Shqiptarët në 22 shekuj, mbi 300 kryengritje, ose në çdo 7 vjet “paqe”, një vit luftë

Në historinë mijëra vjeçare të njerëzimit, në rrugën e mundimshme të mbijetesës, zor se mund të gjendet një histori më tragjike, një tmerr pa fund, një luftë pambarim, një jetë pa paqtim, shumë vdekje e ringjallje deri në amshim, sa legjenda e gjallë dhe e papërsëritshme që fillon nga Iliria e moçme e deri tek Shqipëria e sotme. Ku padyshim nuk mund të gjendet pjesë e trualli të saj që të mos jetë ngopur me gjakun e bijve e bijave të saj, aq sa po të ruhej ky gjak i freskët, Shqipëria Etnike do t’i ngjante një oqeani të madh gjaku ku do të mbyteshin “miq” dhe armiq, qofshin këta edhe notarët më të zotë të shekujve. Por me sa duket vetë krijuesi i gjithësisë në rrugën e gjatë e të stërmundimshme, e pa të udhës që ky “oqean” gjaku të bëhet “ushqim” i përjetshëm i “gjallesave” të kësaj treve, të bëhet betoni i themeleve të palëkundshme të “kalasë” Ilire, që mbijetoi, në mes rrebesheve, stuhive e cikloneve papushim, e nga ku popuj e kombe të tjera u fshinë përgjithnjë nga harta e botës. Gjithnjë për t’i qëndruar besnik titullit të shkrimit po filloj të kaloj si në revistë disa nga kryengritjet më kryesore që historia jonë shpesh e munguar, dhe ajo e “Botës” e deformuar na i ka lënë trashëgim.

-Viti 228 para lindjes së Krishtit, Senati i Perandorisë Romake merr vendimin t’i shpallë luftë Ilirisë me mbretëreshë Teutën, e cila edhe nga tradhëtia e brendshme (e Dimitër Farit) detyrohet t’u lëshojë Romakëve një pjesë të bregdetit Adriatik.

-Në vitin 219 (para Krishtit), Dimitër Fari që kishte tradhëtuar Teutën dhe për këtë ishte shpërblyer nga Romakët duke sunduar ato vise shqiptare, kur ai mendoi se u fuqizua organizoi një kryengritje të këtyre zonave të Ilirisë për të dëbuar pushtuesit Romakë (por dështoi).

-Në vitin 215 (para Krishtit) Filipi V-të i Maqedonisë i nxitur nga Dimitër Fari që ishte stehuar atje, u shpall luftë Romakëve dhe kjo luftë mjerisht zhvillohet në bregdetin e Ilirisë, e cila pësoi jo pak nga kjo luftë e tmerrshme që shpejt humbi edhe vetë Filipi V i Maqedonisë (në atë kohë Maqedonasit ishin fis Iliri më i largët).

-Përsëri në vitin 200 (para Kr.) një luftë e tmerrshme fillon në tokat Ilire në mes Romakëve që donin të sulmonin trevën e Maqedonisë, që tashmë humbi jo pak toka të saja.

-Viti 168 (para Kr.). Një luftë e tmerrshme zhvillohet në tokën Ilire, ku mbreti Genci nis luftën me ushtritë Romake që donin të pushtonin Ilirinë. Genci (mberti Ilir) humb edhe pse marrveshja me mbretin Maqedon Perseun nuk u konkretizua, si përfundim Genci zihet rob nga Romakët afër Shkodrës (kryeqendrës së Ilirisë) e pas kësaj Iliria brenda 30 viteve thuajse bie në duart e pushtuesve Romakë (Shqipëria Veriore dhe e Mesme). Mjerisht po në vitin 168 (para Kr.) Romakët fillojnë pushtimet edhe në pjesën tjetër të Ilirisë në Epir (Shqipëria Jugore), ku shpejt fillojnë të bien shumë qytete kryesore nën sundimin e konsullit Romak, Anicius.

-Në vitin153 (para Kr.) në Ilir shpërthejnë një sërë kryengritjesh, të cilat jo vetëm dështuan, por mbi të gjitha sollën shumë gjak e shkatërrim.

