Si u ndërtua porti i Durrësit me materialet e Shëngjinit! Projekti 6.5 mln fr. e një “problem” me punëtorët shqiptarë

Ndërtimi i portit të ri në Durrës ka nisur në qershor të vitit 1928. Punimet ishin parashikuar të zgjasin 4 vite e gjysëm. Në atë periudhë, Shqipëria dhe Italia kishin nënshkruar marrëveshjen e financimit dhe kishin krijuar Shoqërinë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA).  Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve për veprat infrastrukturore që po realizoheshin në Shqipëri, Italia do të hartonte një raport të posaçëm në vitin 1929.

Referuar këtij raporti, projekti i portit të ri të Durrësit parashikonte një digë 1100 metra, një digë tjetër 1300 metra, kalata të brendshme, bonifikim të moçalishtes, një ujësjellës që furnizon qytetin dhe thellimin e zonës së portit.

Digat parashikohej të përbëheshin nga një bërthamë të gurtë dhe nga inerte. Guri dhe inertet merreshin nga Shëngjini. Për një punë të tillë nevojiteshin 200 mijë tonelata gur dhe 12 mijë metër kub inerte e beton. Kalatat ishin projektuar me beton e hekur, në një sasi prej 20 mijë metër kub.

Projekti i bonifikimit parashikonte ndërtimin e një kanali të madh mbledhës dhe të disa kanaleve dytësore shkarkuese.

Me materialin që dilte nga hapja e kanaleve parashikohej të ngrihej lartësia e moçalishtes. Sasia e dheut të përfituar nga hapja e kanaleve dhe që më pas u përdor për ngritjen e nivelit të zonës, ishte 600 mijë metra kub.

Ndërkohë, me ujësjellësin e ri, qyteti i Durrësit përfitonte 2 mijë metër kub ujë në ditë.

Nga ana tjetër, thellimi i zonës portuale parashikonte nxjerrjen e një sasie materiali prej 650 mijë metër kub. Thellësia minimale ishte parashikuar 4 metra ndërsa ajo maksimale 9 metra.

Kostoja e ndërtimit të portit të Durrësit ishte 6 milion e 500 mijë franga ari.

Sipërmarrja që realizoi punimet

Punimet e portit i janë besuar sipërmarrjes së inxh. Mazorana e C.të Triestes që hapi kantierin në mars të vitit 1928. Ndërsa punimet në terren nisën në qershor 1928.

Në atë periudhë, në port ishin angazhuar 250 punëtorë, shumica e të cilëve shqiptarë. Ndërkohë personeli teknik drejtues dhe specialistët ishin të gjithë italianë.

Drejtimi i përgjithshëm i punimeve iu besua inxhinier Piero Zampierit, që ishte njëkohësisht edhe ortak në kompaninë që realizoi punimet. Ai do të ndihmohej nga Edoardo Mazorana, inxhinieri Antonio Pelessoni, asistenti Marcello Ceresa dhe nga disa shefa kantieresh.

Stacioni i prokurimit drejtohej nga inxhinier Tito Consigli, që asistohej nga inxhinierët Bruno Folgheraiter dhe Antonio Canzini.

Në raport evidentohet problematika e “përtacisë” së punëtorëve shqiptarë si në portin e Durrësit, ashtu edhe në portin e Shëngjinit ku kryheshin gërmimet për nxjerrjen e gurëve e të dherave që u përdoren në projektin e portit të Durrësit.

“Konstatohet problematika me punonjësit shqiptarë të cilët pasi marrin pagën e një jave, nuk paraqiten në punë për dy javë për faktin se kanë të ardhura për të siguruar jetësen. Po ashtu, në portin e Shëngjinin konstatohet problematika e lundrimeve të pakta me gurë dhe inerte. Punëtorët shqiptarë realizojnë dy lundrime në ditë drejt Durrësit në një kohë kur mundësitë janë për të bërë 8 të tilla” shkruhet në raportin Italian të vitit 1929.

Kreshnik KUÇAJ/SCAN