Sa është realisht numri i të pushkatuarve, të humburve dhe dënuarve nga diktatura komuniste?

Xhevdet Shehu

Debati i hapur rreth dy javë për kushtet në kampin e Tepelenës gjatë regjimit komunist shërbeu si shkak për një rikthim të vrullshëm rreth një çështjeje për të cilën është diskutuar aq shumë për afro 30 vjet me radhë. Ky debat që ende vazhdon, u pasua me rizgjimin e revoltës së ish-të përndjekurve politikë të cilët jo vetëm ngritën tonin e zërit por edhe parashtrojnë ultimatume dhe afate ndaj qeverisë, për numrin e të dënuarve me dhe pa gjyq, për ata që kanë mbetur pa varr, për dëmshpërblimet, etj., etj. Nuk është hera e parë që ata e bëjnë këtë dhe është e drejta e tyre të kërkojnë.

Që janë kryer krime gjatë regjimit komunist, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Në fund të fundit edhe ai ishte një pushtet dhe në emër të pushtetit gjithnjë janë kryer krime. Kjo që ndodhi në Shqipëri,ndodhi edhe në vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes, por hiperbolizimi e dëmton dhe e zhvlerëson faktin, pasi njerëzit që e kanë jetuar atë regjim janë gjallë, bëjnë krahasime dhe janë në gjendje të dëshmojnë. Por mendoj se në disa raste abuzohet aq shumë nga diletantë të papërgjegjshëm, madje që edhe paguhen nga shteti saqë bëhen të pabesueshme edhe vuajtjet reale të atyre që e kanë pësuar ata që vërtetë janë pushkatuar për motive politike. Këtë nuk duhet ta lejojnë në radhë të parë ish-të përndjekurit.

Ja le t’u referohemi disa raste spekulimesh.

Rasti i parë

Por, ajo që të bën përshtypje është spekulimi flagrant me shifrat që bëhen publike, duke krijuar një pështjellim të paparë në opinionin tonë por edhe tek të huajt që hyjnë e dalin lirshëm në Shqipëri për vizita zyrtare apo si turistë nga e gjithë bota. Sikurse shkruhej në gazetën ‘DITA’ dy ditë më parë, për këta të huaj një atraksion të fuqishëm përbëjnë lideri komunist Enver Hoxha dhe bunkerët e ndërtuar në kohën e sundimit të tij. Dhe të huajt përballen me një mjegullnajë shifrash dhe faktesh dhe nuk dinë kë të besojnë si të vërtetë. Fjala vjen, një nga ish-të përndjekurit tha para disa ditësh se janë 4500 ish të përndjekur me gjyq dhe pa gjyq, të cilëve nuk u dihet as varri. Mirëpo në muzeun Bukart2 për viktimat e terrorit komunist flitet për rreth 6000 të pushkatuar me dhe pa gjyq në Shqipëri. Po kaq jepet shifra edhe në Shtëpinë e gjetheve dhe në Muzeun Historik Kombëtar, ku ka edhe një pavijon të posaçëm për këtë kategori të shoqërisë sonë. Mirëpo të huajt që vizitojnë këto dy institucione të rëndësishme shtetërore, vazhdojnë më tutje. Duan të shikojnë bunkerët. Këtu ata llahtarisen vërtetë. Sikurse na tregonte këto ditë një njeri i ditur që rri shpesh me të huajt dhe i shoqëron nëpër Shqipëri si përkthyes, për të shoqëruar vizitorët apo turistët e huaj janë zgjedhur apo punësuar disa djem e vajza të reja krejtësisht të painformuar, jo vetëm se nuk kanë jetuar në kohën e diktaturës, por edhe ato që kanë ngjarë gjatë këtyre 28 viteve të fundit. Kur vërejnë vëmendjen dhe interesimin e turistëve për regjimin e kaluar, këta ciceronë të rinj entuziazmohen dhe thonë: Jo nuk ka pasur 6 mijë të pushkatuar, por dhjetë mijë,madje edhe më shumë dhe të gjithë këta krejtësisht pa gjyq! E shikoni tani se sa e tmerrshme ka qenë diktatura komuniste në Shqipëri?

Nisur nga kjo mendësi dhe mungesë totale informacioni, kampi i Tepelenës u krahasua me kampet e shfarosjes në masë të nazistëve etj., gjë që është tej çdo logjike normale. Mirëpo ata që nuk e pranojnë krahasimin e mësipërm janë ndodhur përpara një rrebeshi të paskrupullt etiketimesh, sharjesh e fyerjesh, sikurse ndodhi ditët e fundit me historianin e njohur dhe skrupuloz, Pëllumb Xhufin që e quajtën “enverist”, “nostalgjik” etj. Vetëm e vetëm se është shprehur publikisht se nuk është kampi i Tepelenës që përfaqëson egërsinë e represionit komunist. U mundova t’i këshilloj të heqin dorë nga marrëzia për ta propaganduar këtë kamp të shfarosjes në masë, sepse Auschëitz, Mathausen, Dachau apo Birkinau ku janë asgjësuar e djegur në furrat naziste miliona hebrenj e antifashistë nga e gjithë bota, nuk e kanë shokun në asnjë vend të botës, e nuk e kanë as në Shqipëri.

