Shtëpia e Bardhë i përgjigjet Koresë së Veriut, e cila kërcënoi se do t’i rrëzojë bombarduesit amerikanë

Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Korenë Veriore t’i ndalë provokimet, pasi një zyrtari i saj tha dje se Peniani ka të drejtë t’i rrëzojë bombarduesit amerikanë.

Po ashtu, Shtëpia e Bardhë ka thënë në një komunikatë për media se akuzat nga Koreja Veriore se Uashingtoni ka shpallur luftë ndaj saj janë absurde, transmeton Express.

Ndërkohë, një zëdhënësi i OKB-së ka thënë se shkëmbimet e ashpra të fjalëve mund të çojnë drejt keqkuptimeve fatale.

Në anën tjetër, Koreja Jugore ka bërë thirrje për reagime të qeta, duke paralajmëruar se përleshjet aksidentale në rajon mund të dalin nga kontrolli shumë shpejt.

Ministri i Jashtëm i Koresë Veriore, Ri Yong Ho, tha dje se “e tërë bota duhet ta mbajë në mend qartë se SHBA-ja ka shpallur luftë ndaj nesh e para”.

Komentet e tij erdhën si kundërpërgjigje ndaj presidentit Donald Trump i cili sugjeroi se Koreja Veriore mund të mos zgjasë shumë nëse liderët e saj e vazhdojnë retoriken e njëjtë.

Dy ditë më parë, bombarduesit amerikanë fluturuan pranë bregdetit të Koresë Veriore, në atë që u cilësua si shfaqje e forcës

Paralajmëron Kina: Nuk ka fitues në luftën e Gadishullit Korean

Kina ka thënë sot se lufta në Gadishullin Korean nuk do të ketë fitues, pasi ministri i Jashtëm i Koresë Veriore tha dje se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar luftë ndaj Koresë Veriore dhe se Peniani ka të drejtë të ndërmarrë masa, përfshirë rrëzimin e bombarduesve amerikanë edhe jashtë hapësirës ajrore të Veriut.

Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, ka theksuar se Pekini shpreson se politikanët amerikanë dhe koreanoveriorë mund ta kuptojnë se rrugët ushtarake kurrë nuk do të jenë zgjidhje e shëndoshë, transmeton Express.

Kina po ashtu e ka kundërshtuar përshkallëzimin e luftës së fjalëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore, ka thënë Lu.