Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg viziton Tiranën: Dhuna politike e papranueshme

Në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg tha sot në Tiranë se dhuna politike bie ndesh me vlerat demokratike dhe është absolutisht e papranueshme. Komentet e tj lidhur me zhvillimet politike në vend, zoti Stoltenberg, i bëri në përfundim të një takimi me kryeministrin Edi Rama. Ai ju drejtua me një thirrje forcave politike të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe me vetpërmbajtje dhe të zgjidhin çdo momarrëveshje për dialogut dhe proceseve politike.

Ndërsa në mbrëmje, opozita ka thirrur protestën e radhës para selisë së kryeministrisë, nga e njejta godinë, pasdite, Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg, bëri thirrje për dialog mes aktorëve politik duke theksuar se dhuna politike është e papranueshme. Vizita e tij në Tiranë e njoftuar vetëm pak ditë më parë, i parapriu asaj në Shkup, e cila ishte planifikuar prej kohësh.

Në një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama, pas takimit që pati me të, zoti Stoltenberg, u ndal duke komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ndërsa vlerësoi më parë kontributin e vendit në Nato dhe shembullin siç u shpreh ai që Shqipëria jep për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Në demokraci do të ketë gjithmonë debate e mendime të ndryshme. Kjo nuk është dobësi, është në themel të asaj që e bën demokracinë të fortë. Por dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike, është aboslutisht e papranueshme sikundër dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Natos, duke i bërë thirrje “të gjithë aktorëve politik të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe me vetpërmbajtje, dhe të tregojnë konsensusin e nevojshëm politik për të vazhduar në rrugën e integrimit dhe të zgjidhin çdo diferencë përmes dialogut dhe proceseve politike. Një gjë e tillë kontribuon në një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe Rajonit”

Nga ana e tij Kryeministri Edi Rama, tha se sipas tij, protesta e opozitës “​nuk është shfaqje e një shqetësimi të madh popullor. Eshtë një insekinim politik dhe nuk ka shans të shtrihet përtej kufijve të skenës politike. Ne do të zhvillojmë zgjedhjet si një proces i patjetërsueshëm demokratik. Nëse dikush nuk preferon dhe vendos të mos hyjë në zgjedhje, kjo nuk i bën zgjedhjet jodemokratike”.

Kryeministri tha më tej se “nuk do të lejohet të ndohë asnjë formë destabilizimi që do të cënonte imazhin e vendit përtej atij që sjell organizimi i shfaqejeve të dhunshme në një perimetër të ngushtë dhe pa mbështetje”, u shpreh kryeministri.

Prej më shumë se tre muajsh opozita ka zgjedhur protestat për të kërkuar dorëheqjen e kryeminisrit dhe krijimin e një qeverie kalimtare që do të garantonte sipas saj zgjedhje të parakohshme dhe një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor. Opozita këmbëngul për një zgjidhje politike e cila sipas saj, ka si kusht të anegociueshëm largimin e zotit Rama.

Pak pas komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të Nato-s, Stoltenberg mbi zhvillimet politike në Shqipëri, kryetari demokrat Lulzim Basha duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës, u shpreh përmes një postimi në Facebook se nuk do ketë “asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja. Pushteti i krimit ka rënë! Parlamenti është i paligjshëm! Fëmijët e shqiptarëve janë pa bukë! Shtëpitë po prishen për korrupsion! Drejtësia eshtë e kapur! Binznesi po rrënohet! Dhuna godet kudo! Thika e pushtetit ka prekur palcën! Nuk durohet më!”, thekson zoti Basha duke shtuar se “vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që punon për njerëzit! Për mirëqenie! Për punësim! Për zhvillim! Vetëm standardet dhe demokracia, do të hapin rrugën tonë drejt Europës!”

VOA