Si u dergj burgjeve komuniste djali i kryeministrit shqiptar

Në bashkinë e Barit kryhej ceremonia e martesës së një çifti të ri. Dhëndëri ishte 27 vjeçar e quhej Petrit Merlika, inxhinier elektrik, i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë.

Nusja quhej Elena Gjika, 22 vjeçare, që prej një viti profesoreshë e letërsisë, gjuhëve klasike e filozofisë në liceun klasik të Barit. Dhëndri ishte djali i parë i Kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa nusja ishte bija jetime e gazetarit atdhetar Sotir Gjika.

Dëshmitarët, nga ana e dhëndrit, ishin ministrat Mark Gjomarkaj e Shuk Gurakuqi, ndërsa nga ana e nuses ish konsulli shqiptar në Bari e mik i vjetër i dy familjeve, Gjovalin Kamsi dhe ministri i ekonomisë i Qeverisë Kruja, Kostandin Kote.

Historia e lindjes së këtij çifti kishte të pazakontën e saj, për kohën dhe Vendin në të cilin jetonin dy përbërësit e tij.

Nuk ishte një lidhje dashurie spontane, e lindur në sallat e studimit të universiteteve, apo në sheshet e qyteteve italiane, por një njohje e drejtuar nga prindërit e dy të rinjve, si pasojë e një përsiatje të gjatë të tyre në rrjedhë të viteve.

Mustafa Kruja e Sotir Gjika ishin miq e bashkëpuntorë.

Qe ndërhyrja e Sotir Gjikës, atëherë gazetar i së përditëshmes “Corriere delle Puglie”, në mjediset e Konsultës të vitit 1917, që bëri të mundur lirimin nga burgu e internimi që vuante Mustafa Kruja, si pasojë e një dënimi të dhënë nga Esat Pashë Toptani e, i kaluar për zbatim, autoriteteve italiane.

Më pas Mustafai u bë kryeredaktori i gazetës “Kuvendi”, të cilën Sotir Gjika e drejtonte në Romë. Ky bashkëpunim vazhdoi deri në dhjetor 1918, kohë kur Mustafai u kthye në Shqipëri, për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit.

Atëherë u ndërpre dhe bashkëpunimi veprues mes atyre dy personazheve të jetës kulturore e politike të Shqipërisë së fillimit të shekullit të 20. Sotir Gjika vazhdoi veprimtarinë e tij publicistike, ndërsa Mustafai atë politike.

Me mbylljen e gazetës “Kuvendi”, Sotiri u shpërngul përfundimisht në Bari, aty ku ishte qëndra e së përditëshmes ”Lajmëtari i Puljes”, në krahinën jugore përballë Shqipërisë, e cila ishte dhe ajo e origjinës së bashkëshortes së tij, Angela Lilly Quarta.

Ndërsa Mustafai pati peripecitë e tij në vorbullën e politikës shqiptare, në parlamentin e parë e, më pas, në mërgim në Shumadinë jugosllave, mbas dështimit të kryengritjes së Elez Isufit e Zija Dibrës.

U takuan përsëri, tashmë së bashku me familjet, në Krishtlindjet 1924, kur Zogu u kthye në Shqipëri dhe politika kundër zogiste mori rrugën e mërgimit të gjatë, duke filluar me zbarkimin në Bari e Brindisi të Italisë.

Aty në Bari lindi djali i katërt i Mustafait, Besimi, ndërsa Sotiri kishte një djalë e një vajzë, Aleksandrin dhe Elenën. Mustafai me familje nuk qëndroi gjatë në Pulje, u shpërngulën në Zara të Dalmacisë, atëherë territor italian.

Gjatë një udhëtimi në Shqipëri, më 1923, i dërguar nga gazeta për të hetuar mbi vrasjen mizore të Gjeneral Telinit, Sotiri pësoi një ftohje të rëndë, e cila brenda katër vitesh i mori jetën, në moshën 38 vjeçare.

