Rruga Tiranë-Elbasan, mbi 300 milionë euro të hedhura dëm. Denoncon “Fiks Fare”

Ndërtimi i Autostradës Tiranë-Elbasan nisi më 29 prill të vitit 2011. Pas “Rrugës së Kombit”, ajo ishte vepra e dytë më e madhe publike që ndërtohej në historinë e Shqipërisë.

Projekti parashikonte që segmenti, që lidh kryeqytetin me Elbasanin në vetëm 31 kilometra rrugë, të shkurtonte kohën me 50 minuta për udhëtarët. Rruga parashikohej të kishte 4 korsi, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime.

Vlera totale e investimit të segmentit, prej rreth 290 milionë dollarësh, u sigurua përmes disa donacioneve me mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim.

Më 17 mars 2017, disa javë para zgjedhjeve të qershorit 2017, qeveria dërgoi në Parlament marrëveshjen e kredisë që përmbyllte plotësisht financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Marrëveshja parashikon marrjen e një kredie tjetër prej 35 milionë e 174 mijë dollarësh amerikanë nga Banka Islamike e Zhvillimit, e cila do të përdoret për të financuar koston shtesë të dalë mbi projektin fillestar.

Fillimisht ishte parashikuar që autostrada të përfundonte brenda vitin 2014. Por, gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme për shkak të rrëshkitjes së dheut në një zonë me gjatësi 4 kilometra rreth Ibës dhe Mulletit. Kapërcimi i kostos mbi vlerën fillestare të tenderuar dhe problemet financiare të kompanisë ndërtuese e zvarritën ndërtimin e rrugës për më shumë se 3 vite.

“Fiks Fare” i dërgoi një kërkesë zyrtare Autoritetit Rrugor Shqiptar, për të mësuar nëse ARRSH-ja kishte apo jo një datë të saktë se kur do të hapej përfundimisht ky segment.

Në kërkesën e tyre, gazetarët e “Fiks Fare” kërkuan koston e projektimit, nga zona e Komunës së Parisit, deri në zonën e Bradasheshit në Elbasan. Gjithashtu kërkuan edhe koston totale të ndërtimit, të të gjitha loteve, e nëse vet ARRSH-ja ka pasur apo jo një studim për autostradën Tiranë-Elbasan, nga zona e Baldushkut.

Në përgjigjen e saj, ARRSH-ja bëri me dije se kostoja totale e projektimit të autostradës Tiranë-Elbasan, nga zona e Komunës së Parisit deri në zonën e Bradasheshit, është 160.250.000 lekë (pa TVSH). Nga Komuna e Parisit deri te “TEG”-u është 4.900.258.470 lekë, kurse segmenti TEG-Tuneli i Krrabës-Bradashesh është 313.931.742 dollarw.

ARRSH shprehet se kostoja fillestare e parashikuar gjatë fazës së projektimit për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan ka qenë 356.000.000 dollarw amerikanw.

“Fiks Fare” pyeti një inxhinier ndërtimi rrugësh, i cili është një prej autorëve të projektit për austostradën e Elbasanit, që do të kalonte nga Bradasheshi.

Xhevair Ngjeqari shprehet se, për rrugën Tiranë-Elbasan kostoja totale e ndërtimit ka shkuar rreth 400 milionë euro. Për inxhinierin Ngjeqari, projektimi ishte gabim, pasi kishte kosto të madhe. Ai tregon edhe projektin e dytë që kishte për këtë rrugë, me një kosto më të ulët, e cila shkonte në rreth 120 milionë euro.

“Ndërtimi i rrugës në këtë zonë është i gabuar. Zona ka rrëshkitje të mëdha, madje duken edhe me sy të lirë. Të gjitha kodrat rrëshkasin, gjw qw solli edhe vonesat në përfundimin e kësaj vepre”, përfundon inxhinieri.

Marre http://top-channel.tv/2017/12/13/rruga-tirane-elbasan-mbi-300-milione-euro-te-hedhura-dem/