Shpërthen Berisha: Përjashtimi i Topallit dhe Patozit nga Basha të pamotivuara!

Revolta e kotë, apo e pavlerë e Sali Berishës?!

Nga Herion Mesi

Rikthimi i bujshëm i Fatos Nanos javën e shkuar i cili foli për (a) moralin politik shqiptar, duke nënvizuar fort tek mosmirënjohësit, duket se e ka ngjallur nervin e reagimit, për të mos thënë ndjenjën e xhelozisë, të ish-kundërshtarit që do të kthehej me kalimin e kohës edhe një mik i tij, Sali Berishës. 
Lideri historik i PD-së u kujtua pasditen e sotme të komentonte gjithçka ka ndodhur përgjatë këtyre muajve në partinë që ai ia besoi Lulzim Bashës 4 vite më parë. E për këtë të fundit nuk i kurseu kritikat dhe kundërshtitë e tij, jo vetëm atij por gjithë njerëzve të ngushtë që ai ka përfshirë në parti. 
Por pse sot flet Sali Berisha? Pse nuk foli kur Basha dhe Rama në ndërrimin e datave të 17-18 majit, me qirinj në dorë, firmosën paktin errët që u prezumua se i dha fund krizës politike së atyre muajve. Dikush mund të thotë: Nuk mund të ndërhynte Berisha në mes të një procesi. Por pse nuk foli Berisha kur aleatët e së djathtës nisën të dilnin të zhgënjyer nga zyra e Bashës, i cili disa nuk i përfshiu fare në listën e kandidatëve, e disa të tjerëve u ofroi një vend që humbja ishte më se e sigurt? Por pse nuk foli Berisha kur qëndrestarët e parlamentit “të inkriminuar” të legjislaturës së shkuar nuk u përfshinë fare dhe me një të rënë të lapsit u fshinë nga Basha? Edhe për këtë sërish disa mund të thonë: Nuk mund të fliste Berisha, pasi nuk donte të demotivonte demokratët që një muaj më vonë do i drejtoheshin kutive të votimit, pas maskaradës që ndodhi me çadrën tremujore në sheshin para Kryeministrisë. Por pse nuk foli Berisha kur Lulzim Bashës i duhej kujtuar rezultati katastrofal i arritur nga një forcë politike në periudhën post-komuniste dhe për këtë dikush dhe me shumë se askush duhej të merrte përgjegjësitë e tij vetë Lulzim Basha? Pse nuk foli, por tha që kjo ishte një vendimmarrje personale e kryetarit, pasi Statuti i PD-së nuk e ka të sanksionuar dorëheqjen? 
Sali Berisha foli sot, në kohën kur në parlament është deligjitimuar kauza e rifillimit e PD-së, ajo e betejës kundër komunistëve në Kuvend. I tradhtuar nga “demokratët” e Bashës, Berisha prej së dielës ka nisur të tregojë dhëmbët, dhe këtë e bëri më së miri edhe pak orë më parë. Por kujt i hyn në punë kjo? Dje në Kuvend, kur kryeparlamentari i zgjedhur nga PD-ja, Gramoz Ruçi, i ndërpreu fjalën me argumentin e respektimit të Rregullores së Kuvendit, nga i gjithë grupi parlamentar i vetmi që u shfaq në krah të tij ishte Flamur Noka. Sali Berisha për herë të parë, ndoshta, ishte vetëm, ose pa mbështetje. Dhe me shumë gjasë në atë moment do i ketë ardhur ndër mend koha jo shumë e largët, kur Kuvendi drejtohej nga Ilir Meta, dhe grupi demokrat ngrihej i gjithi në këmbë sa herë dikush i ndërhynte atij në kohën e që ai mbante fjalime. 
Sali Berisha mesa duket dje e ka ndjerë nga afër frikën që PD-ja nuk është më nën kontrollin e tij. Dhe kjo duket se është arsyeja që ai sot zgjodhi të flasë, zgjodhi të reagojë, zgjodhi të sulmojë, ashpër dhe pa mëshirë, Bashën dhe ithtarët e tij. Berisha foli dhe mirë bëri, se ka ardhur koha të flasë dhe të rrëfejë ndoshta gabimin e tij, duke vendosur në krye të partisë më të madhe të opozitës një lider që nuk frymëzon, që nuk arrin dot të bindë elektoratin tradicional të dalë e të votojë, një lider që asnjëherë nuk merret seriozisht. Por revolta e Berishës është e kotë, pasi nuk i shërben askujt, as vetë PD-së. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, se tani ka përfunduar gjithçka: Gramoz Ruçi (kauza e rifillimit të PD-së) është sot kryetar legjitim i Kuvendit dhe që me votëbesimin e PD-së ka të drejtë t’ia mbyllë gojën Berishës kur ai e tepron me kohën; Edi Rama sot zhvilloi mbledhjen e tij të parë të mandatit të dytë si kryeministër, mandat të cilin e fitoi edhe falë kontributit të vyer të Lulzim Bashës, i cili e humbi rastin për të rikthyer besimin e njerëzve tek e djathta me marrëveshjen e 18 majit. 
E pra, Berisha u rikthye sonte, por është shumë vonë. Sepse tani nuk kemi as zgjedhje politike, e as zgjedhje në PD, dhe deri në zgjedhjet e ardhshme mesazhet e sotme të tij do të jenë futur në arkivën e madhe të harresës, ndërsa në publik, lideri historik i PD-së do ketë alibinë se ai ka reaguar për të gjitha gjërat që ndodhën në PD. Atëherë pse e bëri sot? Dhe përgjigja më e mirë do vijë nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili nuk duhet të bëjë asgjë më shumë se sa të mirë-menaxhojë heshtjen për deklaratat e sotme të paraardhësit të tij.