-Përsëri viti 153 (para Kr.) shënon një valë tmerri mbi trevat Ilire, ku vetëm në Epir Romakët me në krye Pal Emilin pasi pushtojnë edhe Maqedoninë shkatërrojnë rreth 70 qytete të lulëzuara për kohën, si dhe zënë rob mbi 150 mijë banorë autokton. Përfundimisht në vitni 148 (para Kr.) Iliria Veriore e Jugore (përveç Dardanisë) bëhet krahinë e pushtuar nga Romakët.

-Por edhe pse nën peshën e pushtuesit Romak, Ilirët në vitin 145 (para Kr.) u hodhën në kryengritje të përgjithshme për të larguar nga toka Ilire pushtuesin përtej Adriatikut, por që fatkeqësisht edhe kjo “shkëndijë” lirie u shua nga Romakët.

Në vitin 50 (para Kr.) një furi kryengritjesh pëfshin përsëri Ilirinë e mbi të gjitha mbretërinë e fundit Ilire, Dardanët, që u pushtua e fundit nga Romakët, e përsëri në vitin 49 (para Kr.) trevat Ilire u bënë arenë e luftërave të përgjakshme që kundërshtonin pushtimin Romak. Gjithsesi edhe pas shtypjes së këtyre kryengritjeve, përsëri Ilirët nuk iu nënshtruan pushtuesit, madje duke arritur qënë kryengritjen e vitit 6 (gjashtë), tashmë pas lindjes së Krishtit, e kjo kryengritje zgjati plot tre vjet dhe morën pjesë shumica e fiseve dhe provincave Ilire. Ilirët në këtë kryengritje arritën të krijojnë një ushtri prej 200 mijë këmbësorësh dhe 9 mijë kalorësish. Kjo ushtri Ilirësh me luftimet e tyre lëkundën nga themelet mbretërinë më të madhe të kohës, e cila po të mos tradhëtohesh nga udhëheqësit e tyre që u joshën me grada e ofiqe nga Romakët, për pak ditë do të mbërrinin në Romë ku ndoshta sot atje do të flitej “Ilirisht” (shqip). Gjithsesi kjo kryengritje dështoi së bashku me kryengritjen edhe vetë Ilirët iu “bindën” disi fatit të mjeruar, ku siç dihet dalëngadalë Ilirët jo pak pasi iu nështruan “fatit” Romak u ingranuan në jetën civile e ushtarake të vetë perandorisë, madje Ilirët ishin ata që për shumë vite jo vetëm morën në duart e tyre fatet e Perandorisë, por shpesh perandorët Ilirë ishin ata që shpëtuan e rindërtuan shumë herë “Kalanë” e stërmadhe Romake që në atë kohë ishte zoti i tokës. Gjithsesi në historinë e mbijetesës së Ilirëve nën pushtimin e perandorive Romake (asaj të perëndimit, dhe asaj të lindjes, Bizantit) që herë “zbutej” simë sipër e herë “egërsohej”, nuk qëndruan kurrë duarkryq për të pritur mëshirë nga pushtuesit, por të drejtat e liritë e tyre i kërkuan e fituan me luftë e kryengritje, aq sa sipas shumë historianëve Ilirët nën pushtimin Romak (Perëndim-Lindje) zhvilluan rreth 200 kryengritje, duke bërë që ky pushtues herë “modern” e her mizor të mos e ndiente veten kurrë të qetënë këtë pjesë të bekuar të Europës Plakë. Fatkeqësisht e kam të pamundur të gjej gjithë materialin e plotë të rreth 200 kryengritjeve, por vetë shifra të bën të besosh se në këtë truall të bukur por të pafat janë derdhur lumenj gjaku nga të parët tanë.

Gjithashtu duke patur njëfarë mundësie që në shekullin e 13-të (natyrisht pas lindjes së Krishtit) e mbrapa ka dokumente për dhjetëra kryengritje të të parëve tanë, po rendisim përsëri kronologjikisht disa më kryesoret që ishin zjarri i pashuar i lirisë, që ngrohte shpirtërat e të parëve tanë nga njëri shekull mizor në tjetrin akoma më mizor.

-Ishte viti 1256 kur Ilirët u hodhën në një kryengritje të fuqishme, për të kërkuar që të drejtoheshin nga një princ vendas, kryengritja drejtohej kryesisht kundër perandorit të Bizantit për Despotatin e Epirit.

