Shqipëri: Vdes pacienti i 18-të me COVID-19. Zbulohen 29 raste të reja

Shqipëria shënoi sot në mëngjes vdekjen e 18-të nga COVID-19 si dhe numrat më të lartë të personave të prekur nga ky virus. Një pacient 67 vjecar nga Tirana ndërroi jetë sot në Spitalin Infektiv, prej një jave i intubuar dhe në hemodializë. Ndërkaq, 216 testet e 24 orëve të fundit zbuluan 29 raste të reja qytetarë të prekur nga COVID-19. Ky është niveli më i lartë i testeve dhe numri më i lartë i të prekurve që zbulohen gjatë 24 orëve në Shqipëri. Gjithsej u bënë sot 333 raste me COVID-19 nga 2 mijë e 250 teste, ndërsa mosha mesatare e tyre është 50 vjeç. Në të dy spitalet COVID janë të shtruar 71 pacientë, pjesa më e madhe e tyre janë në gjendje të qëndrueshme.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot shërimin e mjekut të shquar Dhimitër Kraja, por edhe shtrimin në spital të mjekut tjetër të njohur Roland Xhaxho, të prekur nga COVID-19.

Të dhënat e fundit flasin për një kërcim të madh të shifrave në Shkodër, nga 22 raste dje në 31 raste gjithsej sot.

Tirana ka deri tani shifrat record prej 157 të prekur, më pas është Durrësi me 33 qytetarë të sëmurë, pastaj vijnë Shkodra dhe Fieri. 17 qytete janë të prekura nga COVD-19, kryesisht qytetet e ultësirës perëndimore bregdetare, e cila ka marrëdhënie të shpeshta me Italinë. Por nuk mungojnë as qytetet e skajshme si Hasi, Tropoja e Korça, të cilat kanë marrëdhënie përkatësisht me Kosovën dhe Greqinë.

VOA