 

Intervista e Sali Berishes

I ftuar në emisionin ‘Fakt’ të Cim Pekës, ish kryeministri Sali Berisha ka folur ndër të tjera edhe për listën e kandidatëve për deputetë të PD-së. Sali Berisha tha se konsideron të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista sic është largimi i Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit. Berisha tha se lista nuk kaloi në forumet e partisë dhe se Basha nuk e ka pyetur për listën. Po ashtu, Berisha komentoi edhe atë çfarë ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar pas rrjedhjes së të paktën 2 votave në zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Berisha tha se raportimet e medieve kanë qenë korrekte, por interpretimet kanë qenë absurde. Fillimisht Berisha tregon çfarë i dha deputetit Ervin Salianji të cilit nuk ia përmend emrin. “Raportimet ishin pak a shumë korrekt, përveç interpretimeve absurde. Ai ishte një diskutim në mbledhje të grupit, nga më të rëndomtit. Ishte bërë një deklaratë, ose dy deklarata më saktë. Një deputet tha që “unë kam bindje”, dhe “unë ja besoj plotësisht”. A mund ti thuash gjë tjetrit kur thotë se “unë kam bindje”? Si thua dot. “Unë kam bindje” – tha – “se kanë ngatërruar numrat dhe unë i besoj plotësisht”. Ky variant krijonte një problem. Sepse e zhvendoste çështjen nga ata që tradhtuan tek Ulsi Manja dhe komisioni. Por ne nuk mund ta zhvendosim fokusin nga ata që na tradhtuan”- th ai. Berisha tregon edhe çfarë ndodhi me zëdhënësen e Grupit Parlamentar, Grida Duma e cila përpara mbledhjes bëri një deklaratë në rrjetet sociale se votimi në parlament ishte manipuluar. “Grida Duma është zëdhënëse e grupit. Këtu ndalemi. Zëdhënësja e grupit nuk mund të bëjë asnjë deklaratë pa miratimin e grupit. Ky është standardi! Ky ishte qëllimi im. Nuk e kanë kuptuar fare. Standardi është ky, zëdhënësja e grupit është zëdhënëse e mbledhjeve të grupit. Full, Stop”,tha Berisha.

  1. Berisha, ditën që Basha bëri publike listën e tij, unë kam bërë një analizë me titullin ‘Ik nga ajo listë Sali Berisha’. Argumenti është fare i thjeshtë. Nëse ka pasur parti politike në Shqipëri që ka histori kriminale është PS. Nga fillimi e deri më sot kjo parti nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj dhe në formën elektorale i ka dhënë rezultat. Nëse ka parti politike në Shqipëri e cila trashëgiminë e saj ka lirinë, së bashku me gabimet që bëhen është PD. E gjithë lista e Bashës, përjashtuar Sali Berishën është një listë për të fshirë historinë e PD, e kundërta, lista e Edi Ramës është për të promovuar historinë politike të Partisë së Punës. Si e ka ndjerë veten Sali Berisha kur e ka parë veten në këtë listë?

