Si i rekrutonte UDB-ja agjentët e saj shqiptar përmes torturave, kërcënimeve dhe ryshefeteve. Cili ishte roli i Dushan Mugoshës?

Të gjithë shqiptarët që emigronin në Jugosllavi gjatë regjimit komunist bëheshin pjesë e UDB. CIA ka zbardhur një dokument ku tregohet gjithë rruga e rekrutimeve të agjentëve nga UDB. Sipas dokumentit, shqiptarët torturoheshin dhe detyroheshin që të bashkëpunonin me UDB. Pasi trajnoheshin ata ktheheshin në Shqipëri me misione të caktuara, por që shumica nuk i zbatonin dhe gënjenin për informacionet që jepnin. CIA përmend dhe Dushan Mugoshën, ku deklaron se ai ishte përgjegjësi kryesor për rekrutimin e shqiptarëve.

Jugosllavi – Shqipëri

Refugjatët shqiptarë 1954

Komiteti i Prizrenit

Çdo shqiptar që arratiset në Jugosllavi, detyrohet t’i bashkohet Lidhjes së Prizrenit. Nëse ai refuzon ta bëjë këtë, i refuzohet dhënia e kartës jugosllave të identitetit, si dhe dhënia e racioneve të veshjeve dhe ushqimit. Nëse ai është mbi moshën 15 vjeç dhe nën 60, dërgohet në kampin e përqendrimit ku aplikohen edhe dënime fizike. Në rastin e grave, fëmijëve dhe më të vjetërve, ata që refuzojnë të regjistrohen në Lidhje, lihen të qetë, por pa ushqim dhe strehim. Prandaj të gjitha ata që nuk duan të vdesin nga vuajtjet detyrohen të bëhen pjesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, drejtimi i së cilës është i gjithi në kontroll të shërbimeve sekrete të inteligjencës UDB.

Emri i komitetit të refugjatëve shqiptarë është i tillë me qëllim që ai të identifikohet me lëvizje të shkuara patriotike siç është mbledhja historike e Lidhjes e Prizrenit e vitit 1878 në qyteti kosovar. Dhe faktikisht zyrat kryesore të lidhjes së refugjatëve shqiptarë gjenden në Prishtinë.

Dushan Mugosha dhe Vasil Shanto

Të drejta e anëtarëve shqiptarë të komitetit janë të kufizuara dhe më shumë liri kanë ata që spiunojnë njëri-tjetrin. Oficerët e UDB përdorin të gjitha mjetet, duke përfshirë ryshfetet, kërcënimet, joshjen apo dhe torturën, për të depërtuar në informacionet e shqiptarëve. Korrupsioni ka arritur në një pikë të tillë sa që mund të dëmtojë seriozisht motivimin e emigrantëve për të kaluar kufirin dhe gjithashtu të bëjë më pak efektive përpjekjet jugosllave, nga sa mund të ishin ato nëse morali i refugjatëve do të ishte më i lartë. Gjenrali Dushan Mugosha është jo vetëm i ashtuquajturi “përgjegjës” për programin e refugjatëve shqiptarë, por gjithashtu drejtues i organizimit të programeve të refugjatëve nga të gjitha vendet satelite të BRSS. Koloneli Cedo Mijoviç është gjithashtu i përfshirë në drejtimin e çështjeve shqiptare, nga zyra e tij në ministrinë e Brendshme jugosllave. Si Mugosha ashtu dhe Mijoviç janë me origjinë malazeze dhe flasin mirë gjuhën shqipe. Mijoviç është më miqësor në trajtimin e refugjatëve. Ai raportohet t’i ndihmojë ata herë pas here dhe u flet me fjalë të mira. Kohët e fundit për shembull, refugjati shqiptar Gjon Gjinaj, i cili ishte internuar për gjashtë muaj në Serbi bashkë me Kolë Çuni, u dërgua nga Mijoviç në një qendër llixhash për kurim për disa ditë.

