Si u mashtrua ish-Sigurimi për “blerjen e sekretit të bombës atomike”

Në dosjen e gjyqit ndaj ish-ministrit të brendshëm Kadri Hazbiu, gjendet edhe një fakt interesant.

Regjimi komunist i Tiranës ka tentuar të blejë sekrete të prodhimit të bombës atomike dhe antitankeve të telekomanduara në fillim të viteve 60. Por ka hasur në një bllof.

Konkretisht në deponimet e seancës së 8-të të procesit, të akuzuarit deponojnë një fakt të pa njohur, përkatësisht, investimin e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar për blerjen e mësipërme ilegale nga shkencëtarë të supozuar francezë.

Pohimin e bën i akuzuari Llambi Peçini.

Ja pjesë nga dëshmia e tij në gjyq, botuar nga Dita që posedon dosjen e klasifikuar të një prej gjyqeve më të famshme të periudhës së komunizmit:

“Përgjegjësi i zbulimit tonë në Itali ishte Dhimitër Gjoni. Ai na informoi se kishte mundësi të merrte nëpërmjet agjentit ‘Rampa’, një predhë antitank të quajtur ‘Kobra’, të telekomanduar. Po donte 2000 dollarë për këtë punë, pra, që ta blinte atë. Gjithashtu, pak kohë më vonë, përsëri Gjoni na informon se agjenti ‘Rampa’ ka mundësi të marrë sekretin e  bombës atomike. Por ai, për këtë, kërkon 6000 dollarë për një mik në qendrën atomike të Francës. 6000 dollarë, pra, dhe 2000 për ‘Kobrën’, bënin 8000 dollarë. 

Pasi e studioj dosjen e agjentit ‘Rampa’, kërkoj të dhëna nga përgjegjësi i zbulimit në Romë. Gjej tre momente që ishin të dyshimta, krijova bindjen që ky na gënjente. Bëra shënim në dosje se ky agjent është provokator, prandaj nuk jam dakord që ti jepen 8000 dollarë. I raportoj Zoi Themelit, atëherë, ishte Drejtor i Zbulimit. Hajde shkojmë tek ministri për tek Kadriu, na tha.  Vajtëm tek Kadri Hazbiu dhe i raportoi Zoi tani Kadriut për atë që na kishte raportuar ne rezidentura e Italisë që përpara. Kadriu merr Mehmet Shehun në telefon.

Unë i thashë Kadri Hazbiut: Ka disa momente shumë të dyshimta këtu…. Jam i mendimit të mos jepen këto para.  Më vonë më vjen në zyrë Dhimitër Gjoni dhe më thotë se ato u aprovuan, pra 8000 dollarët. Mua më vinte inat dhe për 8000 dollarët, se ishte një shumë e madhe, po më vinte më shumë inat që po na e hidhte një maskara, po tallej me autoritetin e zbulimit tonë. Në fakt, kështu doli.  Ja dha paratë Dhimitër Gjoni. Ai dërgoi ne filma, të filmuar, sekretin e  bombës atomike, në thonjëza. Ne këto filma, nuk kishim mundësi t’i lanim e ti zhvillonim. Iu dërguan Kinës. Pas nja 3-4 muaj, kinezët u përgjigjën që ky është një bllof. Një bllof, që i kushtoi shtetit tonë 8000 dollarë…..”

b.m. / dita