Absolutisht, unë e kam theksuar që atëherë që unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe i konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista. Kam theksuar që atëherë se kjo është listë e kryetarit, për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike. Lista janë të partisë, kjo realisht ka qenë listë e kryetarit se nuk kaloi në forumet e partisë. Dhe nëse kjo listë fiton unë kam deklaruar se do ta duartrokasim në mënyrë të zjarrtë. Tani, çdo njeri tjetër në Shqipëri, përveç Çim Pekës mund të thotë se ‘ti nuk ke besuar se do të fitojë’. Njeriu që nuk mund ta thotë këtë është Çim Peka, po të ketë parasysh një bisedë që bëmë me hapjen e fushatës në Fier, e cila me aq sa unë di të vlerësoj fushatat, ishte një hapje e shkëlqyer dhe në vlerësimin tim, nëse fushata do të ruante atë trend Lulzim Basha do të arrinte të kapërcente problemet e krijuara dhe do të elektrizonte elektoratin shqiptar. Nuk jam paragjykues. E kam thënë atëherë që nëse fiton do ta përshëndesim në mënyrë të zjarrtë. Po humbi, ka përgjegjësinë më të madhe personale. Sigurisht e kam theksuar se jo e tërë përgjegjësia ishte vetëm e tij. Nuk do shërbente nëse do thuhej kjo. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, por më kryesorja është e kryetarit. Thoni se kam shkruar se Sali Berisha duhej largohej..! Jo. Pse? Sepse nuk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Kështu që unë pozicionin tim, e kisha ridimensionuar me kohë. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam vlerësues dhe falenderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe mbetem në marrëdhënie miqësore me ta pa asnjë diskutim. Pastaj kur vjen problemi se unë të lista e atyre apo ata te unë është çështje tjetër.

Kjo është e vërtetë që nuk keni qenë në listën e tyre, por ata në listën tënde. Por në vitin 1999, kur një pjesë e mirë e PD-së linin teserën e PD-së në ambasadat në Tiranë dhe siç shkruante edhe shtypi në atë kohë që edhe kundrejt apartamenteve të ndryshme e të shikosh sot se të gjithë janë në krahun e Lulzim Bashës, janë kthyer nga PD-ja dhe Jozefina Topalli, e cila ishte e vetmja ndoshta e peshuar në flori nga ambasadorë të ndryshëm që të ju tradhtonte në 1999, ju mbajti. Si ndihet Sali Berisha sot?

Edhe një herë e theksoj se kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do të më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo. Por duhet të dimë një gjë, se çdo njeri bën listën që mendon. Problemi thelbësor i kësaj liste është që kjo nuk kaloi në forumet e partisë, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë. Çfarë ndodh sot? Ka një armiqësi shumë të egër dhe që uroj të zbutet, për faktin se kryetari e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë. Ata nuk i hoqi partia dhe forumet e partisë, se ata  ndoshta mund dhe të hiqeshin nga forumet e partisë, nuk e dimë këtë, por ata i hoqi personalisht kryetari. Në këtë rast cili është apeli im për ta? Apeli im është, dakord, ky është një gabim për mua i papranueshëm që ju jeni hequr nga listat pa forumet. Megjithëatë, me të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëndrimet politike mendoj se duhet tju udhëheqin interesat e PD-së. Sikundër kryetari mendoj se duhet të ketë një sens përgjegjësie, vetëdije se këta njerëz u hoqën direkt prej tij, jo nga forumet. Pra këta kanë një kauzus ndaj tij dhe duhet të gjejë mënyrën për ti zbutur, për të arritur drejt një situate tjetër. PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash të gjitha këto së bashku.

A ka biseduar me ju para se të bënte publike listat, a ka dhënë ndonjë shenjë Lulzim Basha se këto figura kryesore nuk do të jenë më në listën e tij?

Jo nuk më ka dhënë një shenjë të tillë. Unë me Lulzim Bashën nuk kam biseduar për listën dhe nuk kam ndjerë absolutisht keqardhjen më të vogël për këtë. Pse? Nuk kam dashur të bisedoj. Unë i mbahem strikt asaj, më pyeti i jap mendimin siç e kam vetë. S’më pyeti, unë nuk flas.

