Rrëfimet dhe personazhet e harruara: Koha kur Tirana kishte shpirt!

“Nëse nuk ke një carac në oborr, një budall në fis e një qenef në fund të oborrit, s’je tirons”!

Raimonda Shundi

Tirana paqësore dhe e pasur me dashuri kishte personazhet e vetë popullorë që ende sot kanë jehonën e tyre urbane. Kaluar goje më gojë, sy më sy edhe sot ata tingëllojnë kaq autentikë sa nuk i shpëton dot shprehjen “ ah, po!”.

Flasim shpesh për histori trimash, heronjsh apo edhe luftërash të fituara e të humbura. Diskutojmë për familje të mëdha të tradhtuara apo besëmbajtura, për financues që ende i dedikojmë një vend lavdërues për historinë e Tiranës sonë tjerrëse.

Orëndreqës, rrobaqepës, ndërtues (me qerpiç), bakerzhij, samarxhij, këpucarë mjeshtra, argjendarë. Por, janë edhe ato legjendat urbane të rrëfyera apo të para nga brezi i 60-70-80 vjeçarëve të sotëm.

TIRANA NDRYSHE

Personazhe të cilët për kohën ishin si turpi i Tiranës sojlie (fisme). Por, një qytet ka nevojën e nxjerrjes nga arkivat jo vetëm të historive trimëruese, por edhe atyre histori e personazhe të cilat bënë një qytet atë që atëherë ishte dhe që sot është.

Sot kemi kaq shumë informacione dhe gjallëri saqë shumë fenomeneve as që na del koha t’i kushtojmë vëmëndje e jo më të merremi me to. Personazhe të shumtë vidhen nga zhurma e ditëve të ngarkuara, mjaftë ngjarje na zvjerdhin shijen e të qënurit njeri ku fokusi ynë të jetë komshiu pranë, furra e bukës, i meti i lagjes, qefliu, thyerësi i ligjit…

Lagja jonë është vendi ku ne çdo ditë shohim jetët tona në sytë e tjetrit. Është vendi ku u lindëm, po rritemi, krijuam familjet, ndarjet, plakjet e prindërve tanë… e më pas tonën.

“C’ bo vaki n’komshi, prite n’shpi”, është shprehja tipike tiranase ku sedërton çdo kënd për raportet me njëri-tjetrin.

Në qytetin tonë nuk mundemi ta mbajmë të pandryshueshëm, ndërsa kujtimet janë aty, stoike. Nuk duhet t’i lëmë të zëvendësohen me fluksin pa jetë të ditëve që po jetojmë. Le të kujtojmë pra, na bënë mirë për memorien dhe orienton fëmijët tanë për vazhdimin.

Umberto Eco në një nga shkrimet e tij mbi kohët dhe kancerin e saj është lartësimi mbi dobinë e kujtesës jo vetëm për ne, por sidomos brezit të ri. Është një nga format më të këshillueshme ku zëvendësimi i teknologjisë duhet me urgjencë t’i kalojë raporteve njerëzore, kontaktit, rrugës, lagjes, librit, kujtimit. Tani, sot, pa qënë shumë vonë nesër.

HAJDUTËT QË DORËZOHESHIN VETË

Dita e enjte ishte ditë pazari dhe të gjithë fshatarët e fshatrave rreth e rrotull zbrisnin në qendrën e Tiranës me mallin e tyre, lidhnin gomerët në periferitë e qendrës që ishte diku te farmacia 5 sot dhe shisnin produktet e tyre. Bashkia me sektorin e xhandarmërisë e dinte fare mirë se cilët ishin elementet të cilët vuanin nga mania e vjedhjes, kleptomania – gjithsej rreth 4-5 persona. Këta ishin të detyruar që në ditën e pazarit, pra të enjten, të qëndronin në xhandarmëri deri në orët kur mbyllej orari i shitjeve. Dhe ata e zbatonin rigorozisht duke u paraqitur vetë.

LYMI I TUTIT

Një personazh sa simpatik aq edhe ironik përpos pamjes së tij prej endacaku. Lymi kishte pasion hekurishtet dhe çdo ditë mblidhte gjithçka që mundej për t’i depozituar ne shtëpinë e tij, të kthyer në një magazinë skrapi. Kënga “Siciljana bruna” ishte lajtmotivi I Lymit, gjë që vërteton natyrën e gëzuar dhe optimiste përkundrejt kushteve të jetesës. Flitet se vetë babai kryegjyshatës kujdesej për të pasi i doli në ëndërr profecia se ku duhej të ndërtohej ambienti i tyre i kultit. Në Tiranën e atyre viteve ku syri të kapte vetëm hapësira bosh kishte alternativa pa fund oazash për gjithçka.

