Si i rezistoi dhunës së UDB mjeshtri kroat i historiografisë shqiptare, Milan Shuflai

Një nga figurat me të shquara të albanologjisë shqiptare, historiani i shquar kroat Milan Shufflay u lind në Lepogllav të Zagrebit me 9 nëntor të vitit 1879. Ai rridhte nga prindër me origjinë gjermane, e cila erdhi në Kroaci rreth vitit 1567. Që në bankat e shkollës së mesme në gjimnazin e Zagrebit shfaqi prirjet dhe talentin e tij për t’u marrë me letërsi e sidomos me histori duke shfaqur zgjuarsi të jashtëzakonshme, kujtesë të fortë dhe zell të madh .Pas përfundimit të shkollës së mesme studioi për histori në universitetin e Zagrebit, ku u njoh dhe lexoi mjaft nga veprat e autorëve më në zë të historisë botërore. Horizont të gjerë hapi para tij edhe zotërimi i shtatë gjuhëve të huaja mes të cilave edhe gjuhën shqipe. Shpejt u bë një studiues i njohur në Ballkan dhe më gjerë. Në saj të punës së palodhur në fushën e studimeve, në vitin 1901 kur ishte vetëm 22 vjeç, mbron gradën shkencore “Doktor i shkencave historike”. Gjatë kësaj periudhe ai zotëron një koncept të përsosur në punën hulumtuese si dhe një metodologji të saktë për punën studimore dhe shkencore.
Në vitin 1908 e shohim profesor  në Universitetin e Zagrebit. Kjo i jep më tepër vullnet dhe dëshirë për të punuar pa u lodhur në fushën e letrave,veçanërisht me studimin. Dëshira për të hulumtuar nëpër arkiva se vjen e shtohet,prandaj gjurmoi materiale me shumë vlera në arkivat e Dalmacisë,Venedikut, Austrisë dhe Raguzës dhe boton studimin “Dokumentet e marrëdhënieve të Raguzës me Venedikun.
Pikërisht këtu bie ne kontakt me shumë dokumente dhe dëshmi historike që kishin të bënin me Shqipërinë dhe historinë e saj. Kjo i shton interesin për tu marrë më tepër me historinë e këtij populli,e cila do t’i tërhiqte vëmendjen gjithnjë e më tepër. U interesua më së shumti për historinë e mesjetës në trojet ilire. Krijimtaria e Shuflait gjatë luftës së parë botërore është shumë e frytshme. Më 1915 boton në Gjermani studimin e gjatë “Rrethanat kishtare të Shqipnisë paraturke dhe fatet politike të temës së Durrësit”, ndërsa në vitin 1917 përfundon studimin voluminoz  “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”.  Edhe historianë të tjerë janë marrë me historinë e vendit tonë, por në mjaft etapa të ndryshme të historisë kanë lënë shumë fakte dhe çështje nën “hije”,ose i kanë errësuar ato pa të drejtë duke shtrembëruar faktet historike. Ndërsa me Shuflayn ndodhi ndryshe. Ai ishte i çliruar krejtësisht nga paragjykimet e ngushta dhe meskine,apo ndikime negative qe influenconin në atë kohë për vendin tonë, prandaj do të shprehej lirshëm, drejt dhe objektivisht pa fshehur asnjë të vërtetë historike. Që të merrej me shkencën albanologjike, kryesisht në rrafshin historik, Shufflayn e shtyu përvoja e hidhur e shqiptarëve, peripecitë dhe dramat e shumta që kishte kaluar ky popull heroik ndër shekuj. Në periudhën midis dy luftërave botërore, kur populli ynë ndodhej mes ekzistencës dhe mosekzistencës,kur ky popull ishte më i përbuzur së kurrë, më i sulmuar se kurrë nga qarqe të caktuara antishqiptare, Milan Shufflay qe gjithnjë në krah të tij dhe me veprën madhore që publikoi u bëri ballë këtyre sulmeve duke demaskuar armiqtë