Shqipëri: Tërmeti shkatërrimtar dhe planet për rindërtim

Pas tërmetit të 26 nëntorit mijëra vetë jetojnë ende në çadra dhe hotele. Qeveria paraqiti bilancin e pasojave dhe planet për rikuperimin e dëmit pa cënuar buxhetin. Opozita propozon anulimin e tenderave të planifikuar.

    Dhjetë ditë pas tërmetit vdekjeprurës  prej 6, 4 ballësh të 26 nëntorit , mijëra vetë jetojnë ende në çadra dhe hotele, mësimi është ndërprerë në 50 shkollat e dëmtuara në Durrës. Lezhë, Krujë dhe Tiranë dhe rrënojat ende të pa hequra në Durrës dhe Thumanë dëshmojnë përmasat e shkatërrimit dhe humbjen e jetës së 51 vetëve.

Në Durrës dhe Thumanë  ushtria po vazhdon të hedhë në erë dhjetra  godina banimi gjysmë të shkatërruara që rrezikojnë të shemben dhe shkaktojnë viktima të reja .

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama , i sapokthyer (4.11.2019 ) nga Samiti i NATO-s në Londër, paraqiti bilancin e situatës së strehimit për të mbijetuarit nga tërmeti:

“Në çadra dhe hotele janë të strehuar 12 mijë e 366 persona. Në Tiranë janë 604 godina të pabanueshme, në Lezhë 55 pallate dhe 13 institucione”, tha Rama. Në total rezultojnë 3,822 banesa dhe 461 ndërtesa me apartamente të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme.

Shembje e banesave të dëmtuara – ndërtime të reja

Tërmeti shkatërrimtar duket se hapi rrugën për ide të reja lidhur me akomodimin e banorëve të mbetur pa strehë. Ekspertët vërtetuan se banesat e meremetuara nga dëmet në tërmetin paralajmërues, dy muaj më parë, më  21 shtatorin e kaluar, nuk i rezistuan tërmetit të 26 nëntorit. Madje ato që kishin krisje muresh rezultuan fatale për jetët e njerëzve. Qeveria venosi sot t’u thotë  “jo” meremetimeve dhe “po” ndërtimeve të reja për të pastrehët nga tërmeti.

Nach dem Erdbeben in Albanien (picture-alliance/AA)

Ku do të gjenden fondet për ndërtimet e reja?

Kjo është pyetja e parë pas vendimit të qeverisë këtë të enjte (05.12).

Ursula von der Leyen, presidentja e re  e Komisionit Europian (KE) deklaroi të mërkurën (4.11) se KEdo të japë 15 milionë Euro për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit dhe se do të organizojë një konferencë donatorësh për rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti. Burime zyrtyare citojnë presidentin francez, Macron, të ketë propozuar në përfundim të samitit të NATOs , “një konferencë ndërkombëtare solidariteti për të ndihmuar Shqipërinë që të përballojë shkatërrimet nga tërmeti”.

Janez Lenarčič  – BE në krah të Shqipërisë

Komisioneri i Bashkimit Europian, (BE) për Menazhimin e Krizave, Janez Lenarčič, ndodhet sot, ( 5.11.2019 ) në  Shqipëri për të parë nga afër dëmet e shkaktuara dhe nevojat e popullsisë pas tërmetit  shkatërrues prej 6,4 ballësh të 26 nëntorit.
Lenarčič  i shoqëruatr nga kryeministri Rama vizitoi një nga qëndrat e emergjencës në Vorë, ku janë vendosur familje kryesisht nga Durrësi, Tirana dhe Kruja që mbetën pa strehë prej tërmetit. Nga kjo qendër ai rikonfirmoi mbështetjen e BE.
“ BE është në krah të Shqipërisë për ta mbështetur atë me asistencë  dhe fonde, pasi tëbëhet  vlerësim i nevojave pas katastrofës”, theksoi , Janez Lenarčič .
Disa dhjetëra milionë euro janë derdhur në llogatritë bankare të krijuara në Shqipëri  enkas për përballimin e pasojave të tërmetit nga donacionet e biznesmenëve vendas,  Kosova,  individëve dhe diasporës shqiptare nga 76 vende të botës.  Turqia ka marrë përsipër të ndërtojë 500 apartamente të reja.

Qendrimi i opozitës

Kryetari i PD dhe gjithë opozitës jashtë parlamentare i propozon kryemnistrit Rama  anulimin e disa tenderave që arrijnë në mbi 150 milion euro , që opozitas i konsideron “koncesion për oligarkët” që ato   të përdoren për rindërtimin e banesave të reja.  Por kryeministri Rama ka deklaruar se “asnjë tender nuk do të anulohet”. Por kryeministri ka deklaruar ditët e fundit se prioritetet e buxhetit 2020 nuk do të preken për të rimëkëmbur vendin nga dëmtimet e tërmetit. Ajo që do të ndodhë  ështrë rishikimi i shpërndarjes së fondeve në buxhetin e shtetit 2020, për të mundësuar ndërtimin e shtëpive të reja me një kosto prej vetëm  0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të barabartë me  7 miliardë lekë.  Gjithsesi fondi i deritanishëm i vënë në dispozicion është i pamjaftueshëm për të ndërtuar lagje të tëra të reja në  zonat e nxehta , më të prekurat nga tërmeti.

Ende nuk ka qartësi se ku do të gjenden fondet. Kryetari i Komisionit të Menaxhimit të Fondeve për post-tëmetin, ish-ministri i Finanacave, Arben Ahmetaj, bëri të ditur (4.12) në një kanal kombëtar televiziv se “deri në 31 dhjetor të vitit 2020, 80% e punës për rindërtimin e banesave dhe strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti do të ketë përfunduar. Më 1 janar 2020 fillon strehimi me bonusin e qirave në banesat prej druri në zonat rurale.

DW