-Viti 1269 Durrësi e rrethet e tjera kundërshtojnë me forcë pushtimin e Anzhuinëve, që sundimtari bizantin thuajse nuk e kundërshtonte fare.

-Viti 1274 shënohet si kryengritja e parë më e fuqishme e shqiptarëve të asaj kohe kundra pushtesve Anzhuinë (që fatkeqësisht që në vitin 1267 e në vazhdim dalëngadalë kishte pushtuar Durrësin dhe një pjesë të madhe të Shqipërisë së Mesme).

-Përsëri në vitin 1280 shqiptarët tashmë të braktisur thuajse plotësisht nga Bizantët hidhen në kryengritjen e dytë kundra pushtuesit Anzhuin, ku ky pushtues pësoi humbje të mëdha.

-Viti 1319 është koha e kryengritjes së tretë kudnra Anzhuinëve, ku suksesi më i madh i shqiptarëve në atë kohë ishte marrja e Durrësit në duar të shqiptarëve. Por përsëri në vitin 1319 shqiptarët kryesisht të veriut u bashkuan me anë të lidhjes së krerëve të tyre për të kundërshtuar me forcën e armëve Princin e Rashës (Serbisë së moçme) Stefan Urosh Milutinin, i cili pretendonte se ishte zotëruesi i Katolikëve të Veriut.

-Përsëri në vitin 1320 shqiptarët shënojnë një kryengritje të fuqishme kundra Princit të Rashës (Serbisë) Stefan U. Milutinit, madje në këtë kohë shënohet edhe një bashkëpunim me mbretin e Hungarisë i cili u vjen në ndihmë kryengritësve shqiptarë dhe arrijnë të thyejnë ushtrinë e princit Stefan Milutini.

-Në vitin 1336 shqiptarët ngrihen në kryengritje kudnra mbretit tjetër të Rashës (Serbisë) Stefan Dushanit, por në këtë kryengritje kudnra rrezikut të pushtuesit të ri Sllav, kërkojnë edhe ndihmën e Anzhuinëve që ishin instaluar në disa qytete shqiptare, por jo me furinë e tmerrshme të një pushtuesi që po “vinte”.

-Në vitin 1368 në Durrës kishte zbritur në pushtues i ri, venedikasit, kundër të cilëve shqiptarët do të ngriheshin me furi, edhe pse për këtë u pagua mjaft. Më 1372 shqiptarët u detyruan të luftojnë kudnra një ushtrie të madhe Napolitane, që ishte përgatitur të nënshtronte “rebelët” shqiptarë.

-Më 1385 shqiptarët e Jugut luftojnë trimërisht kundra princit të huaj Esau Buondelmonti, i cili donte ti sundonte e nënshtronte.

-Por viti 1389 shënon një kryengritje të pashoqe në histori, ku shqiptarët në Betejën e Fushë-Kosovës (në koalicion me vendet e rajonit) shkëlqejnë në luftën heroike kundër invazioneve barbare turke, duke dhënë kështu edhe heroin legjendar Mirash Kopilin i cili vrau vetë Sulltanin Turk.

-Në vitin 1409 Shkodra ngrihet në një kryengritje të fuqishme kundra Venedikut i cili kërkonte nënshtrimin e pushtimin e Shkodrës me pretekstin se jua kishin “shitur” Balshajt…

-më 1423 shqiptarët e Peloponezit luftojnë trimërisht kudnra invazioneve turke që kishin filluar të preknin këtë trevë autoktone shqiptare, ku siç shkruhet u pagua tepër shtrenjtë pasi turqit për t’u hakmarrë ngrejnë një piramidë me koka shqiptarët të vrarë.

-Viti 1432 përsëri për shqiptarët shënon një kryengritje tjetër kundër pushtimeve turke e cila mjerisht nuk kishte suksesin e kryengritjeve të tjera, megjithëse udhëhiqej nga princi shqiptar prej një dere të njohur, të Golemajve.

-Më 1434 Shqipëria Veriore çohet në kryengritje me armë në dorë kundra turqve, e kjo kryengritje udhëhiqej nga princi famëmadh Gjergj Araniti.