Vitet kalonin, por kontaktet mes dy familjeve ruheshin dhe sa herë që Mustafait i binte rruga të vinte në gadishull, ai nuk linte rast pa parë familjen e mikut të ndjerë. Gjatë këtyre vizitave ai vinte re dhe rritjen e fëmijëve, sidomos të vajzës së Sotirit, Elenës.

Instikti prindëror për të pasur një nuse të shkolluar e të fisme për djalin e tij, merrte konture gjithnjë e më të përcaktuara në mendjen e tij. Erdhi 1939, pushtimi i Shqipërisë, ikja e zogut, dhe Mustafai u kthye me gjithë familjen në Shqipëri, duke lënë jashtë djemtë që vazhdonin studimet.

I madhi, Petriti, ishte student i Universitetit të Grenoblit, në fakultetin e inxhinierisë elektrike.

Tani vizitat në shtëpinë e së vesë së Sotirit u bënë më të shpeshta, e Mustafai vuri re me kënaqësi se vajza e mikut të tij ishte bërë një zonjushe e bukur që vazhdonte Universitetin e Napolit.

Atëherë shpresa e vakët që kishte përcjellë vitet e tij të mërgimit, ajo e një martese të djalit të tij me vajzën e Sotirit, mori shembëlltyrën e një projekti, të cilin ai u zotua plotësisht në vetvete t’a sendërtonte.

Bisedoi me të venë e mikut në lidhje me të e gjeti mirëkuptimin e duhur. Atëherë projekti hyri në rrjedhën e tij të zakonëshme, me njohjen e pëlqimin e ndërsjelltë të të rinjve. Nga kjo njohje e deri në martesën e 12 korrikut 1942, koha kaloi shpejt.

Martesa qe kurorëzimi i një ëndrre të re, të lindur në hapësirën e një ëndrre të vjetër. Sigurisht nga qielli pati bekimin e babait të larguar përgjithmonë, por që gëzohej sepse bija e tij po kthehej të ndërtonte çerdhen e saj në atdheun e tij, për të cilin ai punoi deri në çastet e fundit të jetës.

Po të gjitha këto dëshira të lindjes së jetës së re do të përballeshin me një realitet të vrazhdë, deri në mizori, që ishte lufta e dytë botërore dhe fundi i saj me ardhjen e komunistëve në pushtetin e Shqipërisë. Gjatë luftës çifti i ri jetoi larg politikës aktive.

Mustafai ishte aq shumë i zhgënjyer nga politika saqë i kishte ndaluar familjarëve të tij pjesëmarrjen në të, e ishte munduar të adresonte fatet e tyre në drejtimin e profesioneve.

Kështu edhe Petriti, së bashku me dy shokë të tij të shkollës, Petrit Daklin dhe Ismail Topçiun, themeloi një ndërmarrje elektrike e, deri në fundin e luftës, pati veprimtarinë e tij private.

Elena qëndronte në shtëpi, ku ndihmonte babain e saj të dytë të vazhdonte punën e tij të vyer me Fjalorin, e ku kujdesej edhe për djalin, Eugjenin, që lindi mbas më pak se dy vjet martese.

Me krijimin e Qeverisë komuniste ndërmarrja u mbyll dhe Petriti mbeti pa punë. Qenë pak muaj papunësie, gjatë të cilëve ai ndonjëherë vente e bisedonte me shokët e tij mbi gjendjen e Vendit.

Ishte koha e përgatitjes së zgjedhjeve të reja ku, zyrtarisht, “mund” të paraqiteshin edhe parti të tjera veç Frontit Nacional Ҫlirimtar.

Në një nga ato biseda u trajtua ky vështrim i gjendjes politike dhe u fol mbi mundësinë e krijimit të një partie të ligjshme të opozitës.

