SHBA dhe Britania i dhanë mbështetje votimit të sotëm. Kosova themelon ushtrinë e saj

Me shumicë votash, parlamenti i Kosovës miratoi tri ligje: atë për ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për shërbimin në këtë forcë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj  Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë.

Votimi i djeshëm u cilësua historik nga përfaqësuesit politik të Kosovës por edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett i cili pak para votimit tha se “se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij të sigurisë, marrëdhëniet paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e saj, por edhe nga forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura.

“Menjëherë pas votimit, ambasada amerikane lëshoi një komunikatë në të cilën theksohet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës. Votimi i sotëm në parlament është hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti. Këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por, përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të qeverisë së Kosovës.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për tu angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakicë tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar. Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë. Të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë Kosovës duhet t’i mbështesin dhe t’i nxisin qytetarët e komuniteteve pakicë të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

Stabiliteti rajonal kërkon që Kosova të bëjë përpjekje të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë, dhe i nxisim të dy palët që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në dialog. Qëllimi për të arritur një marrëveshje të leverdishme për të dy palët që do të rrisë paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu paraqet përparësinë më të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve që t’i ri-përqendrojnë energjitë e tyre dhe të angazhohen në mënyrë serioze dhe konstruktive për arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i dhanë mbështetje votimit të sotëm, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, shprehu keqardhjen për votimin e sotëm në parlamentin e Kosovës “me gjithë shqetësimet e shprehura nga NATO-ja” “Ndonëse tranzicioni i Forcës së Sigurisë është në parim çështje e Kosovës që të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se kjo po ndodhë në një kohë të papërshtatshme. NATO-ja e mbështetët zhvillimin e Forcës së Sigurisë në mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli Veri-atlantik duhet të shqyrtojë shkallën e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”. Ai tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar nëpërmjet KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe qëndrueshmërinë gjithandej Ballkanit Perëndimorë. “Të gjitha palët duhet të sigurohen që vendimet e djeshme të mos shtojnë më tej tensionet në rajon. Të gjithë përgjegjësit politik në rajon duhet të jenë të përqendruar në përparimin në reforma dhe në dialog. E ritheksoj thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga cdo veprim apo deklaratë që mund të çojë në përshkallëzim. NATO-ja vazhdon të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, si zgjidhje e vetme afatgjate për rajonin”, thuhet në deklaratën e sekretarit Stoltenberg. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se BE-ja ka mendimin e njëjtë me NATO-n që “mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë t’u përmbahet detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, theksoi ajo.