Frika e shqiptarëve

Ndryshe nga ata refugjatë që janë kthyer në agjentë të UDB duke spiunuar kundër bashkëatdhetarëve të tyre, shumica e shqiptarëve nuk kanë pasur besim në qëllimet apo në programin e komitetit të Prizrenit. Kjo organizatë konsiderohet nga shumica si një fasadë që Jugosllavia ka ngritur në përgatitje për aneksimin e mëvonshëm të Shqipërisë, si republika e saj e shtatë. Më herët Jugosllavia fliste për “çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e Hoxhës”, por kjo linjë duket se është braktisur prej rreth pesë muajsh. Refugjatët thuhet se janë në gjendje alarmi prej afrimit të kohëve të fundit të Titos me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet satelite. Ata besojnë se së shpejti do të bëhen dhuratë te pushteti i ri komunist në Shqipëri, nën sponsorizimin jugosllav. Kjo frikë ishte shumë më e dukshme mes rreth 300 refugjatëve shqiptarë, delegatë të Komitetit të Prizrenit në Asamblenë e vitit të shkuar, ku në fjalimin e tij Dushan Mugosha tha: “Kam marrë lajme se ju jeni bërë objekt i shtypjes pas revolucionit të fundit të politikës sonë dhe afrimin me Bashkimin Sovjetik. Por unë ju siguroj se si unë, ashtu dhe presidenti Tito do të mbrojë të gjithë refugjatët gjatë kësaj faze të zhvillimit të politikave të reja, dhe secilit prej jush do t’u jepet mundësia të emigrojë në atë vend që do, ose të qëndrojë në Jugosllavi me të drejta të pota qytetarie”. Kjo asamble u zhvillua në një atmosferë të rëndë mosbesimi dhe pasigurie. Edhe ato pak shqiptarë pro-Tito të komitetit nuk dukej se kishin besim te premtimet. Lista e anëtarëve të rin të komitetit natyrisht ishte përgatitur paraprakisht. Apostol Tenefi dhe kolegët e tij, dukej se gjatë mandatit të tyre kishin abuzuar shumë me privilegjet duke persekutuar vetëm armiqtë e tyre personalë dhe duke favorizuar ndjekësit e tyre. Në këtë pikë pakënaqësia mes refugjatëve shqiptarë ishte e dukshme dhe duket se ishte kjo situatë që detyroi jugosllavët të ndryshonin përbërjen e Komitetit. Hierarkia e re e tij duket se përbëhet nga njerëz të ndershëm dhe ata në drejtim (oficerët e UDB) janë komunistë të sinqertë. Një person i tillë është dhe presidenti i ri Hajrullah Ishmi, një individ i arsimuar dhe i sjellshëm, një prej vëllezërve të të cilit është varur nga regjimi në Shqipëri, gjatë kohës së pushtimit italian. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit, Ramadan Spahia, si dhe sekretari i Komitetit Arif Starova, janë gjithashtu në të njëjtën kategori me Ishmin.

1942/Enver Hoxha, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha në Labinot

