Shifra alarmante, Ministri për Diasporën, Pandeli Majko: 5 mijë shqiptarë të burgosur jashtë vendit

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko gjatë një tryeze mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit zbuloi se rreth 5 mijë persona ndodhen në burgjet apo në ambiente paraburgimi në Evropë.

Sipas Majkos mendohet se më shumë të dënuar apo të paraburgosur shqiptarë ka jashtë vendit sesa brenda tij.

Sipas statistikave, në Greqi janë 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur nga të cilët 100 në paraburgim, në Gjermani 768 shtetas shqiptar të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë, në Austri 52 shtetas të burgosur apo në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017.

Fjala e plotë e Ministrit Pandeli Majko dhe problematikat e ngritura prej tij

Dy anët e medaljes së diasporës

Klisheja se Diaspora përfaqësohet vetëm nga suksesi duhet ndryshuar. Në diasporë bëjnë pjesë edhe ata që për arsye të ndryshme, kryesisht të ndodhur në kushtet e mbijetesës kaluan kufijtë e ligjit në vendet pritëse. Ata ndodhen të dënuar në kushtet e mungesës së lirisë por kjo nuk i përjashton përkundrazi diskuton përgjegjësinë e shtetit karshi tyre. Shqipëria sot është më shumë se një sipërfaqe, gjysma e popullsisë sonë jeton përtej kufijve dhe ne kemi përgjegjësinë t’u përgjigjemi nevojave të bashkëkombasve tanë kudo që ata ndodhen. Përballë shifrave në rritje të emigracionit, përballë një shoqërie globale dinamike dhe komplekse, indiferenca është paaftësi. Problemet e Diasporës janë edhe tonat, ne nuk mund të mbyllim sytë dhe veshët para tyre. Jashtë vendit jeton një pjesë cilësore e kombit, ata janë intelektualë, artisë, sipërmarrës dhe të rinj të talentuar që janë kthyer në burim krenarie edhe për vendet pritëse. E ndërsa na pëlqen të mburremi për atë që dua ta quaj pasuria jonë përtej kufijve nuk mund të mos interesohemi edhe për pjesën tjetër, ata për të cilët nuk mund të mburremi por që pa dyshim kanë shumë nevojë për ne.

Rreth 5000 të burgosur shqiptarë jashtë

Shtetasit shqiptar të privuar nga liria jashtë vendit nuk janë pak, veçanërisht në vendet fqinje ku përqendrohen komunitetet më të mëdha shqiptare. Mendohet se më shumë të dënuar apo të paraburgosur shqiptarë ka jashtë vendit sesa brenda tij. Sipas statistikave, në Greqi janë 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur nga të cilët 100 në paraburgim, në Gjermani 768 shtetas shqiptar të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë, në Austri 52 shtetas të burgosur apo në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017.

Administrata shqiptare në gjumë, të burgosurit viktima të avokatëve

Ekzistojnë shumë instrumente juridike ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut por shumica e të dënuarve jashtë vendit nuk i njohin ato. Ata shpesh janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen. Debati për këtë çështje nuk mund të shtyhet më. Ky aktivitet përbën një fillim të një aktiviteti të përvitshëm me përfaqësues të politikës dhe ekspertë për të folur mbi mënyrat dhe rrugët sesi do ti përgjigjemi nevojave të njeërzve që vuajnë dënimin jashtë vendit. Qasja ndaj informacionit është një e drejtë themelore shumë e rëndësishme. Do të duhet të konsideronim mënyrat më të thjeshtëzuara në rrugët e ofrimit të informacionit bazë dhe organizimit të një komunikimi të rregullt me këtë kategori sociale edhe në diasporë. Administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën, një pjesë e saj vepron mbi parimin se detyrimet e saj të shërbimeve me qytetarët kufizohen mbi taksapaguesit që jetojnë në territorin e vendit.

Pika kontakti për personat e privuar nga liria

Një komb që jeton i shpërndarë në një hapësirë të pa kufizuar nga konceptet e sovranitetit të një shteti duhet të ri shpikë vetëveten. Pranoj pyetjen dhe ironinë se pse do ta fillojmë me të burgosurit këtë? Përgjigja është e thjeshtë, nëse nuk do të jemi njerëz karshi atyre që kanë më shumë nevojë nuk mund të bëhemi dot përfaqësues të interesit shtetëror jashtë vendit. Falë një bashkëpunimi me Kryqin e Kuq, Ministrinë e Drejtësisë dhe eksperiencën e MPJ kemi filluar një punë paraprake. Në këtë drejtim krijimi i një liason officer për këtë qëllim është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që do të shërbejë si pikë kontakti për personat e privuar nga liria jashtë vendit. Vendosja e tyre fillimit në Itali dhe Greqi, do të jetë një model fillestar për të verifikuar funksionimin e tyre.

Si ndryshoi Majko përceptimin për drejtuesen e Konsullatës

Aktualisht e gjithë ngarkesa aktuale  e kësaj çështje e zhvendos gjithë barrën e saj tek Ambasadat tona jashtë vendit. Kam pasur një rast perceptimi të gabuar për profesionalizmin e drejtueses së një konsullate shqiptare në një vend fqinj, mu desh ta rishikoja opinionin tim për të që në momentin që ajo më tregoi se në çantën e saj të punës kishte lista të sakta të të burgosurve shqiptarë të cilat i rifreskonte rregullisht. Jashtë perceptimit tim për të, kjo grua shkonte rregullisht dhe vizitonte burgjet që mbulonte sektori i saj i përgjegjësisë, ajo bënte çfarë kishte mundësi duke u ofruar ndihmë dhe sidomos seriozitetin e pranisë së shtetit shqiptar në trajtimin e shtetasve tanë jashtë vendit.

Duhet pranuar se në psikikën tonë administrative për diplomatët e aftë është fiksuar formati i diplomatit të Luftës së Ftohtë. Si mund të jetë një diplomat i aftë për forcimin e marrëdhënieve në një shtet kur është i pamundur të vendosë marrëdhënie me komunitetin e shqiptarëve që jeton aty. Një vështirësi lidhur me këtë problem shfaqet aty ku nuk kemi prani të zyrave.

Nevoja për asistencë ligjore

Është e përshtatshme të vendoset komunikimi me një sërë avokatësh shqiptarë në vendet pritëse të cilët janë të disponueshëm për ndihmë ligjore. Shumica e shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë vendit por edhe familjarët e tyre vuajnë mungesën e informacionit, mendojnë se është me rëndësi krijimi i një informimi zyrtar me listën dhe kontaktet e përfaqësuesve ligjorë shqiptarë në vendet pritëse që do të ishte padyshim në dispozicion të Ambasadave. Kur flasim për personat e privuar nga liria duhet të marrim parasysh se në radhët e tyre ka edhe njerëz që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e vendit ku vuajnë dënimin. Ata gëzojnë të drejta të cilat duhet ti njohin.

Takimi i sotëm është një pikënisje ku gabimet dhe vonesat janë eksperiencë për të na çuar aty ku duhet të jemi. Është e sigurt se diaspora di të bëjë edhe pa ne. Pyetja është: Çfarë do të bëjmë ne pa të? Diaspora fillon nga dobësitë e saj. Po nuk u kujdesëm për dobësitë atëherë nuk kemi pse duartrokasim suksesin e saj. Shteti është familja e njerëzve në vështirësi dhe pastaj tapeti i kuq i suksesit. Është koha të tregojmë se po mendojmë ndryshe, si njerëz.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/shifra-alarmante-majko-5-mije-shqiptare-te-burgosur-jashte-vendit-530780/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright