Shkodra, e rrethuar prej 7 muajsh nga Malazezët, kishte rënë… më 23 Prill 1913

Më 23 Prill 1913 mbasdite, një telegram që mbërriti në zyrën e Postë Telegrafës së Vlorës, njoftonte Ismail Qemalin se Shkodra, e rrethuar prej 7 muajsh nga Malazezët, kishte rënë. Telegrami vinte nga Tirana dhe nuk jepte më shumë hollësi. Ai ishte një kopje e telegramit që Komandanti i Shkodrës, Esat Pashë Toptani i kish dërguar Konsullit të Përgjithshëm të Italisë në Shkodër, Karlo Mançineli Skotti:
“Qysh prej 7 muajësh fortesa e Shkodrës, pa marrë asnjë farë ndihmë nga askush rezistoi me gjithë forcat e saj. Sot me keqardhje, rezervat ushqimore ekzistuese në fortesë mjaftojnë për të ushqyer trupat vetëm për një ditë. Meqenëse punët qëndrojnë kështu, i bindur plotësisht se përveç dëmeve të tjera për qeverinë e për vendin nuk mund të përfitoja gjë, gjer sonte në mbrëmje, në bazë të kushteve këtu të bashkëngjitura, po ja lëshoj llogoret milicisë malazeze e po nisem për Tiranë. Ju vë në dijeni se qysh prej ditës së nesërme, qyteti do të kalojë nën administrimin e qeverisë malazeze
Valiu Administrues e komandant i trupave Osmane
Esat”