Lëvizjet

Ndërsa Apostol Tenefi, Çan Tahiri, Lutfi Spahiu dhe Qazim Lusha, janë ulur në detyrë si anëtarë të komitetit konsultativ. Ky i fundit përbëhet nga 40 anëtarë dhe nuk ka rëndësi të veçantë. Këtu përfshihet edhe Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Mark Gjecaj (“l’Amico delle Montagne”). Ky i fundit është emëruar inspektor, që siç thuhet, bëhet nga jugosllavët me qëllim për ta kompromentuar. Vetë Gjecaj ka qenë i pakënaqur nga emërimi, por të gjitha tentativat e tij për ta evituar shkuan kot. Mbrojtja e vendosur që Pjetër Gjonmarkaj bëri ndaj liderëve të emigracionit shqiptar në vendet Perëndimore, solli kritika të ashpra dhe sharje nga Dushan Mugosha, por gjithsesi Gjonmarkaj u pranua në komitetin konsultativ prej kërkesës së të gjithë anëtarëve të Asamblesë. Nik Sokoli ruajti postin e zëvendës-presidentit të komitetit. Ndërsa Qazim Lushi, Can Tahiri, Mark Ujka dhe Kol Hasa janë vegla të dobishme në dorë të UDB. Anëtarët e mëposhtëm të komitetit janë nacionalistë të besueshëm antikomunistë shqiptarë: Caf Ismail Deli, Mark Pashko nga Vermoshi, Mirash Gjoka nga Shkreli, Kolë Pali nga Dukagjini dhe Dod Frani nga Vukli. Lutfi Spahiu është njeriu më i përshtatshëm për drejtues nga të gjithë refugjatët, por është lënë mënjanë nga jugosllavët pasi nuk kanë fare besim te ai. Me kërkesën e tij, Mark Gjecaj u transferua nga Kosova në Novisad, ku tani jeton si prift katolik. Refugjatëve shqiptarë u jepet banim sipas tre grupeve kryesore: ata që vijnë nga jugu i Shqipërisë dhe Elbasani caktohen në Maqedoni, refugjatët nga Dibra, Luma dhe Mirdita caktohen në Serbi, ndërsa ata që vijnë nga Dukagjini, Malësia e Madhe dhe Shkodra vendosen në Malin e Zi. Studentët shqiptarë në universitetin e Beogradit marrin asistencë dhe komandohen nga UDB. Oficerët e UDB kontrollojnë vlerësimet dhe progresin arsimor dhe ata që shfaqin dëshirë të madhe për shërbim marrin dhe para ose mundësi udhëtimi në Zagreb apo Dalmati. Refugjatët shqiptarë në Jugosllavi nuk lejohen të bashkohen apo të shprehin simpati për grupe të tjera politike përveç Komitetit të Prizrenit. Në lidhje me anësitë e përgjithshme politike të refugjatëve në Serbi dhe Malin e Zi, vetëm rreth 5 për qind e refugjatëve nga Shkodra janë mbështetës të Ballit Kombëtar. Rreth 30 për qind e refugjatëve nga Dibra dhe Luma mbështesin Balin Kombëtar. Ndërsa të tjerë, megjithëse antikomunistë, mbështesin rryma të tjera politike. Mbështetësit e Ballit dhe zogistët kufizohen në ata njerëz që kanë pasur poste gjatë periudhave respektive. Të rinjtë zakonisht janë të paqartë nga politika. Refugjatët në përgjithësi mendojnë se çlirimi i Shqipërisë nga komunistët duhet të vijë vetëm nga Perëndimi, por ka shumë që mendojnë se një ndryshim në Shqipëri nuk mund të vijë përveçse në rast të një tjetër lufte botërore.

