Shqipëria në fokusin e Paste Magazine/ Si po ia merr turistët, destinacioneve të tjera

TIRANE, 3 Qershor/ATSH/- Shqipëria vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave të huaja. Artikulli më i fundit i botuar për Shqipërinë si një destinacion turistik që nuk duhet humbur është ai i Francesca Masotti për Paste Magazine me titullin “The Best of Albania Takes Travelers Off the Tourism Conveyor Belt”.

Janë pesë sugjerime të blogeres italiane Francesca Massoti si vende që duhen vizituar patjetër: Tirana, Berati, Gjirokastra, Riviera Shqiptare dhe Parku i Butrintit.

“Bregdet mahnitës, plazhe të mrekullueshme, ushqim i mirë dhe udhëtim shumë ekonomik për xhepin – këto janë vetëm pak nga gjërat sipërfaqësore që mund të përshkruajnë këtë vend të Ballkanit”, përshkruhet në artikull.
Artikulli hapet me një foto të Bunkart2, një muze i hapur së fundi thotë autorja dhe shumë i vizituar nga të huajt.

BunkArt 2 është projekt i financuar nga programi IADSA, i zbatuar nga MZHETTS në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme me qëllim: “ Ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë dhe vënien e saj në dispozicion të turizmit”.

Ekspozimi videomuzeal i realizuar brenda ish bunkerit antiatomik të Ministrisë së Brendshme paraqet historinë e policisë shqiptare që nga xhandarmëria e parë e krijuar në vitin 1913, deri te policia popullore komuniste e krijuar në vitin 1945 e cila u shua bashkë me regjimin komunist në vitin 1991.

Përveç Tiranës të cilës i shtohen përditë atraksionet turistike, autorja nuk lë pa përmendur tre vendet e mbrojtura nga UNESCO, Berat, Gjirokastër dhe Butrint, si dhe rivierën e mahnitshme shqiptare..

https://www.pastemagazine.com/articles/2017/05/take-5-albania.html  /a.g/