Shpëtoi 600 fëmijë hebrenj, kush ishte Johan van Hulst, heroi holandez që vdiq në moshën 107-vjeçare

Kreu i një kolegji protestantësh në Holandë, i cili shpëtoi qindra fëmijë hebrenj nga nazistët, ka ndërruar jetë në moshën 107-vjeçare.

Johan van Hulst, i cili më vonë u bë senator në Holandë, shpëtoi mbi 600 hebrenj në Amsterdam gjatë Holokaustit.

Ai u nderua me titullin “Të drejtët midis kombeve”, një titull për personat jo hebrenj të cilët shpëtuan hebrenjtë nga masakra naziste.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nderoi Van Hulst gjatë një udhëtimi në Holandë në vitin 2012, duke i thënë atij: “Ne themi, ata që shpëtojnë një jetë shpëtojnë një univers.

Ju shpëtuat qindra universe. Unë dua t’ju falenderoj në emër të popullit hebre, por edhe në emër të njerëzimit”.

Ai i shpëtoi fëmijët gjatë detyrës së tij si kreu i një shkolle protestante e pozicionuar përballë një çerdheje që përdorej nga nazistët për të kapur fëmijët hebrenj para se t’i shpërngulnin ata në kampet e vdekjes.

Kur kishte shumë fëmijë, nën moshën 12 vjeç që ndaheshin nga prindërit e tyre nga nazistët, ata do të zhvendoseshin në shkollën e Van Hulst.

Van Hulst pastaj krijoi një “sistem inteligjent” për të fshehur disa nga fëmijët në të gjithë qytetin, shpesh duke i transportuar ato me thasë ose me shporta lavanderie.

Ai nuk i ka deklaruar ata në dokumentet që u janë dhënë nazistëve, duke i shpëtuar. Nëse do të ishin 30 fëmijë që zhvendoseshin në shkollë, ai deklaronte vetëm 25 emra.

Ai u pyet nga një inspektor nga ministria e Arsimit në vitin 1943, ndërsa ishin të survejuar nga forcat speciale naziste: “A janë këta fëmijë hebrenj”?

Van Hulst u përgjigj: “Ju nuk prisni që unë t’i përgjigjem kësaj pyetje, apo jo?”

Por inspektori i cili i dha dorën, thjesht i tha: “Në emër të Zotit, tregohu i kujdesshëm”.

Ai më në fund u detyrua të fshihej pasi një bashkëpunëtor hoqi dorë nga skema e tij në vitin 1945.

Pas luftës, ai shërbeu në senat midis 1956 dhe 1981 në Partinë Demokristiane.

Sidoqoftë, Van Hulst gjithmonë mendonte se nuk kishte bërë mjaftueshëm.

Në vitin 2015, ai tha: “Unë në fakt mendoj vetëm për gjërat që nuk kam qenë në gjendje të bëj. Për ata mijëra fëmijë të cilët unë nuk i shpëtova dot”.

Ka mbi 5,000 persona të cilët njihen se kanë kontribuar në shpëtimin e hebrenjve në Holandë, duke u renditur në vendin e dytë me numrin më të lartë pas Polonisë. Johan van Hulst vdiq më 22 mars në Amsterdam.

a.s/dita