“Rruga e Arbrit”, Ministria e Infrastrukturës: Tre operatorët që shprehën interes

Në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u mblodh ditën e djeshme Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. Siç bëjnë të ditur nga kjo ministri, nga shqyrtimi i sistemit elektronik rezultoi se kishin shprehur interes 3 (tre) operatorë ekonomikë dhe konkretisht: Operatori Ekonomik Adem Pojani – Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumenta, të cilat nuk rezultojnë të mjaftueshme për tu konsideruar ofertë zyrtare; Operatori Ekonomik Shoqëria “Alb-Star”sh.p.k. – Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumente, por nuk u konstatuan të dhënat e ofertës financiare; Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a – Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor si dhe kishte paraqitur Propozim Financiar. Nga shqyrtimi paraprak i Propozimit Financiar rezultoi se Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a; kishte propozuar si vlerë projekti shumën prej 33,6 miliardë lekë. Në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.