Misionet e UDB

Mark Pashko, aktualisht lider i grupit të refugjatë të vendosur në Mal të Zi, është një nga mbështetësit më të fortë të Ballit. Ai thotë se shpëtimi i Shqipërisë duhet të vijë vetëm nga Perëndimi dhe për këtë përfaqësuesit më të mirë janë anëtarët e Ballit Kombëtar. Refugjatët shqiptarë që janë të aftë fizikisht dhe kanë eksperiencë në grupet e rezistencës në vend, detyrohen nga UDB të rikthehen me misione klandestine në Shqipëri. Objektivat e UDB në lidhje me misionet e infiltrimit në Shqipëri janë mbledhja e informacioneve mbi ushtrinë shqiptare dhe fortifikimet e saj, mbi lëvizjet e trupave dhe moralin e popullatave lokale. Me to UDB synon gjithashtu të mësojë vendndodhjen e organizatave të vendeve satelite komuniste ose të atyre jugosllave anti-Tito, t cilat inkurajohen nga qeveria shqiptare. UDB shpërndan herë pas herë në Shqipëri broshura propagande dhe tenton gjithashtu të mësojë identitetin e shqiptarëve që favorizojnë opinionet anti-Tito. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të përfshirë në misione të tilla, kthehen në Jugosllavi dhe u japin zyrtarëve informacione të sajuara ose nuk japin asnjë informacion. Para se të nisen atyre u thuhet të mos vrasin oficerë komunistë në Shqipëri, por në fakt të dërguarit tentojnë të shpëtojnë jetën e ushtarëve të thjeshtë dhe tentojnë të vrasin sa munden oficerë komunistë dhe në të tilla raste ata shfajësohen duke thënë se hasën rezistencë të papritur me organet e rendit. Është gjithashtu e zakonshme që këto grupe të infiltruarish shkatërrojnë broshurat e propagandës që marrin me vete nga Jugosllavia, ndoshta ngaqë informatorët e njohur të UDB eliminohen pa mëshirë nga autoritetet shqiptare. Misionet nuk priten me simpati as nga popullsia shqiptare, të cilët kanë deklaruar në shumë raste se nuk mund të rrezikojnë hakmarrjen e autoriteteve duke ndihmuar ose fshehur të infiltruarit. Shqiptarët kanë zbuluar se nuk kanë avantazhe nga ndihma ndaj misioneve të huaja, ndërsa mbështetjen e mëparshme të operacioneve jugosllave, ata e kanë shpërblyer duke folur keq kundër fesë dhe zakoneve shqiptare. Shumë shqiptarë mendojnë se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes regjimit komunist në Shqipëri dhe atij në Jugosllavi, ndërsa Tito është po aq i urryer sa dhe Enver Hoxha në Shqipëri.

Roli i Dushan Mugoshës

Shqiptarët e dinë se Komiteti i Prizrenit është një sajesë kukullash që komandohen nga Dushan Mugosha, një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare dhe rrjedhimisht përgjegjës për gjithë mjerimin e tyre. Shqiptarët që jetojnë në vendet kufitare myslimane Plava e Gucia, dhe ata në zonat katolike të Hotit, Grudës e Kacja, i kanë habitur refugjatët me bujarinë e tyre. Gjatë pesë gjashtë viteve të fundit ata kanë ndihmuar mijëra refugjatë pa dallime feje apo rajoni origjine. Në këto zona çdo familje shqiptare ka strehuar nga dhjetë deri në tridhjetë refugjatë.

Kjo situatë tani po ndryshon, pasi kosovarët që më parë prisnin me simpati refugjatët, tani po bëhen viktima të propagandës tendencioze të agjentëve të dërguar nga Hoxha, prandaj dhe kanë humbur besimin ndaj refugjatëve dhe i shohin me antipati. Linja shqiptare e propagandës për shqiptarët e Kosovës i përmbahet ideve se ata po ndihmojnë Titon të përgatisë pushtimin e Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë si dhe Komiteti i Shqipërisë së Lirë që financohet nga anglo-amerikanët. Sipas tyre Balli Kombëtar dhe Xhafer Deva i janë shitur miqve amerikanë të Titos. Linja e propagandës së Tiranës përfundon duke deklaruar se vetëm miqtë e Bashkimit Sovjetik mund të eliminojnë Titon dhe të bashkojnë Shqipërinë e Hoxhës pa ndërhyrje të huaja. Në vitin 1951 të gjithë refugjatët u pyetën nga autoritetet nëse dëshironin të emigronin dhe nëse po në cilat vende. Por kjo lëvizje ishte një grackë pasi të gjithë ata që shprehën dëshirën për t’u larguar nga Jugosllavia pak më vonë u arrestuan apo u internuan, ose u bënë viktima të persekutimeve të ndryshme. Në 1951 dhe në 1952 një grup gazetarësh vizituan qendrat e strehimit të refugjatëve shqiptarë, dhe intervistuan shumë prej tyre. Por asnjë nga refugjatët nuk guxoi të shprehte mendimet hapur mbi gjendjen e bashkëatdhetarëve prej frikës së hakmarrjes së autoriteteve.