e këtij populli. Pas krijimit te shtetit jugosllav u pushua nga puna dhe u dënua me burg. Pas lirimit fillon punë si profesor në universitetin e Budapestit .Në vitin 1918 bashkë me Jirecekun dhe Thalloczy botuan një përmbledhje historike me titull “Acta et diplomata…” në të cilin do të përfshiheshin disa burime shumë të rëndësishme nga historia e Shqipërisë në mesjetë. Botimin e kësaj vepre madhore e pati njoftuar revista “Hylli i dritës” që në vitin 1920 duke i bërë jehonë botimit të saj nga tre historianë nga më të dëgjuarit në Ballkan si Dr. Ludovik Thallezy, Dr. Costantini Yrecek dhe Dr.Emilian Shufflay .Volumi i parë u botua në vitin 1913 në Vjenë dhe përfshinte akte historike nga viti 344-1343, ndërsa i dyti në vitin 1918 dhe përfshinte vitet 1344-1406. Për Dr.L.Thalloczy ishte një punë tepër e mundimshme sepse pati edhe një aksident, i cili ndikoi shumë në punën e tij, pasi siç njofton shtypi i kohës u aksidentua nga një tren në qytetin Herczeghalam afër Budapestit me 30 nëntor 1916 kur po kthehej nga Vjena ku kishte marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të mbretit Franc Jozefi.Ishte pikërisht kjo arsyeja që vepra u botua kaq me vonesë, pasi materialet ishin gati kohë më parë për botim .Vepra e pa dritën e botimit me 1918, por shqip nuk u botua kurrë. Materiale të tjera me rëndësi do të përmblidheshin në katër volume ku do të përfshiheshin dokumente historike mes viteve 1406-1536. Por edhe pas botimit të volumit të gjashtë Shufflay nuk do të reshtte së shkruari, pasi do të mblidhte akte të tjera të rëndësishme për t’i botuar. Revista e njohur “Hylli i dritës” që aso kohe drejtohej nga Padër Gjergj Fishta,në nr.11të vitit 1937 bënte këtë vlerësim për veprën: “…Kjo vepër për ne shqiptarët nuk ka të paguem, përsa nëpër të i jan vu themele të patrandshme historisë sonë kombëtare.Na asht çue n’vend nji uzdaje,që për ne do të kishte metë gjithmonë një dëshirë…”
Ishte një studiues i palodhur dhe i thellë në mendime, shfletonte pareshtur materiale dhe dokumente historike duke hedhur dritë në të vërteta historike të pamohueshme. E tërhiqte tradita dhe historia e popullit shqiptar ,që siç thoshte ai, ishte një nga popujt më me tradita në Ballkan prandaj botoi studimin “Qytetet dhe katundet e Shqipnisë në kohë të mesme”, ku zbuloi dhe studioi disa qendra qytetesh dhe fshatrash mesjetare dikur të banuara që sot nuk ekzistojnë më,por vërtetoi se ato janë dëshmi historike për prejardhjen e popullit tonë. Kjo vepër u botua me kërkesë të Akademisë së Shkencave të Vjenës në vitin 1924. Ishte kjo vepër kapitale që i shërbeu atij si pikënisje për t’u thelluar më tej në historinë e Shqipërisë. Për këtë pati edhe peripeci të ndryshme sepse vëllimi i tretë i saj që ishte në dorëshkrim u konfiskua nga policia jugosllave dhe humbi. Ai ndiqet dhe kërkohet nga autoritetet jugosllave, megjithatë ai nuk pushon për asnjë çast nga studimi dhe publikimi i të dhënave të reja për historinë e Shqipërisë. Në këtë kohë boton me shumë mundim romanin historik “Kostandin Balshaj”. Me qëllim që të mos binte në sy të pushtetit mbretëror këtë libër e botoi me pseudonimin Alban Limi. Edhe këtë vit nuk do t’i shpëtonte arrestimit, por kjo nuk zgjati shumë, sepse pas pak