Samiti i Triestes në lupën e ekonomistëve: Çfarë përfitohet vërtetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia

Samiti i Triestes përfundoi me shumë premtime nga BE për Ballkanin, por duke e lënë akoma në “dhomën e pritjes” për t’u bërë anëtare me të drejta të plota. Premtimet kishin të bënin me investimet ekonomike dhe shtyrjen e rajonit drejt një bashkimi doganor dhe tregëtar që të nxiste më tej këtë bashkim. Por si e shohin ekspertët e ekonomisë këtë mundësi që i ofrohet vendeve të Ballkanit, ku bën pjesë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia.

Selami Xhepa dhe Zef Preçi duke folur për gazetën Mapo bëjnë një analizë të asaj çfarë pritet të ndodhë pas Triestes, elementeve pozitivë dhe paqartësisë juridike dhe pengesat politike që shfaqin projekte të tilla.

“Nëse në Samitin e Vjenës u angazhuan financime për infrastrukturën e Ballkanit, mbetet për tu parë se si do të konkretizohen ato sipas vendeve dhe se çfarë dobie do të sjellin për vendet akoma të dobëta ekonomikisht dhe problematik në raport me standartet demokratike. Ambicia e shpallur në Trieste për krijimin e një bashkimi ekonomik dhe të transportit, është shumë e paqartë nga pikëpamja juridike.

Nëse vendet do të shkonin drejt bashkimit doganor, ky do të kishte qenë një hap politik shumë serioz pasi efektivisht do të bënte që vendet e rajonit të mos kishin politika tregtare të pavarura. Vendet e Bashkimit të sotëm Europian e nisën pikërisht në këtë format integrimin e tyre dhe ky do të ishte një model interesant edhe për rajonin tonë.

Por, duhen bërë edhe dy paranteza: së pari, secili nga vendet e rajonit nuk ka këtë aspiratë, por integrimin në Bashkimin Europian. Së dyti, asnjë nga vendet e rajonit nuk e ka për zemër këtë qasje rajonale. Po të shifet në historikin e vet se cfarë ka ndodhur me bashkëpunimin rajonal që prej momentit kur BE inicioi procesin e stabilizimit të bashkëpunimit rajonal në vitin 2002, asnjëri nga vendet e rajonit nuk preferoi të kalohej në një zonë të lirë tregtare rajonale, që është mënyra tipike e krijimit të një zone tregtare rajonale, por vendet u përfshinë në një proces marrëveshjesh bilaterale, duke rezultuar në negocimin e mbi 80 marrëveshjeve tregtare. Kjo bëri që sistemi i tregtisë jo vetëm të mos ishte më i thjeshtuar dhe i lehtësuar, por përkundrazi edhe shumë më i komplikuar”- shprehet ekonomisti Xhepa .

Ai e shikon si zhvillim pozitiv dhe të duhur iniciativën e BE-së, por shton se  “vendi ynë duhet të jetë i kujdesshëm për konkurrencën e tregut të brendshëm”. “Nëse, për shembull, vendet e tjera të rajonit përdorin gjerësisht subvencionimin e bujqësisë, kjo do t’i vinte fermerët tanë në kushte të pabarabarta konkurrenciale dhe mund të dëmtonte seriozisht ekonominë familjare bujqësore apo segmente të caktuara të industrisë. Prandaj, iniciativat që janë pozitive si të tilla, duhet të shndërohen me efekte përfituese nëse do të negociohen mbi baza pariteti ndryshimet që do të kryhen në këtë fushë”- thekson Xhepa.

Ndërsa ekonomisti Zef Preçi shprehet se zgjidhja e ofruar në Trieste për Ballkanin është thjesht një shtysë që këto vende të nxiten drejt zhvillimit duke u krahasuar me vende të BE-së.

Zona e përbashkët ekonomike nuk ka të bëjë me ndonjë “Plan Marshall”, as me “zgjidhjen e qeses” së BE-së për vendet e rajonit tonë, dhe as ndonjë “joshje” financiare në një BE që përballet me probleme të mëdha të brendshme kundrejt një Ballkani të lidhur nga tranzicioni i gjatë dhe nën një agresion të vërtetë të ndikimeve nga fuqi të mëdha botërore dhe rajonale.

Në një Europë të zgjeruar drejt Lindjes pak me nxitim dhe kryesisht mbi bazën e kritereve specifike të dominuara nga interesa politike një dekadë më parë, duket se është pranuar gjerësisht se BE është e përbërë nga grupe vendesh që kanë shpejtësi të ndryshme në zhvillimin e tyre, prezantimi i nismës për zonën e përbashkët ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është gjë tjetër veçse ofrimi i mundesive të këtyre vendeve që të përgatiten hap mbas hapi për të qenë anëtare të BE-së, që të tentojnë të veprojnë mbi bazën e interesave të përbashketa, që të përgatisin infrastrukturën fizike e ligjore, si dhe t’i përshtatin ekonomitë e vendeve të veçanta në funksion të këtij procesi.

Mendoj se është tejet e gabuar qe liderit e vendeve të Ballkanit të perdorin kete nisme thjesht për konsum të brendshëm politik, që të ushqejnë shpresat e gabuara se ekziston “dreka falas”, se antarësimi në BE është thjesht një procedure administrative burokratike që merret në Bruksel, Berlin apo Paris, sepse ata “kanë permbushur detyrat e shpisë”. Kjo nismë provon me së miri se tashme “topi” është ne fushën e qeverive të vendeve të Ballkanit Perendimor për të përmirësuar qeverisjen dhe për të qenë realiste në projektimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e vendeve të tyre si rruga e vetme që dekurajon braktisjen e vendit dhe problemet e mëdha që shoqërojne këtë fenomen”.