SHBA mbështesin rikthimin tek procesi i Gjenevës për konfliktin e Sirisë

Televizioni shtetëror sirian thotë se inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë hyrë në Duma, ku një sulm i dyshuar kimik vrau dhjetra njerëz në fillim të muajit.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka akuzuar Rusinë se është përpjekur t’i bllokojë inspektorët që të zhvillojnë hetime për sulmin vdekjeprurës në Duma, pranë kryeqytetit Damask, “duke e bërë më të komplikuar” punën për specialistët.

Rusia ka fajësuar për vonesat në hyrjen e inspektorëve, sulmet ajrore të së shtunës nga Shtetet e Bashskuara, Franca dhe Britania, ndaj tre objekteve për armë kimike të Sirisë. Zëvendës ministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov, tha gjithashtu se misioni i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike nuk u lejua të hynte, për shkak se nuk kishte marrë miratimin e Departamentit për Sigurinë të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët e OKB-së në Nju Jork e hodhën poshtë këtë pretendim.

I dërguari amerikan në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, tha dje se ai ishte në dijeni, që përfaqësues të Rusisë e kanë vizituar Dumën dhe ngriti shqetësime për ndërhyrjen e tyre, para se inspektorët e Organizatës të kryejnë misionin e tyre faktmbledhës.

Minsitri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i mohoi akuzat dhe tha në një intervistë për BBC-në, se ai jep garanci që Rusia “nuk ka ndërhyrë në vendin ku thuet se është kryer sulmi kimik”. Ai tha se faktet e cituara nga SHBA, Britania dhe Franca si shkak për të filluar sulmin me raketa ishin bazuar tek mediat sociale dhe media. Ai mohoi të ketë patur sulm me armë kimike, duke e akuzuar Britaninë për inskenimin e sulmit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre fajësojnë regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad për sulmin vdekjeprurës me armë kimike.

Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert, tha në një intervistë për televizionin Alhurra se Shtetet e Bashkura po kërkojnë që të ketë rifokusim tek i ashtuquajturi proces i Gjenevës, që Kombet e Bashkuara e filluan në vitin 2012, si një udhërrëfyes për t’i dhënë fund konfliktit në Siri me një kushtetutë dhe zgjedhje të reja.

Edhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, bëri thirrje për një zgjidhje të ngjashme, duke thënë se për Sirinë është e nevojshme të rifillojë një proces paqeje nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara.

VOA