Shtëpia e Bardhë premton mbështetjen për zonat e prekura nga stuhia

Ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit nga uragani Harvey në juglindje të Teksasit, Shtëpia e Bardhë po siguron ata që po vuajnë pasojat e stuhisë se do t’i mbështesë hap pas hapi dhe se fondet për t’i ndihmuar ata do të jenë në dispozicion.

Numri i viktimave ka arritur në të paktën 39 vetë dhe autoritetet parashikojnë që ai të vazhdojë të rritet.

Harvey shkaktoi dëme të jashtëzakonshme në pesë ditët me reshje shiu që thyen rekord në Teksas dhe Luiziana.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Tom Bossert thotë se fondet për të mbuluar operacionet për muajin e ardhshëm janë gati:

“Nëse ka dhe do të ketë nevojë për fonde të tjera në vazhdim, ndërsa bëhen më të qarta shifrat për fazën e rindërtimit, ne do ta shqyrtojmë situatën dhe të kërkojmë edhe më shumë fonde. Ky është qëndrimi ynë dhe nuk jam i shqetësuar se mund të mos kemi para për operacione e tanishme dhe të ardhme”.

Zori Bossert tha se 100 mijë shtëpi janë prekur nga stuhia dhe një pjesë e infrastrukturës publike, si autostradat dhe urat, është dëmtuar.

Hjustoni, qyteti i katërt më i madh i Shteteve të Bashkuara, është goditur më rëndë. Por kryebashkiaku i tij, Sylvester Turner thotë se qyteti po funksionon dhe po e merr veten:

“Një nga arsyet që do të rimëkëmbemi brenda një viti, në mos më pak, është se ka njerëz dhe korporata në qytet që po bëjnë të pamundurën, duke e shfaqur kontributin e tyre menjëherë”.

Deri tani, administrate e Presidentit Trump ka qenë mjaft e pranishme në zonën e goditur nga stuhia. Nënpresidenti Mike Pence po ndihmonte dje në përpjekjet e pastrimit dhe Presidenti Trump pritet të rikthehet në Teksas nesër, pas një vizite fillestare të martën.

Banorët e prekur nga shkatërrimi i shkaktuar nga Harvey, pa dyshim shpresojnë që vëmendja të vazhdojë për një kohë të gjatë pasi rajoni të jetë tharë. VOA