muajsh do ta lironin si të pafajshëm pasi autoritetet jugosllave nuk mundën të siguronin prova për fajësinë e tij. Megjithëse përpiqet të ruajë qetësinë, prapë telashet s’kanë të sosur,pasi autoritetet jugosllave kanë vendosur të mos e lënë të qetë. Ftohet nga ana e organeve qeveritare të Beogradit të bashkëpunojë duke i ofruar një vend si profesor në Universitetin e Beogradit. Kjo s’ishte gjë tjetër veçse një provokim ndaj tij. Megjithëse për pak kohë vajti në Beograd,shpejt e konstatoi falsitetin e kësaj ftese, prandaj u kthye në Zagreb dhe vazhdoi misionin fisnik të historianit. Fushata e persekutimeve ndaj tij do të merrte përmasa gjigante në fillim të vitit 1920. Ndaj tij do të ndërmerreshin sanksione të ndryshme politike. Si rezultat ,albanologu i shquar do të burgosej si pjesëtar i “Komitetit kroat”që vepronte në Grac të Austrisë dhe do të dënohej me 3 vjet e 6 muaj burg. Edhe pse kjo ngjarje tronditi njerëzit e kulturës dhe shkaktoi indinjate të thellë në opinionin përparimtar të kohës,në dënimin e tij nuk ndryshoi asgjë. Milan Shufflay e vuajti dënimin në burgun e Mitrovicës. Kur u lirua nga burgu albanologu i njohur i ndjeu pasojat e rënda fizike që i kishin shkaktuar vuajtjet,por nuk e humbi kurajon për të hulumtuar më me vrull në fushën e historisë së Shqipërisë.
Historia e shqiptarëve tani është për të historia e një populli me rrënjë të lashta etnokulturore dhe etnike me vazhdimësi të pandërprerë,me aftësi të çuditshme rigjeneruese. E kaluara e këtij populli përfaqësonte për Shufflayn thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë. Duke e parë në këtë këndvështrim ,vepra e tij mori përmasa të paparashikuara, prandaj me 1924 Akademia e Shkencave të Vjenës botoi një nga veprat e tij më të rëndësishme” Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë kryesisht gjatë mesjetës”, vepër e cila bëri jehonë në mbarë Evropën, sepse jepte informacion të saktë për historinë e popullit tonë dhe prejardhjen ilire të tij. Më vonë, me këmbëngulje dhe përkushtim nxori në dritë edhe dy vepra të tjera me vlera universale “Historia e Shqipërisë së Veriut” dhe “Serbët dhe Shqiptarët”, që e bënë një studiues mjaft të dashur për popullin tonë. Madje, vepra “Serbët dhe Shqiptarët”, përkthyer nga Z.Fekeci dhe K.Gurakuqi pati një rëndësi tejet të veçantë për popullin tonë. Përmes këtij libri ai hedh dritë në historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e shtetit tonë me shtetin serb. Për këtë, profesori i Universitetit të Beogradit Stanojeviç shkruante:… me një dituni të themelueme, me një zotësi krejt të posaçme me një njoftim të thellë të kohëve të kalueme e me një mënyrë shkrimi që e ndan në shej,paraqet jetën historike të Shqipnisë e sidomos t’asaj pjese ku kjo lidhet me më jetë e me kohë t’kalueme të popullit serb…”. Ky pohim ia ngre vlerat kësaj vepre mjaft të rëndësishme. Të shumta ishin studimet që botoi Shufflay në organet më të rëndësishme të shtypit të kohës,ku spikasin studimet “Qytetet dhe fshatrat shqiptare në mesjetë”, “Dinastitë mesjetare të Shqipërisë në mesjetë” etj. I shtyrë nga dashuria dhe respekti për Shqipërinë dhe shqiptarët ai përgatiti dhe botoi veprën historike “Dokumentet e Argonit për historinë shqiptare”.
