Shqipëri, 4 viktima të koronavirusit në 24 orët e fundit, 243 shkon numri i të infektuarve

Katër raste vdekje nga koronavirusi u rregjistruan në Shqipëri në 24 orët e fundit, duke e çuar në 15 numrin e viktimave. Një 82 vjeçare, humbi jetën të hënën në mbrëmje. Më pas mëngjesin e të martës, u njoftua për një 62 vjeçar nga Durrësi, i cili kishte sëmundje të tjera shoqëruese. Ndërsa në mbrëmje, ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se dy pacientë të tjerë të shtruar në spitalin Infektiv kishin ndërruar jetë. “Pacienti 77-vjeçar I. B., nga Kavaja, i konfirmuar me COVID-19 po trajtohej prej 2 javësh në spitalin Infektiv, teksa ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi. 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake”, shpjegoi ministria. Rasti tjetër ishte ai i 69 vjeçarit R.P. nga Hasi “i cili është trajtuar prej 8 ditësh në spitalin Infektiv ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar). Pacienti R. P ka qenë në gjendje të rëndë shëndesore gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë”.

Nga të 15 vdekjet për shkak të koronavirusit 10 prej tyre kanë shënuar në 5 ditët e fundit, nga mbrëmja e të enjtes së shkuar, kur ndërroi jetë një 71-vjeçare me hipertension. Të premten më pas ndodhën dy vdekje të tjera: një 85 vjeçare nga Tirana dhe një 66-vjeçar nga Fieri. Të shtunën po ashtu dy viktima, një 67 vjeçar nga kryeqyteti dhe një 72-vjeçare nga Vlora dhe të dielën ndërroi jetë një 79 vjeçar nga Tirana. Katër të tjerët janë që prej mbërmjes së djeshme.

Të martën autoritetet njoftuan se janë konfirmuar pozitiv ndaj COVID 19 dhe 20 raste të reja, nga të cilat 12 vetëm nga qyteti i Durrësit, të gjithë thuajse nga i njejti rreth familjar i një person të prekur më parë. Durrësi bëhet kështu qyteti i dytë për nga numri i rasteve, me 26 të tilla. Ndërsa Tirana vijon të mbetet epiqendra e epidemisë me 129 raste, më shumë se gjysma e totalit.

Deri në mesditë “në shërbimin infektiv janë 77 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar”, bëri të ditur zëvendës-ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli. “Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52”.

Autoritetet shtetërore po zbatojnë rregulla shumë të forta për karantinën, si e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen në masë të koronavirusit.

Nga e hëna askush nuk mund të dalë nga banesa pa marrë një leje online nga policia, me itinerarin dhe qëllimin e lëvizjes jashtë shtëpisë. Ndërsa dalja e të moshuar është krejtësisht e ndaluar.

Policia dhe ushtria po ndëshkojnë dhjeëtarë këmbësorë e shoferë që shkelin rregullat e ndalim-qarkullimit.