SHPERTHIMI NE MASAÇUSTES, ANGLI/ Policia britanike arreston tre persona lidhur me shpërthimin. Shtohen masat e sigurisë

Policia britanike thotë se ka arrestuar tre persona të tjerë në lidhje me hetimin e shpërthimit të së hënës pas një koncerti në Mançester, që la 22 të vrarë. Në një deklaratë të policisë thuhej vetëm se oficerët ekzekutuan urdhërarrestet në Mançesterin e Jugut, pa dhënë ndonjë informacion se në ç’mënyrë të tre tre personat, ose një i katërt i arrestuar të martën, i identifikuar si 23-vjeçar, mund të ishin përfshirë në sulm.

Ministrja e brendshme britanike Amber Rudd tha sot se personi që kreu shpërthimin vetvrasës, i identifikuar si 22-vjeçari Salman Abedi, ishte “i njohur” për shërbimet e fshehta britanike. Ajo tha gjithashtu se “dukej e mundshme që ai të mos e kishte bërë këtë i vetëm”. Hetuesit vazhdojnë punën për të përcaktuar nëse autori i sulmit të së hënës ka qenë pjesë e një grupi më të gjerë. Mark Rowley, i cili kryeson Operacionet Policore Kombëtare kundër Terrorizmit, tha se në hetim është bërë përparim i mirë.

Ai tha se janë ndjekur një numër informacionesh, por autoritetet ende nuk mund të thonë nëse Abedi veproi i vetëm dhe kjo, tha zoti Rowley është me rëndësi kritike. Komentet e tij erdhën pas vendimit të një komisioni për sigurinë, i cili e ngriti në “kritik” nivelin e alarmit ndaj terrorizmit. Deri tani në Britani ky është niveli më i lartë i paralajmërimit, që sinjalizon se ka shumë gjasa të ndodhë një sulm tjetër dhe që mund të jetë i afërt. Ndryshimi në nivelin e paralajmërimit është i dukshëm me mobilizimin e ushtarëve për ruajtjen e disa zonave, sidomos të objekteve me grumbullime masive njerëzish si koncertet apo ndeshjet e futbollit, për të lehtësuar punonjësit e policisë.

Policia britanike tha se po përparon në zbulimin e fakteve lidhur me sulmin e së hënës në Mançester.

Policia britanike tha se hetimet rreth sulmit të së hënës në Manchester “janë duke përparuar”, por autoritetet ende nuk mund të thonë nëse përgjegjësi për sulmin ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë.

Qeveria britanike rriti shkallën e alarmit nga terrorizmi në shkallën “kritike” që është shkalla më e lartë, që përfshinë vendosjen e ushtarëve për të ruajtur zona të caktuara, përfshirë ngjarjet më të mëdha siç janë koncertet apo ndeshjet e futbollit.

Të martën, policia njoftoi se njeriu që hodhi veten në erë të hënën në përfundim të koncertit të këngëtares Ariana Grande në Mançester të Anglisë është identifikuar si Salman Abedi.

Duke folur për gazetarët të martën pasdite shefi i policisë së Mançesterit Ian Hopkins, identifikoi 22-vjeçarin Abedi si autor të dyshuar për sulmin, por nuk dha detaje të tjera. Ndërkohë ISIS-i ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist në Mançester. Të paktën 22 persona u vranë dhe 59 të tjerë u plagosën gjatë shpërthimit në të dalë të arenës ku zhvillohej një koncert. Shpërthimi ndodhi në hollin e Manchester Arenës, që ka një kapacitet prej 21 mijë vendesh, në përfundim të një koncerti të këngëtares amerikane të muzikës pop, Ariana Grande.

Videot nga koncerti tregojnë mijëra pjesëmarrës, shumë prej tyre vajza të moshës së re, që me klithma përpiqeshin të dilnin nga godina.

“U ndezën dritat në mbyllje të koncertit dhe të gjithë po ngriheshin për të dalë, kur papritur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. U lëkundën të gjitha poltronat dhe njerëzit filluan të vraponin, ndërsa bërtisnin dhe qanin. Ne kërkuam daljen më të afërt”, thotë Sophie Ëalker që ishte ndër spektatoret e koncertit.

Prindër të shqetësuar që patën sjellë fëmijët në koncert, ishin mbledhur në rrugët rrotull duke pritur. Kryeministrja britanike Theresa May konfirmoi të dhënat paraprake të policisë së Mançesterit se një sulmues vetëvrasës shpërtheu një paisje të improvizuar në një nga hollet dalëse të arenës. Ajo e quajti sulmin ndër më të rëndët që ka përjetuar Britania.

“Të gjitha aktet e terrorizmit janë akte burracakërie ndaj njerëzve të pafajshëm. Por, ky sulm i tmerrshëm spikat për shkak se pati si objektiv fëmijë dhe të rinj të pafajshëm dhe të pambrojtur, që donin të shijonin një nga netët më të bukura të jetës së tyre”, tha Kryeministrja May.

Kryeministrja britanike tha se hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse sulmuesi veproi i vetëm apo si pjesë e një grupi.

Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi sulmin gjatë vizitës në Bethlehem, përkrah Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

“Ofrojmë solidaritetin tonë absolut për popullin britanik. Kaq shumë të rinj të bukur dhe të pafajshëm që shijonin jetët e tyre, u vranë nga dështakë keqdashës. Nuk do t’i quaj përbindësha, pasi do t’u pëlqente ky term. Do mendonin se është emërtim i madh. Këtej e tutje do t’i quaj dështakë, pasi të tillë janë”, tha Presidenti Trump.

Këngëtarja Grande nuk u lëndua gjatë sulmit. Ajo shkroi më pas në twitter për të shprehur pikëllimin dhe për të ngushëlluar familjarët e viktimave. Kryeministrja May dhe kreu i opozitës Corbyn pezulluan aktivitetet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 qershorit. Departmenti amerikan i Sigurisë njoftoi se po monitoron situatën dhe se nuk ka aktualisht ndonjë kërcënim specifik për koncerte që zhvillohen në SHBA. VOA