Ka një propozim nga një pjesë e kryesisë së PD-së që kërkojnë ndryshime të rëndësishme në statutin e PD-së, për të rikthyer kompetencat tek institucionet dhe jo për ta kthyer në pronë të pronarit. Cili është gjykimi i Sali Berishës?

Gjykimi i Sali Berishës, që ja kam shprehur dhe kryetarit dhe këtyre., është se ndërhyrjet në statut janë të domosdoshme. Ndonëse duhet të them që statuti ka nene që janë shkelur. Për të shmangur të gjitha këto, unë gjykoj se palët duhet ti bashkojnë ndryshimet statutore. Në bisedat që kam patur kam gjetur gadishmëri të plotë tek kryetari i PD-së, edhe tek të tjerët. Unë gjykoj se kjo është një rrugë me interesin më të madh për të gjitha palët për t’a kapërcyer këtë krizë të PD-së. Në këtë rrugë çdo palë duhet të lëshojë diçka, në emër të një perspektive të partisë dhe të vetë politike. Çimi unë gjithnjë më ka rastisur të takoj politikanë nga Shqipëria, nga Kosova, nga të gjitha anët, që ishin shumë të zemëruar në shkallën më të lartë me kryetarin, por unë ju kam rikujtuar një gjë: Problemi është investimi yt. Njerëzit që kanë investim politik, ata duhet të kujdesen mbi të gjitha për investimin e tyre politik. Po të marrësh disa prej bashkëpunëtorëve të mi, të marrësh se çfarë kanë shkruajtur ndaj meje, mund të bësh vëllime, por unë përsëri i kam pranuar ata  plotësisht pikërisht mbi bazën e investimit të tyre politik, dhe kam qenë i kënaqur që ata po kthehen në investimin e tyre politik. Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë politikanët që të kthehen në investimin e tyre politik dhe të gjejnë një gjuhë, nëpërmjet kompromiseve të shkojnë drejt një perspektive të re.

Një pikëpyetje e madhe është takimi i gjatë i Lulzim Bashës me Edi Ramën, mbi 3 orë. Deri në këtë moment është një takim jo transparent. A ju ka thënë Lulzim Basha, a është konsultuar me ju, para apo pas takimit se çfarë ka biseduar. Ju a jeni në dijeni se cila është marrëveshja afatgjatë, sepse Rama flet për marrëveshje afatgjatë. Deri ditën e zgjedhjeve keni thënë që është një marrëveshje uin-uin.

Po e kam thënë dhe e saktësoj se çfarë ishte. E kam thënë me bindje të thellë. Së pari, a më ka thënë Lulzim Basha që do të bëj takimin? Absolutisht jo, por jam i bindur në mënyrë të prerë se ai nuk ka shkuar atje i paralajmëruar se do të bëjë takimin sepse Edi Rama nga Elbasani tha se nuk po marr pjesë. Nuk di të kenë komunikuar, nuk kam pasur dijeni. Pas takimit më ka thënë dhe për hapin e tij për të pranuar çfarë ishte kërkuar dhe pak më shumë biles. Në rrafshin politik ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer. Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Sepse të arrije, t’ia rrëzoje gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkaloje çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte. Nga ana tjetër e kam thënë dhe e them, Edi Rama shpëtoi lëkurën e vet dhe aty bëri mirë. Pavarësisht se ai për mua është ashtu siç është, përsëri ai aty tregoi një kuant politikani dhe shpëtoi lëkurën e tij. Ky ishte vlerësimi. Marrëveshja, ky sukses i madh u kthye në të kundërt nga Edi Rama, ky ishte problemi. Ai mori të gjitha avantazhet e marrëveshjes. Ai paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha.

Do t’ju bëj një pyetje por do të ju kërkoja jashtë çdo kostumi politik një përgjigje të sinqertë: Vërtetë mendoni se PD-ja me Lulzim Bashën kryetar mund të vijë në pushtet?

Unë nuk paragjykoj asnjë njeri. PD-ja ka pësuar një humbje të hidhur shumë. Unë besoj se Lulzim Basha ka të gjitha mundësitë të studiojë për të fituar, të studiojë gjithçka. Solli këtë humbje dhe të adaptojë një model që të çon drejt fitores. A e përjashtoj unë këtë?! Jo, nuk e përjashtoj. Sepse mundësia e ndryshimit është e çdo drejtuesi dhe se ndryshimi gjithmonë ka dhënë. A do ti realizojë këto Lulzim Basha është në dorën e tij.