Rroli i qytetarisë shkodrane në ngritjen e Flamurit të Arbërit mbi Bratitë të Deçiçit me 6 Prill 1911

Për heroizmin e pashembullt të malësorëve të Malësisë së Madhe, dhe Prijësit të saj Popullor, kreshnikut të Traboinit – Dedë Gjon Luli, hisoriografia Shqiptare asht shprehun me kohë. Madje dhe për përfshirjen në këtë lëvizje të intelektualëve dhe patriotëve të shquar shkodranë si Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi e Risto Siliqi, por, me këto figura në një farë mënyre asht mbyllë “Qarku” i ndihmës qytetare ndaj “Ulurimës” së malësorëve për Pavarësi. Asht shkrue gjithashtu edhe për ato pjesë fanatikësh, të cilët e pritën Turgut Pashën në Baçallek sikur të ishte çlirimtarë dhe jo pushtues! Asht folë e shkrue edhe për atë “rregjiment aksionistash” që u nisën për të pushtue Malësinë, nën tingujt e daulleve të pushtuesit, dhe, si u kthyem me “bisht ndër shale”, mbasi lane të vramë e të plagosun. Në këtë shkrim do të flasim për pjesën ma të emancipueme, ma patriote dhe liridashëse të qytetarisë shkodrane, e cila dha një kontribut të madh në ndihmë të bashkë-Vllazënve malësorë, kundër bishës osmano-aziatike.

Këtë privilegj na e ofron “Arkivi i Faik Konicës”, përmes dishmitarit-okularë të asaj ngjarjeje madhore, 2. Nush Keçi: Me 24 Mars 1911, plasi pushka në Malësi të Madhe, dhe lufta filloi në fushën e Rapshës. Menjëherë në Potgoricë u krijue nji komitet për me i ardhë në ndihmë malësorëve, me pare, pushkë e ushqime. Në këtë komitet bante pjesë dhe (autori i siperpërmendun) Nush Keçi bashkë me Gjonin e Cin Radovanit, Shanin e Pjetër Koliqit, prej Shiroket, dhe Pashko Trashani, Ndrekë Kiçi, Loro Suma, Zef Dema, Pjetër Bumçi, Simon Gjon Laca, dhe Ndoc Shoshi prej Shkodret. Ndihmë të madhe i kanë dhanë Komitetit, Lush Guga, Ndoc Guga, Ndoc Naraçi, Pjeter Kuçi, Kel Dema, Jak Voci, Gjon Karma, Jak Daija, Gjon Koliqi, e Gjon Shoshi.

Komiteti hapi edhe degë të tjera në qytetet e Malit të Zi, si, në Riekë, Cetinë, Vini-Pazar, Tivar, Kotorr e deri në Trieste të Italisë. Ndër këto degë bajshin pjesë shum shkodranë, ndër të cilët; Mati Koliqi, Mati Stani, Gaspri i Martin Ndojës, Gjon Mala me të vëllanë, Zef Koka, Zef Jak Dajçi, Nush Guli, Pjeter Dodmasej, Jak Deda, Pashko Gurashi, Filip Zadrima, Jak Zanba, Gjush Prela, Filip Pema, Filip Parruca, Kolë Simoni, Kolë Ashiku (farmacist) etj. Këtij Komiteti i kanë ardhë ndihma në të holla, prej shqiptarëve të Amerikës, Egjiptit, Rumanisë e Dalmacisë, dhe prej qytetarëve shkodranë. Të gjitha mledhjet baheshin në shtëpinë e Nush Koçit (thotë vetë autori), se nuk ja kishin besen malazezëve, dhe se, Konsullata Turke në Podgoricë na gjurmonte me spiuna që i kishte dergue Valija i Shkodrës. Për t’i hjedhë pluhun syve Qeverisë së Malit të Zi, ne, zgjodhëm si Kryetar Komiteti – Sokol Bocin, e Sekretar të birin – Kolen. Spiunat e Turqisë na ndiqnin në çdo hap, tuj ba rraportime në Shkoder, e Qeverija, burgosi Kolen (Sekretarin), Gasprin, Pashko Kakarriqin, Pjeter Koliqin, Gasper Kiçin, Nush Koliqin e Shaptuk Darragjatin, për shkak të bijve e vllazënve të tyre që bajshin pjesë në Komitet dhe mblidhnin ndihma për malësorët luftëtarë. Por, edhe unë nuk ndejta me duar kryq – (thotë autori). Me malazezët njihesha prej kohësh, kisha disa miq e kumbarë, dhe prandaj hapa një rrjet – kundër spiunazhi – e kur më binte me vertetue se ndonji spiun punon për llogari të Turqisë, kam ndërmjetësue me i internue në Kolloshin në Danilograd e në ndonji vend tjetër. Në atë Komitet u vumë në marrveshje me qendrat shqipëtare t’Europës, Amerikës, Afrikës, dhe nxorem leje me importue armë e municione, dhe për këtë ngarkuem Zef Dajçin me i shpernda.