LYPSARI QË KTHENTE KUSURIN

Tirana e varfër kishte fare pak lypsa; ne do sjellim tre raste. I pari ishte Besim 2-lekshi. Besimi donte vetëm 2 lekë nga banorët. Me sa duket kuptonte se fukarallëku i tiranasve nuk i jepte më shumë se kaq dhe për të ruajtur zotnillikun edhe në rastin e një shume më të madhe, ai i kthente mbetjen, ndaj quhej si lypësi që kthen kusur.

Rasti i dytë ishte i një personazhi që rinte gjatë gjithë kohës te “Bar Crimea” diku te zona e sahatit dhe priste kur dikush nga klientët ta qeraste. Lypsari nuk kërkonte para, por vetëm alkool. Klientët e kishin objekt zbavitjeje, pasi në përgjithësi personazhi flinte. Dhe, kur fansat e gjenin në gjumin rënduar edhe nga pija, e ngacmonin për ta zgjuar. Ai u përgjigjej me batutat tipike: “Shejtoni po fle, ç’ke që e zgjo, jepi një dopjo ime”. Kur dikush e zgjaste humorin dhe e pyeste në donte të martohej, pse jo edhe me nënën e tij, ai ironizonte: “Por, kujto se do fle me të”.

LYPSARI QË KËNDONTE

Te “Bardhoshët” (rrobaqepës profesionistë me emër) që ndodhen diku në rrugën “Ali Pash Gucia” (sot gjimnazi partizani), Sala kalonte vazhdimisht dhe nuk kërkonte asgjë, vetëm këndonte “kape zaro (qenin) kape leprin, haje me dhom e çoja t’zotit”. Me këtë tekst donte t’u thoshte familjarëve se tani qeni do dali, por ai e këshillon t’u qëndrojë besnik të zotëve. Pas kësaj plakat e shtëpisë dilnin dhe i falnin çfarë të mundnin, ndërsa Sala me bastunin-shok, largohej paqësisht.

KOHA KUR NUK VIDHEJ GJË DHE HUMORI I NJERËZVE TË RËNDOMTË

Në dyqanet e viteve që po i referohemi edhe këtyre personazheve, nuk vidhej asgjë. Nëse vidhje një rrotë me pe që kushtonte njëmijë lek, dënoheshe me 1-3 vjet burg.

Haxhi Plasa njihet me batutën që kur i bie një glasë, thotë “shyqyr që s’fluturojnë lopët”. Shaban Qosja ishte hundmadhi shitës i cili godiste klientët kur i shanin hundën me gurët e peshores, ndërsa në momentin që nuk ia përmendnin, ai ngacmohej vetë.

KËNGËT E VALLET…

Të gjithë e kemi dëgjuar e parë vallen “Ra Faja prej fikut” dhe gjithmonë çuditesha me tekstin e saj: “Ra Faja pri’, fiku nuk e zu dekiku, ra faja pri’ moni, nuk e zu akshomi”! Pra, flitet për Fajën e pafat i cili ra nga fiku dhe nuk mundi të jetonte gjatë, pra nuk e zuri minuti (dekiku). Ky Faja tjetër ka rënë nga moni (mani) dhe nuk e zuri mbrëmja (akshami) se vdiq. Në të gjitha dasmat tiranase (dhe jo vetëm) e kemi parë të inskenuar Fajën teksa kërcen topallce dhe njerëzit që zbaviten duke kërcyer apo kërcasin gishtërinjtë, kjo është fuqia e asaj që vjen nga e shkuara e largët, largon emocionin dhe vjen vetëm si një copëz fotografie kujtimi.

TIRANA, DASHURIA IME

Tirana, qyteti i sa e sa historive është edhe qyteti i im, është edhe qyteti i 300 mijë banorëve deri në vitet 90’. Ndaj kur rrëfej histori për të më duket sikur flas për familjen time me 300 mijë banorët më të bukur në botë, megjithë hallet e dertet Tiranase.

E ketë ua servir një milion banorëve të sotëm të cilët tashmë janë tiranas të rinj, ndërsa ata të vjetrit janë aty dhe nëse do t’i dallosh, me fare pak vëmendje kupton se përpara ke një tirons den babaden. Se siç thotë edhe një shprehje e vjetër e saj: “Nëse nuk ke një carac në oborr, një budall në fis e një qenef (banjë) në fund të oborrit, s’je tirons”! Në fakt caracën nuk e kam, budallin në fis e kam dhe më shumë se një madje, ndërsa në fund të oborrit kam pllakën e qenefit.

Tirana, dashuria që banorët megjithë varfërinë nuk ziheshin kurrë, nuk kënaqëshin me hallin e tjetrit; nuk zbaviteshin me kronikat e televizionit se skish, por harmonizonin paqtësinë e tyre në baret e bisedat pa fund.

https://telegrafi.com/rrefimet-dhe-personazhet-e-harruara-koha-kur-tirana-kishte-shpirt/