Rasti i dytë

Mbi një mijë nga ata që thuhet se janë pushkatuar pa gjyq i përkasin diversantëve apo bandave që janë hedhur në Shqipëri pas çlirimit e deri në vitin 1954. E kemi thënë edhe tjetër herë se ata ishin ose kriminelë të luftës së dytë botërore, ose u bënë të tillë gjatë së cilës janë vrarë. Është folur dhe mund të dëshmohet fare lehtë se në atë periudhë është bërë një luftë e vërtetë midis bandave diversante dhe forcave të mbrojtjes së popullit në malet dhe fushat e Shqipërisë. Rezultati: Janë vrarë me dhe pa gjyq mbi 1000 diversantë. Mirëpo të thuash vetëm kaq, ke thënë gjysmën e të vërtetës. Sepse e vërteta është që po kaq, në mos më shumë edhe nga ana e forcave të mbrojtjes dhe nuk lejuan sulmin e bandave diversante që kërkonin përmbysjen e regjimit. Po këta si u vranë? Me apo pa gjyq. Natyrisht u vranë në frontin e luftës dhe bandat që i vranë nuk zhvilluan ndonjë gjyq për të vrarë kundërshtarët e tyre. Pa le të arsyetosh mbi faktin se rreth 400 diversantë u dekoruan si martirë të demokracisë nga Bujar Nishani, që një herë e një kohë ishte President i vendit.

Rasti i tretë

Le të shkojmë edhe pak më tej, nga 1945-a deri në 1950, u bënë disa vrasje të bujshme. U vranë katër cuca të Mirditës, sepse kishin shprehur dëshirën të shkonin në aksionet e rinisë. U vra mësuesi Ndrec Ndue Gjoka, ai që kishte hapur rreth 50 shkolla vetëm në Mirditë. U vra Bardhok Biba… Çështja shtrohet: po këta kush i vrau dhe si, me gjyq apo pa gjyq? Dihet se u vranë pa gjyq dhe dihet se kush i vrau. Sërish ata që nuk e donin regjimin.

Atëherë si mund të vihet shenja e barazimit midis të parëve dhe të dytëve? Për më tepër si mund të përdoret i njëjti kriter vlerësimi, sikurse ka ndodhur në muzeun e preferuar për huajt, në Bunkart2.

Edhe një rast tjetër, të cilin do ta lexoni në dokumentin konfidencial që po botojmë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave, në kohën që drejtohej nga Sali Berisha, pra në vitet 2007-2009, është  shkruar e zeza mbi të bardhë se viktima të regjimit komunist që do të shpërblehen vetëm ata që janë vrarë me dhe pa gjyq nga data 30 nëntor 1944 deri në 1 tetor 1991. Mirëpo në listat që shpallen nga ish-të përndjekurit e tanishëm, përfshihen edhe ata që janë vrarë nga viti 1941-deri më 1944. Mund të merret me mend se me këtë ata duan të përligjin teorinë e luftës civile që vazhdon të mbrohet me zjarr nga disa. Mirëpo kjo është shkelje e hapur e ligjit…

 Largimi i mjegullës

Është e nevojshme që kjo mjegullnajë të davaritet dhe të thuhet e vërteta ashtu siç është. Duhet larguar kjo mjegull që të mos u lëndohen edhe më tej plagët ish – të përndjekurve të vërtetë politikë të Shqipërisë dhe ata që kanë vuajtur padrejtësisht nga regjimi komunist. Kjo punë është më se e domosdoshme që të bëhet për të mos abuzimet dhe spekulimet e mëtejshme.

Po si të bëhet?

Gazeta ‘DITA’ zotëron një dokument konfidencial nga brenda administratës së kësaj qeverie, që jep me shifra dhe argumente të vërtetën e dosjeve të asaj kohe pikërisht për kategoritë dhe çështjet e të përndjekurve politikë, të cilin po e botojmë në vijim.

Për shembull, sipas këtij dokumenti “Dosje të miratuara me VKM të kategorisë ‘Burg’ janë 10.893 dhe rreth 2060 dosje kategoria dënim kapital ose pa gjyq për motive politike, për një total prej 12,953 kërkesa për dëmshpërblim të përfshira në 25 listat miratuara me VKM.

E pra, cilën shifër të konsiderojmë për të saktë? Ato që japin disa institucione që i përmendëm më sipër (pavarësisht se varen nga shteti dhe paguhen nga taksapaguesit shqiptarë), atë që thonë ciceronët e rrugës, apo ish i përndjekuri politik?

Gënjeni zotërinj, por jo kaq shumë se nuk u beson kush! ‘DITA’ boton në vijim këtë raport konfidencial, i cili mund të shërbejë fare mirë si një ftesë për debat në faqet e gazetës, ku janë të mirëpritur njohësit e të vërtetës, ekspertë, historianë, ish-të përndjekur politikë e të tjerë. Jeni të mirëpritur!

