SHBA: Debat ligjor mbi kompencat presidenciale për emergjencat kombëtare

Presidenti Donald Trump do të nënshkruajë të premten ligjin për sigurinë kombëtare, duke shmangur mbylljen e qeverisë, por ka në plan ta shpallë gjendjen në kufirin jugor me Shtetet e Bashkuara “një emergjencë kombëtare”.

Deklarata do t’i hapte rrugën Presidentit Trump të autorizonte fonde të reja për një barrierë të përhershme. Kjo lëvizje do t’i jepte fund negociatave të vështira me Kongresin lidhur me fondet për murin, por disa analistë ligjorë shqetësohen se do të përbëjë një precedent të rrezikshëm për presidentët që përpiqen të negociojnë me Kongresin.

Në janar, Zëri i Amerikës bisedoi me zëvendës drejtorin e Qendrës për Menaxhim Publik Efektiv në Institutin Brookings, John Hudak, lidhur me çështjet e mundshme ligjore të deklaratës që pritet të shpallë Presidenti.

Çfarë kompetencash ka presidenti për të shpallur një emergjencë kombëtare? A mundet ai thjesht të urdhërojë që fondet qeveritare të përdoren për të ndërtuar një mur?

Bëhet fjalë për dy pyetje. Së pari, në bazë të ligjit për emergjencat kombëtare, presidenti ka kompetenca të gjera për të shpallur emergjencë kombëtare. Por shpallja është thjesht shpallje dhe në bazë të një interpretimi të ngushtë, është vështirë të gjesh se kur mund të ketë përjashtime për aftësinë e presidentit për ta bërë një gjë të tillë.

Por pjesa tjetër ka të bëjë me kompetencat që presidenti mund të ushtrojë sipas ligjit dhe në këtë aspekt është e natyrshme që ka kufizime, kushtetuese dhe të tjera, që presifenti nuk mund t’i shkelë. Dhe për fat të keq, ose në fakt fatmirësisht, nuk jemi përballur me pyetje serioze për kompetencat presidenciale në këtë drejtim, prandaj është një pyetje e hapur të cilës do të duhet t’i japin përgjigje gjykatat.

A munden demokratët ta bllokojnë në Kongres? A ka ndonjë precedent ligjor kushtetues, kur presidentët thjesht kanë anashkaluar Kongresit për të financuar një politikë përparësore për ta?

Ligji e parashikon aftësinë e Kongresit për të ndalur një emergjencë kombëtare. Duhet që dy dhomat e Kongresit të votojnë duke thënë që gjendja e emergjencës mbaroi. Demokratët mund ta bëjnë këtë vetë në Dhomën e Përfaqësuesve (sepse kanë shumicën), por jo në Senat pasi dp t’u duheshin disa vota republikane.

Megjithatë ky është një ushtrim i fuqive ekzekutive që i vë republikanët në pozitë të pakëndshme. Dhe disa prej tyre e kanë ngritur pyetjen se nëse pranojmë që Presidenti Trump ta shpallë gjendjen e emergjencës për një mur, a do të pranonim që një president demokrat ta bënte të njëjtën gjë për çështjen e klimës, ose çështje të tjera?

Prandaj duhet të presim të shohim nëse Kongresi i ka votat për ta frenuar veprimin presidencial në këtë drejtim, apo vullnetin politik për një gjë të tillë.

Për pjesën e dytë të pyetjes, presidentët janë përpjekur ta anashkalojnë Kongresin përsa i takon përdorimit të fondeve në të kaluarën. Dhe shpesh presidentët janë frenuar, sepse kompetencat për shpenzimet e parashikuar në Kushtetutë, i takon Kongresit, prandaj kjo përbën një sfidë për presidentin Trump. Pra ai mund të ketë kompetencën të shpallë gjendjen e emergjencës, por nuk mund të uzurpojë Kushtetutën për të ushtruar kompetencat gjatë periudhës së emergjencës.

VOA