-Ndërsa nga viti 1443 deri në vitin 1468 shqiptarët të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shkruajnë Epopenë më të lavdishme jo vetëm të tyre, por të krejt Europës, duke bërë që për 25 vjet rresht hordhitë “verdhacake” turke të dështojnë në planet e tyre për pushtimin e Shqipërisë e Europës dhe për shkatërrimin e qytetërimeve të hershme të tyre.

E kështu shqiptarët në këto vite të stuhishme e të lavdishme zhvilluan rreth 22 beteja luftarake, ku të gjitha i fituan, ndonëse mbi ta u turrën mbi një milion ushtarë turq të pajisur me tërbimin më çnjerëzor dhe armatimin më mizor të kohës.

Nga viti 1468 deri në vitin 1479, pra mbi 10 vjet pas vdekjes së Kryeheroit, përsëri shqiptarët shkruajnë faqe lavdie duke mbrojtur truallin shqiptar nga Yryçi i ri i ushtrive turke…

-Më 1481, mbas vdekjes së S. Mehmetit II mbarë Shqipëria hidhet në një kryengritje të përgjithshme kundra pushtuesit turk, e këtë kryengritje e udhëhiqte djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti i cili ishte kthyer nga mërgimi.

-Në vitin 1488 shqiptarët bëjnë përpjekje të reja për të luftuar pushtuesin, përsëri si udhëheqës kishin Gjon Kastriotin, dallohen në këtë kryengritje, Himariotët, Suljotët e Mirditasit.

-Më 1479 përsëri një kryengritje tjetër e shqiptarëve kudnra turkut, por tashmë e ndihmuar edhe nga Republika e Venedikut.

-Në vijim të luftrave për liri, shqiptarët në vitin 1536 të ndihmuar edhe nga Papa i Venedikut,  hidhen në një kryengritje të përgjakshme kundra pushtuesit turk.

-Në vitet 1570-1571 shënohet një kryengritje tjetër e fuqishme kudnra invazorëve turq, me rastin e luftës së madhe të Lepantit.

-Më 1572 i pari Pashë shqiptar, Ibrahim Begu sundimtar i Pejës, çohet peshë me ushtrinë e tij kundra Stambollës.

-Viti 1850 i gjen shqiptarët në një kryengritje të re, madje ata shkojnë në ndihmë edhe të princit Mikel të Rumanisë që luftonte kundra ushtrive turke.

-Nga vitet 1600-1616 shqiptarët kërkojnë pesë herë ndihmën e  Venedikut për të luftuar turqit, por shteti i Venedikut thuajse hesht, ndonëse selia e shenjtë i kërkon të përkrahen shqiptarët.

-Gjithsesi shqiptarët edhe të vetëm vazhdojnë qëndresën heroike, më 1612 Janinasit hidhen në kryengritje kundra turkut, por edhe në veri më 1614 fiset e Hotit, Kuçit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit e tjerë, hidhen në kryengritje luftarake, madje ndër këto vite të stuhishme duhet të theksohen vitet 1610 e 1611, kur fiset e Malësisë së Madhe të udhëhequra nga fisi i Kelmendit e mbështetur nga fisi i Hotit e tjerë, shkruan faqe heroizmi që shkundi disi gjumin e rëndë të Europës. Përsëri fiset e Kelmendit e Hotit në vitet 1638-1639 janë në këmbë me armë në dorë kundra turqve.

-Më 1668 tërë Kosova ngrihet në kryengritje kundra pushtuesit turk.

-Më 1696 fisi i Hotit çohet peshë kundra venecianëve që kishin marrë Ulqinin, në vijim të pazareve të pushtuesit turk.

-Në vitin 1699 përsëri në veri të vendit shpërthen një kryengritje e fuqishme ku dallohen Ulqinasit, Tivarasit e Kelmendasit.

-Më 1737 popullsia e Kosovës mirëpret ushtrinë Austriake dhe bashkohet me këtë për të luftuar pushtuesin Osmanlli.

-Në vitin 1769 Pasha i Shkodrës, shqiptari Mehmet Bushatliu rebelohet ndaj Stambollit.

-Suljotët trima më 1772 detyrojnë Stambollin t’u njohë një autonomi më të zgjeruar. Viti 1786 shënon një luftë të ashpër në mes shqiptarit Mahmud Bushatliu me ushtrinë e tij shqiptare kudnra turkut që kishte rrethuar Shkodrën.