Ky aspect i sipërtrajtuem tregon, se, qytetaria e Shkodrës në pjesën e saj më të emancipueme dhe Atdhedashëse, u aktivizue me të gjithë potencialin e sajë në ndihmë të bashkë vllazenve dhe bashkë Atdhetarëve malësorë në Kryengritjen e madhe të Malësisë. Kjo tregon solidaritetin maksimal me “Luanin” e maleve Dedë Gjon Luli, në ngritjen e Flamurit të Arbërit mbi Bratitë të Deçiçit me 6 Prill 1911.

Nuk e dij nëse, këto fakte qëndrojnë të dokumentuara në “Arkivin e Shtetit”, por e randësishme asht se, këtë e vërteton ma së miri “Arkivi” i njenit prej figurave ma të shqueme të Kombit t’onë, të Madhit, Faik Konica.

Kanë qarkullue mjaft “thash e theme” për pasivitet të qytetarisë shkodrane në Luftën e Malësisë së Madhe e të Dukagjinit, por, ky fakt i dokumentuem nga nji Arkiv serioz, e shperndanë “tymnajen” dhe nxjerr në dritën e Diellit, Atdhetarët e vërtetë shkodranë, dhe në anën tjetër spiunët (anonimë) që i ndihmuan pushtuesit osmanë, për të përjetësue këtë pushtim mizor, posë shekullor… Figurat e sipërpërmenduna, tregojnë madhështinë e shpirtit intelektual shkodran, dhe pa asnji mëdyshje dhe shpirtin e madh të tregtarëve shkodranë që ndihmuan financiarisht kryengritësit. Asht për t’u përgëzue vepritmi patriotic i atij Komiteti i cili sensibilizoi Europen, Ameriken dhe Afriken, dhe çdo vend ku “Shqipja” i kishte të shperndamë bijtë e sajël, të cilët kontribuan me të gjitha mjetet, me të holla, ushqime dhe armë e municione.

Deçiçi, dhe “Legjenda” e maleve – Dedë Gjon Luli, duhet të skaliten thellë në mendjen e çdo shqiptari me gjak Arbënori, si, Flamurtar të pare mbas pushtimit pesë shekullor. Shprehja e publiçistit të Malësisë së Madhe, – z. Ndue Bacaj se: “Në Deçiç u ngrit Flamuri, dhe në Vlorë u ngrit shkopi”, gjithnjë mbetet proverbiale. Në Deçiç e ngriti Malësija, ndërsa në Vlorë e ngriti diplomacia… Importimi i patriotizmit nga Veriu në Jug, asht i pa justifikueshëm. Patriotizmi asht gjithëpërfshirës, ndërsa kontributet janë shum ma të mëdha në Veriun Shqiptar dhe në Kosovë. Historia s’të falë. Ky “importim” u shumfishue në periudhen komuniste që lame pas, dhe kryesisht për të mbushun çdo shesh të Jugut me buste e shtatore të luftëtarëve të Lirisë. Tri here në ditë këndohej kënga – “Te Rrapi në Mashkullorë”… Ndërsa, për Deçiçin, Canneleven, për udhëheqësin legjendar, Dedë Gjon Luli, nuk e moren “mundimin” për t’i ngritë një MONUMENT!… Ka ardhë koha që Këshilli Bashkiak i Shkodrës, të mendojë për këtë burrë të Madh të Kombit; të mendojë për Anton Loredanin, Komandantin e famshëm Venedikas i cili me nji “grusht” shkodranë e mbrojti Rozafen tue luftue 6 muej i rrethuem nga 150000 trupa osmano – aziatike.