Arrestimet e kohëve të fundit të Ndue Bajraktarit dhe miqve të tij, të akuzuar për tentativë arratisjeje dhe pjesëmarrje në misionet operacionale në Shqipëri, kanë shkaktuar shumë përshtypje të refugjatët.

Roli i ballistëve

Kol Cuni, Gjon Gjinaj, Ndue Pjeter Gjnmarkaj, Nikoll Gjonmarkaj dhe Ndue Mëlyshi janë mbështetës të deklaruar të Ballit KOmbëtar. Kur ata arritën në Jugosllavi atyre iu dhanë fonde të bollshme dhe sende personale. Por më vonë ata shitën sendet ose i ndanë me miqtë e tyre refugjatë prandaj tani kanë mbetur pa mjete mbështetjeje. Jugosllavët tregojnë publikisht simpati ndaj tyre por në fakt i mbajnë në mbikëqyrje të vazhdueshme pasi nuk kanë besim te ata. Nikol Gjonmarkaj, për sa kohë u lejua të jetonte në Mitrovicë, pati mbështetje të madhe nga popullsia kosovare lokale që i plotësoi të gjitha nevojat. Por më vonë u largua nga autoritetet jugosllave nga Mitrovica pasi shprehte simpati ndaj të birit të një “reaksionari” të njohur, që solli antipatinë e jugosllavëve. Vdekja e Bardhok Bibës, i vrarë nga kushëriri i tij Ndue Pjetër Gjonmarkaj, u bë me ceremoni nga jugosllavët. Malazezi Pajkoviç, drejtues në zonën e Kosmet, gjatë një takimi me Ndue Pjetrin i tha: “Ti e ke vrarë Bardhokun? Ke vrarë një komunist të rrallë, një hero të vërtetë dhe mik të popullit. Shqipëria nuk do të prodhojë më njeri si ai”. At Daniel Fjecaj, ndryshe i njohur dhe si Mark Gjecaj (l’Amico delle Montagne), Lutfi Spahiu dhe Don Zef Oroshi, janë nga drejtuesit kryesorë të refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi prej prejardhjes së tyre kulturore dhe patriotizmit. Influencë kanë gjithashtu dhe personat e mëposhtëm: Mark Tom Marku nga Klementi, Tom Dushi nga Nikshi, Kol Gjon Bajraktari nga Vukli, Preng Gjato Marku nga Hoti, Mitrash Gjoka nga Shkreli, Prelë Marku nga Shala në Dukagjin, Vuksan Vata nga Kiri.

Shkurt 1955

Riafrimi

Më 9 nëntor 1954 në Beograd u nënshkrua një akord mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre jugosllavë për sheshimin e debateve politike mes vendeve dhe këmbimet e të burgosurve dhe të internuarve. Përfaqësuesi shqiptar në Beograd nënshkroi për qeverinë e tij, ndërsa kreu i komisionit të veçantë jugosllav për sheshimin e konflikteve me shqiptarët, Veljo Stojniç, nënshkroi për qeverinë e tij. Stonic ka shërbyer disa kohë pas Luftës së Dytë Botërore si drejtues i misionit ushtarak jugosllav në Shqipëri, dhe më pas si ambasador në Tiranë.

Me nënshkrimin e akordit, Shqipëria zotohet të lirojë 200 zyrtarë policie të burgosur dhe të akuzuar se kanë punuar ose simpatizuar me regjimin e Titos. Në kohën e nënshkrimit të akordit ambasada jugosllave në Tiranë u informua se qeveria jugosllave nuk do të ngrinte kundërshtime për hapjen e një konsullate shqiptare në krahinën autonome të Kosovës. Në nëntor 1954 disa zyrtarë të ambasadës së Shqipërisë në Beograd vizituan krahinën e Kosovës, gjatë së cilës autoritetet jugosllave i afruan akses të plotë në të gjitha zonat dhe ambientet, si dhe u lejuan të flisnin lirisht me popullatën lokale.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/