Shuhet në moshën 99-vjeçare, studiuesi i mirënjohur amerikan i gjuhës shqipe, Eric P Hamp

Eric P Hamp linguisti i njohur amerikan i lidhur fort me kulturën shqiptare është shuar në moshën 99 vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë e cila shprehet se “ studimeve shqiptare tashmë do u mungojë një prej indoeuropeistëve, ballknolog e albanolog nga më të mirët”. Eric P Hamp u lind në SHBA në vitin 1920. Ai ishte një nga indoeuropeistët më të shquar të shekullit XX. Gjuha shqipe ka qenë me fat që fitoi vëmendjen e këtij studiuesi të përmasave botërore qysh në fillimet e jetës së tij shkencore, me kërkimet dialektologjike në ngulimin arbëresh të Vaccarizzo-s, që u bënë shkas për të mos e ndarë më shqipen gjatë gjithë jetës në punën e tij shkencore. Megjithëse për një kohë të gjatë Eric P Hamp dhe studiuesit shqiptarë në Tiranë nuk kishin mundësi për kontakte të drejtpërdrejta, vepra e tij gjithnjë është njohur e vlerësuar. I vlerësuar para së gjithash për kontributet në albanologji, pas viteve 1991 ai u pranua anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe po ashtu edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Eric P Hamp ka një karrierë të gjatë universitare dhe akademike, si profesor në Universitetin e Çikagos dhe si i ftuar për ligjërata shkencore në shumë universitete të botës, duke përfshirë katedrat e albanologjisë në Mynih, në Kozencë, në Palermo e gjetiu. Ai mban titullin “Profesor Emeritus”. Eric P Hamp është marrë veçanërisht me studimin e gjuhëve të vogla, në kuadër të studimeve krahasimtare në rrafsh indoeuropeistik. Sa i takon gjuhës shqipes, ai ka shkruar një varg artikujsh për etimologji fjalëshs të rralla të saj, për fonetikën historike, për numërorët e shqipe, për vendin e shqipes në rrethin e gjuhëve indoeuropiane e për marrëdhëniet e shqipes me mesapishten, për tiparet ballkanike të gjuhës shqipe dhe sidomos për të folme shqipe të diasporës arbëreshe dhe arvanitase. Kontributet më të rëndësishme të tij janë botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës në librin “Studime krahasuese për shqipen”. Vepra të tjera të tij në albanologji janë: 1. “On the Arvanitika dialects of Attica and Megarid” (“Të folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridës), 1961; 2. “The Albanian dialect of Mandres” (“E folmja shqipe e Mandrës”), 1965; 3. “Il sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo Albanese”, Kozencë – Rende (“Sistemi fonologjik i së folmes së Vakaricit”), 1993; Përveç artikujve për probleme të veçanta të shqipes, ka shkruar dhe studime përgjithësuese, si “The position of Albanian” (“Vendi i shqipes”), botuar në “Ancient Indo-European dialects” (1966) dhe “Albanian” (“Shqipja”), botuar në “Current Trends in Linguistics”, vëll. 9, 1972.