-Më 1803 shënohet një qëndresë heroike e Suljotëve trima kundër pashait shqiptar, por në shërbim të tiranisë turke Ali Pashë Tepelena.

-Në vitin 1833 kreyngritja kishte thuajse në të gjithë Shqipërinë kundër ligjit të “Ri” të Tanzimatit (Reformave).

-Përsëri në vitet 1835-1836 ka një sërë kryengritjesh nëveri të vendit, ku krerët e Shkodrës së bashku me popullsinë e tyre dhe atë të Malësisë kanë njëfarë suksesi derisa detyrojnë sundimtarin turk Osman Pashën të struket në kështjellën e Rozafës.

-Më 1837, Në Shqipërinë e Jugut, nën drejtimin e Ali Beg Fragullës zhvillohet një kryengritje antiturke.

-Viti 1839 e gjen popullsinë e Prizrenit në një kryengritje të fuqishme e cila pati një sukses të përkohshëm duke dëbuar sundimtarin turk Ismet Pashën.

-Më 1843 kemi përsëri kryengritje të fuqishme në viset shqiptare të Shkupit, Tetovës e Prishtinës.

-Në vitin 1845 hidhet në kryengritje tërë Gjakova, ndërsa në vitin 1846 kryengritja përhapet në tërë Shqipërinë Jugore, ku dallohen ato të Beratit dhe Gjirokastrës, që natyrisht turqit shkaktuan jo pak gjak e mjerim.

-Më 1849 Malësia e Madhe ngrihet në këmbë kundra Stambollit, përsëri Malësorët më 1852 ngrihen peshë kundra turkut.

-Më 1854 Shkodra fillon një kryengritje të re e cila shtypet egërsishtnga Mustafa Pasha, i ardhur nga Stambolla edhe me 10 ushtarë të tjerë.

-Në vitin 1856 shkodranët e malësorët “hakmerren” ndaj Mustaf Pashës, të cilin pasi thuajse e shkatërrojnë e detyrojnë Stambollin ta largojë nga Shqipëria.

-Më 1864 Gjakova rrokë armët kudnra reformave të shpallura nga Sulltani.

-Në vitin 1874 shënohet një kryengritje e fuqishme që përfshiu Labërinë e Çamërinë e njihet me emrin kryengritja e Kurveleshit.

-Më 1875 Dibranët hidhen në kryengritjen antiturke, të cilët si sukses kishin rrëzimin e kalasë turke të Dibrës.

-Viti 1878 shënon organizimin më të lartë “shtetëror” të krejt Shqipërisë Etnike, që njihet me emrin Lidhja e Prizrenit, nga ku u organizuan dhjetëra kryengritje me armë në dorë kundra pushtuesit të vjetër turkoshak, por edhe kundra lakmive të pushtuesve të rinj fqinj, të cilët mjerisht edhe Europa i toleronte e shpesh i ndihmonte të ndajnë si plaçkë tregu trojet tona.

-Më 1893 një kryengritje e fuqishme e tërë shqiptarëve, me qendër Shqipërinë Veriore, kundra turqve, por edhe çetnikëve të fqinjëve.

-Më 1897 kryengritja e shqiptarëve të veriut (malësorëve) në mbrojtje të tokave tona që fuqitë e mëdha kërkonin t’ia jepnin Malit të Zi.

-Më 1899 u zhvillua kuvendi i Pejës që kërkon organizimin ushtarak e diplomatik kundra lëshimit të trevave shqiptare sllavëve, të cilët përkraheshin nga Rusia.

-Më 1903 Gjakova çohet peshë kundra turqve, në këtë kohë ndodh edhe vrasja e konsullit rus në Mitrovicë.

-Më 1904 kryengritja e “Maqedonasve” shqiptarë kundër reformave dhe njëkohësisht një “lëvizje” e re për pamvarësi në Shqipërinë Jugore.

-Në vitin 1909 një kryengritje e fuqishme në krejt Kosovën kundra turqve të rinj (Xhonturqve).

-Më 1910 zhvillohet kuvendi i Ferizajve, i cili përgatit kryengritjen e përgjithshme të krejt veriut të Shqipërisë, me këtë rast kryengritësit kapin një tren ushtarak, ku pasi zënë rob ushtarët turq, u marrin armët.

