Sheshi ‘Skënderbej’ fiton në çmimin europian të Barcelonës, Rama: Triumfoi vizioni përballë baltës

Sheshi “Skënderbej” fitoi në Barcelonë si hapësira më e mirë publike për vitin 2018.

Lajmi është publikuar edhe nga Kryeministri Rama në profilin e tij në “Facebook”.

“Supeeeeer!”, shkruan Rama. “Sheshi ‘Skënderbej’ triumfon në çmimin europian të Barcelonës”.

Supeeeeer

SHESHI SKËNDERBEJ TRIUMFON NË ÇMIMIN EUROPIAN TË BARCELONËS

Çmimi Europian i Hapësirës Publike 2017, ku mes qindra veprave publike të përzgjedhura nga gjithë qytetet e Europës dhe mes 25 finalistëve (ku Shqipëria kishte 3 finalistë, Sheshin Skënderbej, Lungomaren e Vlorës, Shëtitoren Bregdetare të Himarës) sapo u dha!

FITUESI ËSHTË SHESHI SKËNDERBEJ

Ideja fituese e Konkursit Ndërkombëtar të organizuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2008, u projektua e filloi zbatimin nën rrebeshin e sulmeve të qeverisë së kohës e të analistëve të çdo kohe. Më pas u varros nën tamponin jeshil me gardh makinash nga ata që dinë vetëm të prishin. E më në fund u bë realitet falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe rizgjimit nga gjumi të Bashkisë së Tiranës

Pas një odiseje që zgjati plot 10 vjet, si një përplasje shembullore mes të ardhmes e të shkuarës, mes atyre që dinë ta duan Tiranën e Shqipërinë dhe atyre që Tiranës e Shqipërisë i bënë, sa herë mundën atë që s’ia ka bërë asnjë armik a pushtues, sot Sheshi Skënderbej që e deshëm me të gjithë forcën e vizionit e të këmbënguljes sonë, ka marrë të gjithë hakun që meriton.

Faleminderit me mirënjohje të gjithëve, që nga ideatorët e projektuesit tek Bashkia e Tiranës e me radhë, inxhinierët zbatues, teknikët, punëtorët, lulishtarët e deri tek gurëprerësi i fundit, i qilimit kombëtar të gurëve të shtruar mbi HAPËSIRËN MË TË BUKUR PUBLIKE TË NDËRTUAR NË EUROPË NË VITIN 2018

(Dhe, faleminderit patjetër, edhe të gjithë sojeve të kundërshtarëve të projektit, të cilët ndihmuan në mënyrë të pamohueshme që koka jonë të bëhej më e fortë nga gurët e akuzave e sharjeve, balta e shpifjeve, dhuna e bllokimit e shkatërrimit taleban të një vepre kaq domethënëse për kryeqytetin e shqiptarëve, e cila do t’u mbetet brezave si simboli kuptimplotë i vizionit e dashurisë sonë për Tiranën e për Shqipërinë)

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/sheshi-skenderbej-triumfon-ne-cmimin-europian-te-barcelones-rama-triumfoi-vizioni-perballe-baltes-550397/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright