Shifrat zyrtare nga Shqipëria, shkon në 12 numri i të prekurve nga koronavirusi

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zbulimin edhe të dy rasteve të reja të prekur nga koronavirusi. Ato dolën gjatë 43 testimeve të reja në 24 orët e fundit.

Njëri prej tyre është i lidhur me Rastin 1 të identifikuar me koronavirusin e ri, ndërsa rasti tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjeçar) me histori udhëtimi me Italinë. Të dy rastet e reja janë në vetëizolim dhe në gjendje të mirë shëndetësore” – tha në konferencën e rregullt zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Deri tani janë testuar 157 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 12 persona që kanë rezultuar pozitiv. Katër prej tyre (dy në Tiranë, një në Lushnje dhe një në Durrës) janë raste të shkëputura nga njëri tjetri, por të gjithë me histori udhëtimi në Itali, ndërsa 8 të tjerë janë të lidhur me rastin e parë të identifkuar mbrëmjen e së dielës. Tre prej të prekurve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Një prej tyre është e izoluar në spitalin e Durrësit, në terapi intensive por në gjendje të stabilizuar. prej personave të prekur me COVID-19 pozitiv janë në vetizolim, pa shenja klinike të infeksionit respirator. Në vetëkarantin janë edhe 104 persona, të cilët kanë qenë në kontakt me persona të identifikuar me COVID.

Në dy ditët e fundit, Shqipëria ndërmori masa të forta shtrënguese, menjëherë pas zbulimit të rasteve të para.