Shkrimtari Frederick Forsyth: Ksenofobia dhe politika e egër, të këqiat e kohës sonë

Screen Shot 2016-06-17 at 13.39.52“Vepër e një të marri, në kohë ksenofobie të përhapur dhe një politike që e ekzagjeron për të patur të drejtë”. Kështu Frederick Forsyth, shkrimtar, autor i shumë trillerave dhe ai vetë agjent i shërbimeve të fshehtë britanikë, siç e ka zbuluar së fundmi në biografinë e tij, “I jashtmi – romani i jetës sime”, e gjykon sulmin fatal ndaj deputetes laburiste Jo Cox. “Sigurisht që nuk mund t’i ngarkohet përgjegjësia për një veprim të tillë, atyre që bëjnë fushatë për daljen e Britanisë, por një klimë politike e ekzagjeruar dhe e egërsuar, i acaron njerëzit kudo, jo vetëm në vendin tonë”, thotë shkrimtari për të përditshmen italiane, La Repubblica.

Z. Forsyth, çfarë mendoni për këtë histori të shëmtuar?

Duket vepër e një të marri, një i çmendur vetmitar dhe fatkeqësisht bota është e mbushur me të tillë. Cilatdo qofshin arsyet e tij, episodi ka dinamikën e një veprimi spontan, irracional, të pakontrollueshëm. ASgjë e organizuar.

Thonë se ka thirrur “Britain first” (Britania e para), ndërkohë që qëllonte.

Ato fjalë nuk e bëjnë një patriot, kjo është  esigurtë. Tregojnë vetëm që ksenofobia është një e keqe gjithnjë e më e përhapur. Ka ekzistuar gjithmonë, por në kohë pasigurie ekonomike, frike nga e reja, është rritur sikur të jetë një valvul shkarkimi. I huaji, imigrant apo jo, shihet si armiku: ndodh në vendin tonë, por jo vetëm, është një fenomen i pranishëm në të gjithë Europën, në nivel politik dhe jo vetëm, mjafton të mendosh për episodet e dhunës së ditëve të fundit mes huliganëve të shteteve të ndryshme në europianin e futbollit. Jetojmë në një botë të globalizuar dhe shumëetnike, e megjithatë, apo ndoshta pikërisht prej kësaj, urrejtja ndaj të ndryshmëve është shndërruar në të keqen e epokës sonë.

Asnjë përgjegjësi nga ana e fushatës për Brexit? Edhe prej aty janë nisur thirrje kundër të huajve.

Ai që thërret është vetëm Nigel Farage, udhëheqësi i Ukip, një parti e cila e ka shndërruar ksenofobinë, pothuaj në një flamur. Rryma e partisë konservatore që përpiqe për një dalje nga BE kufizohet të thotë se është e pamundur të vazhdohet të pranohet një imigrim pa kontroll. Ka patur ekzagjerime nga të dy palët, Kryeministri Cameron ka folur madje për rrezik për Luftë të Tretë Botërore në rast se votohet për Brexit. E gjithë kjo është e papërshtatshme, të jep një ide se si debati politik ka rënë për nga niveli edhe tek ne, që mendonim se ishim më seriozë se sa të tjerët, por është një gjë t’i mëshosh populizmit, dhe krejt tjetër gjë të ndihesh përgjegjës për një fakt tragjik si ky.

Mendoni që vdekja e Jo Cox mund të ndikojë në fushatën për referendumin?

Shpresoj që jo, sepse nuk do të ishte e drejtë të merrej një vendim kaq i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, mbi bazën e një gjesti të një vrasësi të çmendur. Por të dy palët bënë mirë që pezulluan fushatën në shenjë ngushëllimi. Jemi të gjithë të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Të shpresojmë që, kur të rifillojmë të flasim për politikë, ta bëjmë të gjithë me një ton më paqësor.

Fakti që një politikan mund të sulmohet dhe vritet në këtë mënyrë, në mes të ditës, duhet të shtyjë për më shumë masa sigurie?

Nuk ka asgjë që mund të sigurojë politikanët apo këdo tjetër nga sulme të tillë. Nuk mund të heqim dorë nga liria jonë, as edhe të vendosim nga një polic me armë në çdo qoshe rruge. As terrorizmi, as të çmendurit e izoluar, nuk duhet të na bëjnë të humbasim zakonet tona demokratike. Dhe kjo vlen mbi të gjitha për politikanët, që duhet të rrijnë mes njerëzve, jo të izoluar në pallatet e pushtetit. Duke ndjekur shembullin e Jo Cox, që vdiq duke bërë punën e saj./ Në shqip nga bota.al