Sezoni i ri në Muzeun Historik Kombëtar vjen me risi për publikun

Jeta artistike dhe kulturore në kryeqytet çdo ditë e më shumë po tërheq publik, duke treguar se artdashësit e shohin si atraksion për të njohur dhe prekur nga afër fusha të shumëllojshme artistike.

Muzeu Historik Kombëtar është kthyer tashmë një vend sa informues po aq dhe atraktiv pasi ofron informacion mjaft të gjerë mbi periudhat historike dhe ngjarjet por mbi të gjitha është vendi që mbledh të gjitha grupmoshat, për shkak të aktiviteteve të larmishme që organizon.

Sezoni turistik ishte mjaft i suksesshëm, por dhe sezoni i ri do të jetë mjaft i ngjeshur me ngjarje dhe aktivitete ku publiku kryeqytetas mund të kalojë një ditë ndryshe me ngjarje sa edukative, po aq dhe informuese.

Risitë për sezonin e ri në Muzeun Historik Kombëtar janë të shumta për ta kthyer atë në një vendtakim mes vizitorëve dhe historisë. Programi ”Edukimi përmes Kulturës” zë një vend të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve dhe për sezonin e ri i cili u hap me aktivitetin ”Arkeologu i Vogël” i cili do organizohet dy herë në muaj.

Paketa tjetër kulturore e programit “Edukimi përmes kulturës” përfshin dhe një aktivitet tjetër “Muzeu im” në të cilin janë protagonistë fëmijët e shkollave të cilët vijnë në muze ose specialistët tanë mbledhin artefakte dhe bëjnë të mundur dhe kurimin e tyre për të informuar brezin e ri.

Aktiviteti tjetër i cili do vijë në kuadër të sezonit të ri është projekti “Unë vizatoj historinë” i cili ka rezultuar mjaft i pëlqyer dhe i suksesshëm. Paketa e aktiviteteve gjithashtu përfshin dhe dy aktivitete të tjera të cilat janë për grupmosha më të mëdha për studentët e universitetit i cili titullohet “Një pasdite në muze”, i cili sjell një figurë ose një ngjarje të rëndësishme historike me prezencën e profesorëve nga fusha akademike të ndryshme.

Aktiviteti i dytë për studentët është “Një ditë me kuratorin”, në të cilin zgjidhet një objekt nga pavijonet e shumta që ne kemi duke u shpjeguar në bazë të parimeve të muzeologjisë, pra nga objekti shkojmë në rrëfimin e historisë.

Në sezonin e ri nuk do të mungojnë dhe aktivitete kulturore si promovim librash, ekspozita si dhe me leksione të hapura magjestrale përsa i përket trashëgimisë tonë kulturore kombëtare dhe historike. /a.a/ /a.g/ATA