Në vitin 1929 Akademia Austriake i kërkon Shufflayt të vazhdojë studimet për të pasqyruar historinë e popullit shqiptar. Kjo nismë u përkrah edhe nga autoritetet e atëhershme shqiptare, por nga ana tjetër pengohej të vinte në Shqipëri nga autoritetet jugosllave. Me përpjekje të shumta ia arrin qëllimit dhe viti 1931 e gjen në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Këtu punon për studimin dhe mbledhjen e materialeve historike që i nevojiteshin për të përgatitur librin “Historia integrale e Shqipërisë”,që pati ndërmend të botonte. Kthehet në Zagreb dhe punon me zell dhe dëshirë për përgatitjen e kësaj vepre, por ndërkohë merr një letër kërcënuese nga një organizatë ekstremiste antishqiptare ku kërcënohej për vdekje si proshqiptar.
Nuk shqetësohet,por punon me vendosmëri për të realizuar qëllimet e tij në fushën e albanologjisë dhe historisë së popullit shqiptar. Pikërisht në vlugun e punës,në kulmin e aftësive të tij studiuese dhe krijuese kur po përgatiste vëllimin e tretë të kolanës “Akta Albania”, që siç dëshmohet do të ishte një vepër kapitale, në mbrëmjen e 18 shkurtit 1931 vritet nga Policia e Fshehtë Jugosllave në një rrugë të Zagrebit. Lajmin e hidhur të vdekjes së tij e njoftuan organet e shtypit jugosllav dhe ato të mbarë Evropës. Ja si shkruante gazeta e Vjenës “Reichspost”,  nr.51 dt.20 shkurt 1931: “… Zagreb 19 fruer: Sod në mesditë u hap lajmi se i njoftuni profesor i Universitetit dr.Milan Shufflay asht vra. Por ky lajm në këtë mënyrë nuk je i drejtë, sepse Shufflay nuk kishte metë dekun,por i varruem me nji të rame të randë shi n’krye e asht gjetë pa mend,pa gojë në rrugë të Dalmatinëve… Dr. Shufflay asht vetëm 52 vjeç e emni i tij asht mjaft i përmendun si profesor e asht nji nga atdhetarët kroate ma n’shej…” .Për këtë akt kriminal shkruan edhe gazeta “Vullneti” nr. 261, dt.27 shkurt 1931  ku bënte thirrje që “…të gjithë patriotët shqiptarë të marrin pjesë në varrosjen e tij me hidhërimin më të thellë…”. Ky akt barbar tronditi qarqet patriotike dhe përparimtare të mbarë botës. Prandaj për vdekjen e tij reaguan organet më prestigjioze të shtypit botëror si: “Tribuna -Romë”, “Berliner tagblat”-Gjermani, “Nju York Times”-SHBA, “Frankfurter Zeitung” Gjermani, “Arbënia” dhe “Vullneti i popullit”-Tiranë. Me një memorandum të veçantë ,shprehen indinjatën e tyre për këtë akt barbarë edhe kolosët e  shkencës dhe letrave të kohës si:Albert Einstein, Henrich Mann, dr.Jozef Bajza, dr.Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr.Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica etj.
Milan Shuflai është vlerësuar për veprën e tij nga shumë figura të shquara. Akademik Rexhep Qose thotë: “…Shuflai ishte njohës i mirë i rrethanave politike dhe historike të Shqipërisë kur ai shkruan se organizimi ushtarak i Hotit ka filluar në shek. XIV… Koncepti shkencor i të shkruarit nga Shuflai dallon për kohën për disa arsye se qasja e tij ishte arkivore,historike faktografike e hulumtuar skajshmërisht që e bënë të pakrahasueshëm për kohën e natyrisht edhe për vitet e mëpastajme…”. Ndërsa dr. Musa Ahmeti për Shuflain shkruan: “…Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqet që e shtynë Beogradin për të organizuar vrasjen e Shuflait…”. Shkenca albanologjike shqiptare pati humbur një nga figurat më të shquara ,një nga studiuesit më në zë që do të mbetej gjatë në kujtesën e popullit tonë. Edhe pse për 50 vjet emri dhe vepra e tij ishin tabu,tani ka ardhur koha që ai të radhitet krahas albanologëve më të shquar për meritat e tij të padiskutueshme. Ai e meriton këtë, sepse studioi dhe shkroi historinë e këtij populli nga më të lashtët në Ballkan e më gjerë. Vlash Prendi (KJ)