Pak kohë mbas kësaj bisede, Petriti u thirr në Ministrinë e Punëve Botore, ku Ministri Spiro Koleka i njoftoi emërimin në një Degë të posaçme të saj, e cila merrej me llogaritë e ndërmarrjeve italiane që kishin investuar në Shqipëri para dhe gjatë luftës.

Detyra ishte mjaft delikate, por Petriti e përballoi me mjaft sukses, duke u munduar t’i linte sa më pak detyrime Shtetit shqiptar kundrejt ndërmarrjeve italiane.

Por ndërsa ai vazhdonte punën e tij intensive në ministri, një ditë të marsit 1946 u arrestua nga Skënder Kosova, njëri prej kuadrove më mizorë të hetuesisë në kohën e tij. Arrestimi befasoi edhe vetë Ministrin Koleka, i cili ndërhyri personalisht tre herë për lirimin e tij, por pa dobi.

Në akuzën me të cilën u përball, veç emrit të Mustafa Krujës, ishte biseda e zhvilluar muaj më parë me shokët e tij.

Ajo i kushtoi gjyqin e dënimin me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Ajo kartolinë e vogël që nga një anë ka të pikturuar një peisazh dimri e nga tjetra një frazë drejtuar gruas së tij, është një relike e asaj periudhe të jetës së asaj familje.

Ajo kartolinë ka në vetvete dashuri, dhimbje, mall, por edhe shpresë, kjo e fundit mjeti më i mirë për të përballuar fatkeqësitë e për të mbijetuar edhe atëherë kur jeta normale përbën një mirazh të paarritshëm, edhe atëherë kur vdekja quhet si shpëtim nga e keqja.

Ajo mbetet dëshmi e njërit prej miljona çasteve në të cilët kaluan mijëra vetë në Shqipërinë e regjimit komunist, dëshmi e një drame të fuqishme që luhej në shpirtin e njërit prej tyre, të ndarë përdhunshëm nga dashuritë njerëzore pa i bërë askujt as të keqen më të vogël.

Ajo shpreh edhe diçka tjetër veç dashurisë, vlerësimin e besimin tek gruaja shqiptare që, n’ata vite të tmerrshme, dha provën më madhore të gjithë historisë shqiptare, atë të qëndresës familjare e të virtutit vetiak që triumfoi edhe mbi fuqinë e verbër të diktaturës, duke ruajtur vlerat më të mira morale.

Edhe Elena, marrësja e asaj kartoline, e flijoi jetën e saj në odisenë e gjatë të kampeve të përqendrimit, pa çuar kurrë nëpër mend as vetëtimthi, se me një firmë mbi një dokument shkurorëzimi, mund të shpëtonte njëherë e përgjithmonë nga “skëterra shqiptare” e mund të kthehej në vendin e saj të lindjes, ku kishte familjen e saj e perspektivën e një jete krejtësisht të ndryshme.

Nuk e dij se si ajo minikartolinë ka dalë nga burgu në dhjetorin e vitit 1946 e se si është ruajtur për më shumë se gjysëm shekulli, në peripecitë e pafund të shpërnguljeve nga një kamp përqëndrimi në tjetrin. Mbas asaj kartoline, n’ato pak fjalë të ngrohta e të sinqerta, qëndron jeta e tre njerëzve.

Prandaj ajo kthehet në një relike e mund të shërbejë si e tillë në një muzeum, duke i u folur, me heshtjen e saj, vizitorëve për një kohë plot tragjedi e drama të njohura e të panjohura, që u përplasën mbi kryet e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm, duke shkatërruar të gjithë jetën e tyre.

Ajo kartolinë evokon një ndjenjë të madhe, dashurinë, që mbetet ndoshta arma më e fuqishme në përballimin e së keqes, të mizorisë së një pushteti e të një sistemi që ishte ngritur mbi bazën e urrejtjes e të largimit nga Perëndia dhe mësimet e saj.

Shqiptarja.com