Rusia vë veton në OKB për hetimet ndërkombëtare mbi përdorimin e armëve kimike në Siri

Rusia i vuri veton përsëri të premten një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të kishte shtyrë afatin për hetimet ndërkombëtare mbi përdorimin e armëve kimike në Siri, vetëm një ditë pasi hodhi poshtë një rezolutë të ngjashme. Mekanizmi i Përbashkët Investigativ filloi punë më shumë se dy vite më parë pas një serie sulmesh me armë kimike kundër popullatës civile në Siri që vranë dhe shkaktuan agoni të papërshkrueshme për qindra njerëz.

Ishte e njëmbëdhjeta herë që Rusia vë veton për rezolutat ndaj Sirisë. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, tha se hetimi mund të zgjatet vetëm në se “gabimet themelore në hetime” ishin ndrequr.

Por, ambasadorja amerikane Nikki Haley i tha këshillit pas votimit se vetoja tregonte se “Rusia, as tani dhe asnjëherë nuk ka patur asnjë qëllim që puna e këshillit të jetë produktive as për këshillin e as për komunitetin ndërkombëtar.”

“Vetoja ruse, e dyta brenda 24 orësh, na tregon se Rusia nuk ka interes për të gjetur një gjuhë të përbashkët me pjesën tjetër të këshillit për të shpëtuar Mekanizmin e Përbashkët Investigativ. Rusia nuk do të pajtohet me ndonjë mekanizëm që mund të hedhë dritë në përdorimin e armëve kimike nga aleati i saj, regjimi sirian. Është kaq e thjeshtë dhe e turpshme.”

Një rezolutë e paraqitur nga Japonia do të kishte zgjatur me 30 ditë hetimet për të identifikuar autorin pas sulmeve me armë kimike në Siri dhe do të kishte mundësuar më shumë kohë për negociata për një kompromis më të gjerë. Të enjten, Shtetet e Bashkuara sponsorizuan një rezolutë të ngjashme njëvjeçare të cilës i vuri veton Rusia. Mandati i Mekanizmit e Përbashkët Investigativ skadoi mesnatën e së enjtes.