Rritja më e madhe e ekonomisë amerikane me 4.1% e GDP-së gjatë tremujorit të dytë

Presidenti Donald Trump thotë se shifrat pozitive të bëra publike për rritjen e ekonomisë amerikane janë “shumë të qëndrueshme”. Komentet e tij u bënë pasi u bë e ditur rritja me 4.1% e GDP-së gjatë tremujorit të dytë. Por, analistët ngrenë pikëpyetje nëse kjo rritje do të jetë e qëndrueshme.

Presidenti Trump nuk humbi kohë për të marrë meritat e shifrave “mahnitëse” të ekonomisë, siç i quajti ai, duke parashikuar se ky është vetëm fillimi.

“Po shkojmë drejt nivelit më të lartë të rritjes në mbi 13 vjet. Po e theksoj këtu sot, se ndërsa do të na ofrohen marrëveshjet e reja të tregtisë, këto shifra do të rriten shumë më tepër”, deklaroi Presidenti Trump.

Duke u rritur me 4.1%, GDP-ja e Shteteve të Bashkuara arriti për herë të parë në katër vite të thyejë tavanin e rritjes prej katër përqind.

“Konsumatorët blejnë më shumë shërbime – diçka pozitive kjo. Shohim gjithashtu investime të forta në biznes gjatë tremujorit të dytë. Bizneset investojnë në paisje. Gjithashtu, shohim një rritje të madhe me gati 10% në eksporte”, thotë ekonomisti Gus Faucher.

Një ndër arsyet kryesore për rritje të eksporteve është se fermerët amerikanë po shesin produktet e tyre për t’i paraprirë tarifave të Presidentit Trump. Kjo do të ishte një arsye përse nuk do të ishte e qëndrueshme kjo lloj rritjeje.

“Kur rriten të ardhurat nga taksat, kemi rritje të fortë të pagave, vendeve të punës, si dhe investime të biznesit që mendoj se do të qëndrojnë edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, e cila ndoshta nuk do të jetë aq mirë sa tani, por do të jetë solide”, parashikon zoti Faucher.

Për momentin, mbështetësit e zotit Trump thonë se kjo është një fitore dhe se shifrat dëshmojnë për zgjuarsinë e përqasjes së tij kategorike ndaj tregtisë.

“Votuesit kërkojnë siguri për të ardhmen dhe për familjet e tyre. Duan që të gjejnë punë kur kërkojnë, si dhe të kenë lëvizshmërinë ekonomike. Pra, njerëzit do të shkojnë tek kutitë e votimit duke gjykuar nga gjendja e kuletës”, thotë Chris Garcia, ish-zyrtar i administratës Trump në Departamentin e Tregtisë.

Ndërsa po afrojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, këta janë treguesit se perspektiva politike e Presidentit Trump mund të jetë më e mirë se ç’mendohet.