
Edhe pse shpatet janë vertikale, në disa sektorë të tyre gjendet edhe bimësi barishtore, madje edhe drunore, si dushqe, dëllinja, frashëri, etj., që kanë mundur të kapen fort në shkëmb, duke futur rrënjët në plasaritjet e të çarat, ndërsa në zgavërimet e mureve vertikale kanë bërë fole shumë shpendë.
Vlerat e këtij monumenti janë shkencore, kulturore, ekologjike dhe turistike të rëndësisë vendore. Në disa sektorë, më pak të thellë të kanionit, mund të ushtrohen veprime praktike për të rinjtë që duan të mësojnë ngjitjet alpinistike.
Për ata që dëshirojnë sportin e aventurës skajore, do të ishte ideale zbritja apo ngjitja me litarë në muret vertikale të këtij kanioni.
Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike rurale Çorovodë–Gradec. Po këtu mund të vizitoni njëherësh edhe shpellën karstike të Pirogoshit. Këto kanione shfrytëzohen nga turistët për aktivitetet e sporteve të ujit dhe të ngjitjeve alpine. /f.c/