Shqipëria është nyje e trafikimit të kanabisit nga Afganistani, me destinacion Holandën dhe më pas Britaninë e Madhe

Shqipëria, nyje në tregun 9,3 miliard euro të drogës

Një tjetër raport ndërkombëtar zbulon Shqipërinë si kryesues në trafikimin e lëndëve narkotike. Qendra e Monitorimit Europian për Drogat dhe varësinë nga Drogat (EMCDDA) ka dhënë informacion të detajuar lidhur me ndryshimin e tregut të barit të kanabisit në Europë. Në raportin e publikuar së fundmi, thuhet se:”Shqipëria është nyje e trafikimit të kanabisit nga Afganistani, me destinacion Holandën dhe më pas Britaninë e Madhe”. Më tej nënvizohet se rreth 647 ton bar kanabis dhe 641 ton hashash u konsumuan në Bashkimin Europian në vitin 2013 dhe tregu i shitjes me pakicë ka një vlerë të përgjithshme të vlerësuar në mënyrë konservative në rreth 9.3 miliard euro në vitin 2013.

Rrjetet

Analiza e EMCDDA përshkruan se si po ndryshon furnizimi i kanabisit në Europë, në përgjigje të konkurrencës dhe zhvillimeve të tjera të tregut. Ndërsa përdorimi i hashashit në shkallë të vogël ka ekzistuar prej kohësh në Europë, tregu i madh për drogat filloi të zhvillohej vetëm gjatë viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, i furnizuar fillimisht nga Pakistani dhe Afganistani me më vonë nga Libani. Kur furnizimet e Europës u ndërprenë nga konfliktet në Liban (1975-91) dhe Afganistan (1979-89), u shënua një rritje e prodhimit të hashashit në shkallë të gjerë në Marok. Deri në fillim të viteve 1990, kanabisi maroken me cilësi të dobët (250 g) arriti pothuajse monopol mbi produktet e kanabisit në tregun europian perëndimor. Megjithatë, që nga fillimi i viteve 2000 një rritje dramatike e prodhimit të incanabisit në Europë ka çuar në një ndryshim në tregun, që tradicionalisht ka qenë në duart e krimit të organizuar, me organizatat kriminale marokene që luanin një rol qendror në importin me shumicë dhe shpërndarjen.

1200 ton

Konsumi vjetor i kanabisit në Europë llogaritet në rreth 1200 tonë për vitin 2015. Raporti thekson se grupet kriminale marokene janë lojtarë kryesorë në ofrimin e barit të kanabisit në Europë, nganjëherë në partneritet me organizatat kriminale europiane, për shembull ato holandeze dhe shqiptare. Grupet kriminale shqiptare raportohen të jenë përfshirë në tregtinë e kanabisit afgan, kryesisht në Europën Lindore dhe Qendrore dhe, nëpërmjet Holandës në Mbretërinë e Bashkuar, thekson raporti. Megjithatë, duket se Britania e Madhe gjithashtu merr hashashin afgan direkt nga Azia jug-perëndimore.