Rinas, riatdhesohen 160 shtetas shqiptarë, 69 nga Gjermania, 31 nga Franca dhe 60 nga Anglia

Tentuan më kot të fitonin azil, por janë rikthyer mbrëmjen e sotme nga vendet e BE-së në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” plot 160 shtetas.

 Sipas komunikatës zyrtare, në Rinas kanë ardhur 3 avionë të posaçëm me 160 shtetasit shqiptarë që abuzuan me kërkesat për azil, respektivisht 69 në Gjermani, 31 në Francë dhe 60 në Angli.

Vetëm gjatë 3 muajve të fundit, autoritetet aeroportuale njoftojnë se në Shqipëri janë riatdhesuar 2.559 shtetas, nga të cilët 1.063 kishin kërkuar azil në vende si Franca, Belgjika, Gjermania, Anglia, Italia dhe Greqia, ndërsa 1.496 kanë shkelur afatet e qëndrimit në vendet e hapësirës “Schengen”.

Policia e Shtetit, teksa bën thirrje ndaj shtetasve shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe afatet e qëndrimit në “Schengen”, thekson se do të vazhdojë në përputhje të plotë me detyrat që i ngarkon ligji, të rrisë dhe të kontrollojë masat e kalimit të shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë.

Policia e Shtetit ripërsërit edhe njëherë se “nuk ka asnjë mundësi për të fituar azil në vendet e BE-së”, ndaj fton shtetasit shqiptarë që të mos shpërdorojnë paratë dhe kohën.

Top Channel