Dokumenti konfidencial

Që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 9831, datë 12.11. 2007, për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politik të regjimit komunist”, i ndryshuar, si dhe VKM-së në zbatim të tij, nga evidenca elektronike dhe referuar librave të protokollit që administrohen rezulton se Ministria e Drejtësisë ka propozuar në Këshillin e Ministrave 25 lista për dëmshpërblim me një total prej 12,953 dosje dhe 5 lista për ndryshime, në të cilat janë përfshirë kategori të dënuarish me burgim, izolim në hetuesi, shtrim në një institucion mjekësor, dënim kapital me vendim gjykate, vrasje pa gjyq, internim tela me gjëmba. Ndërsa për kategoritë internim-dëbim nuk ka pasur dëmshpërblim, pasi në zbatim të ligjit të nenit 6, pika c) e ligjit nr, 9831/2007 i ndryshuar, kërkohet miratimi i një Vendimi të Këshillit të Ministrave për përfshirjen e kësaj kategorie në një skemë pensioni.

Dosje të miratuara me VKM të kategorisë “Burg” janë 10,893 dhe rreth 2060 dosje kategoria dënim kapital ose pa gjyq për motive politike, për një total prej 12,953 kërkesa për dëmshpërblim të përfshira në 25 listat e miratuara me VKM.

Nga numri total i 20,591 dosjeve duke zbritur 12,953 aplikime, të cilat janë propozuar për miratim për dëmshpërblim, rezulton një numër prej rreth 7638 aplikime, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit si: plotësim dokumentacioni, shqyrtim në themel i bashkërenduar/ drejtpërdrejtë, problematik për mungesë informacioni, si dhe internim-dëbime në pritje të miratimit të VKM -së për skemën e pensionit. Nga informacioni që disponojmë rezulton se listat e mësipërme deri tek lista nr. 23, janë skanuar në rrugë elektronike për efekt ruajtjeje të dokumentacionit të dosjeve në Ministrinë e Drejtësisë duke mbetur pa u skanuar lista nr. 24.

Nga totali i rreth 7600 dosjeve që janë në proces nga Sektori i Trajtimit të Kërkesave për Dëmshpërblim në Ministrinë e Drejtësisë, rezulton situata e mëposhtme:

Rreth 5000 dosje që janë kategoria internim/dëbim, rregullimi i të cilave referuar ligjit nr. 9831/2007, i ndryshuar, neni 6, pika c), do të bëhet nëpërmjet miratimit me VKM të një skeme pensioni (iniciativë që do të merret nga Ministria e Mirëqenies Sociale).

Rreth 1600 dosje që janë kategoria burg; izolim në hetuesi; izolim në institucion psikiatrik; dënim kapital; vrasje pa gjyq për motive politike, janë dosje problematike për arsye se nuk ka të dhëna për periudhën e dënimit (p.sh. mungon vërtetimi i hyrje-daljes nga Drejtoria e Burgjeve); mungon vendimi i gjykatës që ka dhënë dhe ajo e izolimit në hetuesi, ku mungon vendimi i gjykatës/baza ligjore/ose nuk identifikohet arsyeja se përse është dënuar politike/apo jo politike.

Nga shqyrtimi dhe hetimi vazhdues i dosjeve që janë në proces shqyrtimi, aktualisht është bërë e mundur evidentimi i rreth 50 dosjeve kategoria “Burg” dhe rreth 60 dosje kategoria “Dënim kapital/ Vrasje pa gjyq për motive politike”, me një total rreth 110 dosje që mund të miratohen për dëmshpërblim financiar me VKM e radhës. (Sqarojmë se numri i dosjeve ndryshon kjo në varësi të dokumentacionit që përmban çdo aplikim si dhe nga përgjigjet që vijnë nga institucionet me të cilat Ministria e Drejtësisë bashkërendon punën).

  1. Lidhur me pikën a), kërkohen ndryshimet ligjore përkatëse për shtyrjen e datës së paraqitjes së aplikimeve nga ish të dënuarit që janë ende gjallë/ose të familjeve përfituese të ish të dënuarve sipas ligjit 9831/2007, i ndryshuar. Kjo, pasi deri tani, janë paraqitur rreth 3000 aplikime që nuk mund të shqyrtohen, sepse janë jashtë afatit ligjor të parashikuar në nenin 19, të ligjit 9831/2007, i ndryshuar, ku citohet:

Afati i paraqitjes së kërkesës dhe autoriteti

  1. a) Brenda datës 01.07.2009, ish të dënuarit politikë, drejtpërdrejtë apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5, të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji.
  2. b) Mosparaqitja e kërkesës brenda fatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, sjell humbjen e të drejtës së dëmshpërblimit për ish të dënuarin politik apo familjarin e viktimës me dënim kapital. Sipas këtij ligji ish i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij ligjor apo familjari i viktimës së pushkatuar, nuk mund të rivendosen në afat, për paraqitjen e kërkesës, pas datës 1.7.2009.