Shtypshkronja e Obotit 1493, At Donat Kurti jep edhe një të dhënë për këtë fakt të rëndësishëm

  1. At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbas të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dha vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.

    Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme.
    Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë.
    /Brunilda Ternova

 

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com