Senatori amerikan, John McCain: presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është kërcënim më i madh për sigurinë botërore sesa IS-is

Gjatë një vizite në Australi, senatori McCain i tha Korporatës ABC se Rusia provoi “të shkatërrojë themelin e demokracisë” me përpjekjet e saj për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet tjera të botës.

Komentet e tij u bënë në një kohë kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përballet me hetimet nëse kishte lidhje me Rusinë, përfshirë edhe raportimet se Jared Kushner, dhëndër i presidentit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, u përpoq të krijojë kanale të fshehta komunikimi me zyrtarët rusë gjatë javëve para se zoti Trump të merrte pushtetin.

“E di se disa zyrtarë të administratës po thonë se ‘kjo është procedurë standarde’. Nuk mendoj se është procedurë standarde para përurimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara nga dikush që nuk është në pozitë”, tha senatori McCain.

Gazeta New York Times, citoi zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks, të ketë thënë se Kushneri “po vepronte si zyrtar i ekipit kalimtar” dhe se është pajtuar të diskutojë takimet me hetuesit e kongresit.

Presidenti Trump ka hedhur poshtë çdo pretendim se fushata e tij ishte e lidhur me Rusinë.

“Jared po bën një punë të shkëlqyer për vendin” tha zoti Trump për gazetën New York Times.” Ai tha se ka besim të plotë tek ai. Sipas presidentit Jared Kushner respektohet pothuajse nga të gjithë dhe po punon me programe që do t’i kursejnë vendit miliarda dollarë. Por më e rëndësishme sipas presidentit Trump është fakti se Jared Kushner është një person shumë i mirë.

36-vjeçari Kushner, një biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme në Nju Jork përpara se t’i bashkohej stafit të presidentit në Shtëpinë e Bardhë, është i martuar me vajzën e madhe të zotit Trump, Ivankën, e cila gjithashtu është këshilltare në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas disa medieve Jared Kushner u përpoq të krijonte lidhje komunikimi të fshehta me Moskën ndërsa u takua me ambasadorin e Kremlinit në Amerikë Sergej Kislyak, në fillim të dhjetorit të kaluar.