Nuk duhet (anashkalue) heroizmi i pashembullt i dy ushtrive italiane të cilët ç’aktivizuan minat që kishin vendosur gjermanët për të hjedhë në erë qytetin. Nuk duhet harrue, se këta dy “Shejtorë” u vorrosen për së gjalli, nga krinimelët nazistë, vetëm pse shpëtuen Shkodren. Nuk besoi se mundë të ketë akt ma heroik e ma sublim. Shkodra ju detyrohet, me ngritjen e një “MEMORIALI” madhështorë, – “Ushtarëve të panjohun”, dhe pa dyshim, kjo detyrë i përket “Këshillit Bashkiak” me një vendim pragmatik, (jashtë çdo “kriteri” burrokratik). Ky veprim do të ngrinte në nji shkallë të naltë vlerat tradicionale të kulturës dhe mirënjohjes shkodrane. Për të mos u largue (nga tema që po trajtojmë), duhet theksue se, emnat që cituem ma nalt, dhe që kontribuen në ngritjen e Flamurit mbi Deçiç, tregon shkallen e naltë të solidaritetit dhe të vetëdijes Nacionale të trashigueme në shekuj. Mesazhi i këtyre qytetarëve të nderuem duhet t’ju percillet brezave si një “stafetë”. Mbas ardhësit duhet të kultivojnë në këtë “mesazhë”, dhe të mburren për shpirtin e madh të gjyshave të tyne, për ta que ma përpara këtë stafetë. Ky episod, i nxjerrun nga (Arkivi i Faik Konicës në vitin 1952 në Washingëton), asht një ballafaqim historik i cili verteton katercipërisht se, zemra e malësorëve trima, funksiononte në rezonancë të plotë me trunin e inteligjencës qytetare, dhe hjedh poshtë çdo studim apo shpifje të atyne (shqipfolsave) që kanë “definue” se, katolikët shkodranë, dhe malësorët, u vunë në shërbim të malazezëve në Rrethimin e Shkodrës në vitin (1913)!… Pinjollëve të atyne që e pritën Turgut Pashën me “ceremoni” daullet aziatike, duke e konsiderue si “çlirimtarë”, vlenë t’ju kujtojmë këtë citim të Nolit, se kush ishte pushtuesi osman: “Krahun nga Greku, Serbi e Bullgari/ don gajk të thithë/ dhe vjen te shqiptari/ Si gjarpen zvarriset dhe i sillet per qark/ me Dinin në gojë, me helmin në bark”… Ky, ishte Turgut Pasha, dhe helmi që lëshonte bisha aziatike, për të “ndersye” fanatikët kundër Vllazënve malësorë të një gjaku! Dhe çuditërisht, për këtë kategori rrenegatesh përgatiten piedestale…

Monumenti i Ali Pashë Tepelenës, asht shembulli ma konkret, dhe “sinjifikativ” i mendjes së ndritun të Fan. S. Nolit, ku, largpamësia e tij, ju qendron shekujve. Shmangija nga kualicioni Ballkanik – antiturk, ishte veprimi ma destruktiv i pashallarëve shqipëtarë dhe klasës feudalo – kalabracioniste, pasojat e të cilëve edhe sot janë evidente.

Asht fakt i pamuhueshëm se, sistemi që lamë pas, asnjiherë nuk u ba “pre” e këtyre gabimeve. Të gjithë jemi dëshmitarë se, në atë periudhë, ui ngritën në piedestal figurat anti osmane, dhe u “fishkulluan” Kalabracionistat. Konkretisht: Në dramën “Halili e Hajria” të Kolë Jakovës, ngrihet figura e Halil Gorrisë, dhe “fishkullohet” Bektash Aga…

Në kangen: “Atje poshtë te Mullini”, shkelqen – Rexhep Greçari. I bahet jehonë Dasho Shkrelit (që priste dyzet nizamë). Asnjeni nga këta figura nuk kanë qenë komunista…

Ky, kontrast, “zbehë” në maksimum vlerësimin historik të figurave. Janë pikërisht këta burra, bashkë me Hodo Sokolin, që duhet t’ju ngrihen piedestale, për krah – Dedë Gjon Lulit.

Arkivi i Faik Konicës, asht “Arkiv” i memorjes Nacionale, dhe mbartë në vetëvehte vlera të pallogaritshme, dhe kjo e shprehun në mënyrën ma të përkryeme në Kryengritjen e Malësisë së Madhe. Këtu konvergon kaq bukur me Gurakuqin e Fan Nolin, gja kjo që tregon, gjithë përfshirjen, në mbrojtjen e interesave Nacionale. Kjo tregon ma së miri se, Atdhedashunia nuk asht “pronë” e nji individi, një krahine apo një religjioni. Konica dhe Noli vijnë nga Jugu, njeni musliman dhe tjetri ortodoks, por, me nji emnues të përbashkët – “SHQIPËTARE “. Ky argument, hjedh poshtë çdo orvatje për përçarje Fetare apo Krahinore.

Një “Leksion” ky mjaft i goditur për cilindo që kërkon të bajë propogandë përçarse mes religjioneve apo krahinave. Ndonëse, në koncepte ideologjike jo gjithnjë të perkueshëm: – Gurakuqi, Konica e Noli, në çështje me karakter Nacional, gjithnjë janë të bashkuem. Një “Leksion” mjaft i goditun për politikanët aktualë Shqipëtarë.

Mark Bregu