Sali Berisha: Mbështetja për prokurorët i kujtoi Ramës fatin e mikut të tij rumun Viktor Ponta

Kryeministri Edi Rama kishte një reagim brenda pak minutash në rrjetet sociale për deklaratat që bëri ambasadori Donald Lu lidhur me akuzat ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, duke e falënderuar diplomatin amerikan. Menjëherë pas deklaratës së kreut të delegacionit amerikan në vendin tonë, Donald Lu, lidhur me akuzat ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, kryeministri Rama e falenderoi atë, por nuk bëri asnjë deklaratë për qëndrimin e zëvendës sekretari i shtetit Hoyt Yee. Por ish-kryeministrit Sali Berisha duket se i ka bërë përshtypje mosreagimi i Ramës ndaj deklaratës së zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Yee. Përmes një postimi në rrjetin social, Berisha thotë se kryeministri Rama u çorientua nga një frazë. “Pse Edi Rama nuk gjeti falënderim për zotin Hoyt Yee?! Të dashur miq, asistent zëvendës sekretari i shtetit Hoyt Yee, pyetjes së gazetarit të VOA për aferën Tahiri refuzoi ta komentojë me rastin konkret por, në përgjigjen e tij, ai deklaroi parimet që mbështesin SHBA; parime të një drejtësie të pavarur dhe të paanshme, transparente dhe, në këtë kuadër, ndër të tjera ai tha se :.., “askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës”. Kjo deklaratë u përshëndet, mendoj unë, me të drejtë nga opozita, ndonëse ajo në germë nuk përmbante asnjë fjalë të vetme për çështjen Tahiri. Por deklarata, pas dështimit për ta falsifikuar atë me zëdhënësen e tij që ka emëruar drejtoreshë të ATSH, u mbulua me heshtje të plotë nga Edi Rama dhe narko mazhoranca e tij në të gjitha nivelet. Pse kjo heshtje varri e Edi Ramës dhe narko-mazhorancës së tij ndaj deklaratës strikt parimore të zyrtarit të lartë amerikan, i cili zgjodhi ti përgjigjet pyetjes për Tahirin vetëm me parimet e njohura të drejtësisë dhe shtetit ligjor në një vend të lirë, dëshmoi se ai, Rama, nuk është dakord me këto parime dhe kjo është tashmë e njohur, pasi ai për sistemin e drejtësisë ka mendim identik me atin e tij shpirtëror, Enver Hoxhën, sipas të cilit ai dhe vetëm ai duhet të jetë kryehetues, kryegjykatës dhe kryeprokuror i vendit. Vetëm për këtë dëshirë të çmendur dërgoi në komisionin e Venecias draftet e reformës në drejtësi, të cilat i përmbysi me të drejtë ky komision. Por njerëz ngjitur me të, thanë se arsyeja më kryesore që shtyu Ramën të urdhërojë zyrtaret e tij të të gjitha niveleve të dënojnë me heshtje varri deklaratën e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, qëndron pikërisht në frazën e tij se “Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta …”. Kjo frazë, e thënë vetëm dy ditë pasi, me qëllim ose pa qëllim, bazuar ose jo në ndonjë dosje konkrete, prokurorët i kujtuan Ramës kolegun dhe mikun e tij të ngushtë Viktor Ponta, i cili është dhe kryeministri në detyrë i ndjekur penalisht dhe burgosur nga drejtësia rumune, iu duk Ramës njolloj si përmendja e litarit në shtëpinë e të varurit. Deklarata e zotit Hoyt Yee pas asaj të prokurorëve dhe Viktor Pontas, i cili nuk kishte as një të qintën e aferave të mëdha të tij, e kanë çekuilibruar Ramën si asnjëherë më parë dhe përfundimisht. Çdo natë ai në koshmar jeton në galerinë e dosjeve të tij personale dhe familjare duke filluar nga Surreli tek pallati pesë katësh në pajë, pa asnjë faturë, nga mega afera e ÇEZ tek koncesionet e ndrikull Nushit, muratorit, tek çeku një miliard euro dhe Abbi Bank, nga Xibraka dhe dosjet e aferave të tjera me shullazët, etj etj…. Pikërisht, kjo ishte arsyeja pse Rama vrapoi të falënderojë flakë për flakë ambasadorin Lu, i cili u kujtoi shqiptarëve se në kohën e komunizmit, shqiptarët dënoheshin për mendimet e tyre politike. Kjo ngjalli shpresa të mëdha te Rama, i cili njëlloj si i mbyturi që kapet në fijen e barit mendoi se dosjet e tij të tmerrshme do mund ti shesë si politike. I dizekuilibruar dhe absurd, Noriega beson se duke pasur Xhorxh Sorosin për avokat, do mund të shese dosjet e drogës, vjedhjeve të qindra miliona euro si dosjet të agjitacionit dhe propagandës, apo sabotazhit të regjimit komunist. Por Rama e ndjen se vërtet ai bllokoi, në një vendim të paprecedent, drejtësinë për Sajmir Tahirin, vërtet lidhjet e tij me Xhorxh Sorosin janë më të fuqishme se sa mund të mendohen, por ai nuk do mund të bllokojë tik-takun e tmerrshëm të orës së drejtësisë qe po afron. Kjo orë po pret revolucionin popullor, revoltën qytetare, që do përmbysë në Shqipëri Narko-shtetin e Noriegës dhe vendos shpejt në këtë vend parimet e larta të drejtësisë dhe shtetit ligjor”- u shpreh dje në reagimin e tij, deputeti i PD-së, Sali Berisha.