Shqipëria e nis me humbje “Euro 2016”. Kuqezintë nuk do të mjaftohen vetëm me pjesëmarrjen, sfida vazhdon

Pavarësisht një shpirti luftarak të kombëtares shqiptare, kuqezinjtë nuk mundën të barazonin shifrat në humbjen 0-1 me Zvicrën pas dy rasteve të pastra përballë me portierin të shpërdoruara nga Sadiku në pjesën e parë, dhe Gashi në fund të pjesës së dytë.

Euro-2016--Shqiperi-Zvicer-11 qershor (2) Euro-2016--Shqiperi-Zvicer-11 qershor (3) Euro-2016--Shqiperi-Zvicer-11 qershor (4) Euro-2016--Shqiperi-Zvicer-11 qershor (5) Euro-2016--Shqiperi-Zvicer-11 qershor (6) Euro-2016--Shqiperi-Zvicer-11 qershor (7)

Fillimi nuk ishte aspak i mirë për Shqipërinë, me pësimin e golit që në minutën e 5 nga Fabian Schar dhe nxjerrjes jashtë loje me karton të kuq të kapitenit Lorik Cana, i cili humbi edhe mundësinë për të luajtur ndaj Francës në ndeshjen e ardhshme të Grupit A.

Rastet nuk munguan edhe nga kombëtarja helvete, e cila rrezikoi edhe ajo disa herë portën me Seferovic, gjuajtjet e të cilit u ndaluan nga portieri Berisha, dhe goditja e shtyllës nga Dzemaili në ence.

Kjo ndeshje i dha fund raundit të parë të Grupit A, me ekipin organizator Francën që kryeson grupin e ndjekur nga Zvicra.

Është mbyllur me shifrat 0-1  përballja e Lensit Shqipëri-Zvicër, e vlefshme për fazën në grupe të “Euro 2016”-s. Shqipëria nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë debutimin historik duke u ndëshkuar në minutën e 4-t pas një goli të Shar, i cili shfrytëzoi një dalje të pasigurtë të portierit Berisha. Sikur të mos mjaftonte goli, kombëtarja u ndëshkua sërish, kësaj here nga gjyqtari i takimit që nxorri me karton të kuq (dy të verdhë) nga loja Lorik Canën. Kuqezinjtë reaguan mirë pjesën e dytë duke u hedhur  në sulm për të barazuar shifrat, por Gashi humbi një rast të artë në minutat e fundit të takimit. Franca dhe Rumania udhëheqin grupin A me 3 pikë.

***

Trajneri Xhani De Biazi ka vlerësuar paraqitjen e kuqezinjve ndaj Zvicrës, duke theksuar se humbja erdhi për shkak të emocioneve.

“Paguam shumë emocionet e minutës së parë, e herës së parë. Luajmë më mirë kur nuk kemi asgjë për të humbur. Gjëja më pozitive sot është që me 10 vetë kishim dy mundësi të arta për të shënuar gol”, u shpreh ai.

De Biazi thekson se skuadra nuk shfaqi të gjithë potencialin dhe cilësitë që ka.

“Jemi këtu për të luajtur Europianin tonë. Është hera e parë për të gjithë dhe jam i bindur që sot mund ta kishim luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnim në pah të gjitha cilësitë tona”, deklaroi ai.

***

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh në “Facebook” ku uron fitoren e kombëtares në ndeshjen e parë përballë Zvicrës.

“Edhe pak më shumë se 90 minuta nga nisja e ndeshjes së parë të Shqipërisë në finalet e një kompeticioni ndërkombëtar futbollistik…Le të urojmë që kuqezinjtë të japin në fushë gjithçka kanë dhe sido të dalë rezultati në fund, të na dhurojnë një shfaqje të denjë për mirënjohje e respekt. Forca Shqipëria!”

***

Tifozët kuqezi kanë nisur të mbushin shkallët e stadiumit të Lensit, një orë para nisjes së sfidës Shqipëri-Zvicër. Shqiptarë të ardhur nga të gjithë trojet shqiptare kanë ndezur atmosferën në rrugët e qytetit të Lensit, duke mbështetur kombëtaren në prag të ndeshjes së parë të ekipit të De Biazit. Flamujt shqiptarë, plisi në kokë, këngët e vallet, kanë krijuar një atmosferë ndryshe në rrugët e qytetit.

Një numër i madh tifozësh pritet te jetë i pranishëm edhe në stadiumin “Bollaert-Delelis”. Pak orë para fillimit të sfidës, UEFA ka deklaruar se janë shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje.

***

Faqja e UEFA-s në “Facebook” ka vlerësuar mbështetjen e fuqishme të tifozerisë kuqezi për kombëtaren, megjithëse Shqipëria ndodhej në disavantazh.

“Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mund të ketë humbur ndeshjen e saj të parë në EURO 2016, por fansat e saj nuk ndaluan kurrë së mbështeturi”, është komenti i UEFA-s, për Shqipërinë. Ndeshja e ardhshme e të besuarve të De Biazit është ndaj Francës më 15 qershor.