Shën Jozefi, fati i së Lumes Mari Virgjër, pajtor i Kishës universale

Njeri i drejtë

Përkufizimi i parë për shën Jozefin, që e gjejmë në Ungjillin sipas Mateut, është “i drejtë”. Fati i Marisë, para shtatzanisë së pashpjegueshme të së fejuarës, nuk mendon për dinjitetin e vet, por për mënyrën si ta shpëtojë nga gojët e këqia e nga vdekja me gurë, me të cilën mund të dënohej. Nuk dëshiron ta lerë publikisht, por mendon ta bëjë këtë fshehtas. Në atë ankth e vuajtje të kuptueshme, dashuria e Zotit e shpëton: një engjëll vjen t’i flasë, t’i frymëzojë marrjen e vendimit më të drejtë, ta nxisë të mos ketë frikë. “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus” (Mt 1,20-21).

Njeri i bindur

Një engjëll e shoqëron Jozefin në çastet më të vështira të jetës së tij e qëndrimi i Jozefit para lajmëtarit qiellor është gjithnjë bindje plot besim: e merr Marinë për grua e kur engjëlli, pas lindjes së Jezusit, kthehet dhe e paralajmëron për persekutimin e Herodit, ikën natën bashkë me familjen në Egjipt, vend i huaj, ku duhet të fillojë gjithçka nga e para. E kur engjëlli vjen sërish për ta njoftuar mbi vdekjen e Herodit, duke i kërkuar të kthehej në Izrael, merr grua e fëmijë dhe shkon në Galile, në Nazaret, gjithnjë i këshilluar nga engjëlli.

Sillet si baba i vërtetë me Jezusin

Pa dyshim, Jozefi e ka dashur Jezusin me gjithë ëmbëlsinë, që një baba ka për birin e vet: Jozefi bën gjithçka për ta mbrojtur e për ta edukuar këtë fëmijë të mistershëm, të bindur e të urtë, që i është besuar. Të edukosh Jezusin: shpërpjestimi i jashtëzakonshëm i detyrës për t’i thënë Birit të Zotit ç’është e drejtë e ç’nuk është. Duhet të ketë qenë tepër e vështirë për njeriun që, pasi e kërkoi me ankth për tri ditë, gjatë të cilave, pa lajmëruar as atë e as të ëmën, Jezusi mbeti në tempull duke diskutuar me dijetarët e ligjit, e dëgjoi 12-vjeçarin t’i thoshte: “A s’e dinit se më duhet të merrem me gjërat e Atit tim?” Por ndoshta, është hutimi i çdo ati, kur e kupton se të bijtë nuk i përkasin e se fati i tyre është në dorën e Zotit.

Mbrojtës i njerëzve, që po ndërrojnë jetë

Jozefi nuk duket në asnjërin prej katër ungjijve, gjatë jetës publike të Jezusit, as në Kalvar, as në çastin e Ringjalljes. Prandaj, mund të mendojmë se ai ka ndërruar jetë para se Jezusi të fillonte predikimin e tij. Sipas traditës, Jozefi ka vdekur me Marinë e Jezusin pranë e, për këtë arsye, quhet edhe mbrojtës i njerëzve, që po kalojnë në amshim, meqë të gjithë ne lutemi të largohemi nga kjo botë, duke pasur pranë Jezusin e Nënën e Tij.

Radio Vatikani