krah i shqipojës ka 9 pendë e bishti ka gjithsej shtatë. Raporti i dimensioneve të flamurit asht 1 x 1,4.
Simbas ligjit, çdo shtetas shqiptar ka të drejten e mbajtjes e perdorimit të flamurit kombtar, ndersa per istitucionet publike âsht i detyrueshëm në mjediset e jashtme e të mbrendshme.
Hymni Kombtar âsht “Rreth Flamurit të Perbashkuar” e në bazë të tekstit origjinal të Asdrenit.
Mbas peripecinave gjatë kohnave, hjekjesh e vuemjesh të strofave e fjalëve të veçanta, me ligj aprovohet teksti (por percaktohet edhe muzika) si vijon:

RRETH FLAMURIT TE PERBASHKUAR

Rreth flamurit te përbashkuar
Me një dëshir’ e një qëllim,
Të gjith’ atij duk’ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes,po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t’i mbajmë
Të mprojmë atdhenë me çdo kent,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vent.

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të,për të luftojmë ne!

O flamur,flamur,shenj’ e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin’ atdhen’ e shtrenjtë,
Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.

Trim,burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush ju bë theror;
Për jet’ ay do të kujtohet
Mi dhet,mi dhe si një shënjtor!

Stema e Shtetit (Stema e Republikës së Shqipnisë) perbâhet prej këtyne elementave: nji shqyt me ngjyrë të kuqe gjaku me nji shqipojë dykrenore të zezë në qender, e njâjtë me shqipojen e flamurit. Siper saj, me ngjyrë të artë âsht vendosë perkrenorja e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, ne profil djathtas. Raporti i dimensioneve të stemës percaktohet 1 x 1,5.

Ky ligj i shpallun me dekretin nr.3417,datë 31.07.2002 të Presidentit te Republikës së Shqipnisë, Alfred Moisiu, aktualisht âsht në fuqi.

Jozef Martini