-Viti  1911 shënon kurorëzimin e të gjitha luftrave e përpjekjeve të shqiptarëve për të valëvitur në tokën tonë flamurin shqiptar pas rreth katër shekujsh e gjysëm robëri Otomane, e kjo realizohet nga kryengritësit simbol të shqiptarisë malësorët trima të Malësisë së Madhe.

-Viti 1912 fillon me kryengritjen në Kosovë e kudo në Shqipëri, derisa më 28 nëntor të këtij viti nga qyteti i Vlorës shpallet mvehtësia, por edhe si simbol i kësaj ngrihet për herë të dytë flamuri kombëtar, por tashmë për të mos u ulur kurrë…

-Gjithsesi në vijim të fundit të këtij viti dhe në vitin 1913 shqiptarëve ju është dashur të përballen me ushtritë pushtuese Serbe e Malazeze dhe Greke, të cilat kërkonin të grabitnin sa të mundnin troje të Shqipërisë Etnike, që fatkeqësisht edhe Europa në konferencën e vitit 1913 ju a kishte “falur” pa iu dridhur medja e dora.

-Viti 1914 deri në vitin 1918, shqiptarët u gjendën para vorbullave që shkaktonin mercenarët shqiptarë të paguar si agjentë nga fqinjët grabitqarë, por dhe në tmerrin e Luftës së Parë Botërore, ku edhe këtu u shkruan faqe lavdie, e derdhën lumenj gjaku me pushtuesit e vjetër e të ri (Austrohungarinë). Viti 1919 dhe 1920 ishin dy momente kulmore që shqiptarët i dolën zot vetes me pushkë e në rrugë diplomatike, për të mos njohur Konferencën e “Paqes” në Paris e cila kërkonte të coptonte akoma më tej troje shqiptare. Por viti 1920 shënon edhe një organizim tjetër të lartë, civilizues e shtetformues të shqiptarëve e që njihet me emrin Kongresi i Lushnjes, i cili jo vetëm krijoi një qeveri shqiptare, por organizoi ushtarakisht shqiptarët ku shembulli më sinjifikativ është lufta e shqiptarëve kundër lakmive Serbo-Malazeze në vitin 1920, që njihet me emrin lufta e Koplikut. Gjithsesi pas kësaj kishte një farë qetësie e stabilizimi, por kjo nuk zgjati më shumë se në vitin 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Fashistët Italo-Gjerman dhe nga ky vit deri më 28 nëntor 1944 shqiptarët ishin në luftë pa pushim, ku u shkruan faqe të tjera në mbrojtje të lirisë e pamvarësisë. Fatkeqësisht këto sakrifica e ky gjak nuk u paqtuan as atëherë kur u tha se Shqipëria u çlirua (në fakt tradhëtua e pushtua simos më keq nga komunistët), dhe shqiptarëve përsëri iu është dashur të ngrihen në janar të vitit 1945 në kryengritjen e armatosur antikomuniste (të Malësisë së Madhe e më gjerë), si dhe në atë të vitit 1946 që njihet si kryengritja e Postribës. Por edhe për rreth gjysëm shekulli të mbajnë gjallë rezistencën tashmë “paqësore” kundër ideologjisë pushtuese me origjinë nga armiqtë fqinjë e cila i kushtoi jo pak mjerim e shkatërrim këtij populli ndër më të vjetrit e më europianët të vetë kontinentit. Historia e qëndresës është e gjatë sa vetë jeta jonë e trazuar në këtë pjesë të bekuar që na fali zoti të parët, por vetëm në periudhën e parë të pushtimit turk e mbas vitit të pushtimit përfundimtar nga turqit për shekuj me radhë shqiptarët zhvilluan plot edhe 100 kryengritje të tjera, ku të gjitha së bashku për një periudhë 2200 vjeçare gjithsej në këtë trevë janë zhvilluar mbi 300 kryengritje, ose më saktë çdo shtatë vjet ekzistencë, ka pasur një luftë çlirimtare e mbrojtëse të trojeve tona, qytetërimit tonë dhe shpesh edhe atij europian, i cili edhe tani mjerisht ende nuk na konsideron plotësisht, ashtu siç jemi në të vërtetë, Treva Martire që u sakrifikua paprerë për vetë Europën e qytetërimin e saj…

Ndue Bacaj