Shpërthen zemërata e popullit ndaj qeverisë së taksidarëve. Rruga e Kombit, protesta kundër taksës presipiton në përpasje me policinë

Protesta e qindra qytetarëve të Kukësit, të cilëve u janë bashkuar dhe të tjerë nga Kosova, kundër vendosjes së taksës për kalimin në Rrugën e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, është kthyer në një përleshje të dhunshme me policinë ndërsa u është vënë flaka sporteleve të sapongritura për pagesën e taksës.

Manifestimi nisi i qetë ndërsa një kordon i forcave të policisë ishte vendosur përballë protestuesve për të penguar avancimin e tyre drejt sporteleve. Situata është acaruar ndërsa drejt kabinave të ngritura për pagesën e taksës nisën të fluturonin gurë e sende të forta, të cilat prekën edhe forcat e Rendit. Këto të fundit u përgjigjën me shkopa gome, për të sprapsur protestuesit të cilët mundën të përparonin, duke i vënë më pas flakën sporteleve.

Mësohet se nga përplasjet e dhunshme ka patur të plagosur si nga rradhët e protestuesve ashtu dhe të policisë, ku janë lënduar 12 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe Drejtori i Policisë së Kukësit Perlat Vatoci, i cili ka përfunduar në spital për mjekime.

Bllokimi i rrugës çoi në radhë kilometrike të automjeteve që prisnin të kalonin. Por vetëm pas orës 14, protestuesit vendosën të largoheshin, duke bërë të mundur që të rinisë qarkullimi.

Në një postin në Facebook, kryeministri Edi Rama theksoi se “dhunë barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!”. Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se “Protesta e sotme, tregon se durimit i ka ardhur fundi. Sot, qytetarët vendosën t’i thonë ndal dhunës së Edi Ramës. Qytetarët sot i treguan Edi Ramës, se një qeveri antipopullore dhe antikombëtare nuk e mposht dot popullin. Në emër të opozitës i kërkoj Edi Ramës të pezullojë menjëherë tarifën e “Rrugës së Kombit””, deklaroi zoti Basha.

Për ngjarjet e dhunshme u prononcua dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Manifestimi i presupozuar paqësor, u shndërrua menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kundër pasurisë publike dhe asaj private. Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit”, u shpreh ai duke nënvizuar se “Policia e Shtetit në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private. Kush nxit dhunën dhe anarshin do të marri përgjigjen e merituar ligjore!”, paralajmëroi zoti Xhafaj.

Vendosja e taksës e cila fillon nga 2.5 euro për motorrët deri në 22.5 euro për mjetet e rëndë, u aplikua nga kompania private e cila ka fituar të drejtën e mirëmbajtjes së rrugës, por ajo është kundërshtuar me forcë nga qytetarët por dhe bizneset që veprojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës.