Ribotohen “Statutet e Shkodrës”, ky “monument i Shqipërisë mesjetare” rivjen për të dëshmuar ligjësitë e viteve 1300-1479

Botimi i edicionit të çmuar “Statutet e Shkodrës”, nga gjysma e parë e shekullit XIV me shtesat deri në 1469, do të prezantohet të premten në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp të BK-së, parathënia e këtij botimi është përgatitur nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi. Dorëshkrimi, i ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, u gjet nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.

Publikimi i parë u bë në Itali në vitin 2002 me kontributin e historianëve dhe gjuhëtarëve dhe përkthimin e tekstit në gjuhën shqipe. Në vitin 2003, në Shqipëri u botua një edicion i dytë me përkthimin në gjuhën shqipe të eseve hyrëse.

Ky botim është një tekst legjislativ i hartuar në gjysmën e parë të 1300 që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e tij në duart e turqve në vitin 1479.

“Kemi të bëjmë me një “monument të vërtetë të Shqipërisë mesjetare” vlera e të cilit, megjithatë, shtrihet edhe në historinë e bregdetit lindor të Adriatikut dhe marrëdhënieve të tij me Venecian dhe me fuqitë e mëdha në këtë zonë, në kuadër të ekuilibrave të mëdha ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare.

Sipas BK-së, ky botim ka gjithashtu përparësinë të jetë teksti më i vjetër legjislativ i prodhuar në territorin shqiptar deri më sot dhe është një dëshmi e qartë dhe e plotë e asaj Shqipërie bregdetare dhe e qendrave urbane. Shumë prej kapitujve të tekstit janë ende çuditërisht aktualë, veçanërisht kur ata flasin, për shembull, për respektin ndaj të huajit, për moralin e nevojshëm në menaxhimin e çështjeve publike, për mbrojtjen e vlerës së Lirisë.

Lucia Nadin, veneciane, me formim humanist, Phd në italianistikë, me mësimdhënie në shkolla të niveleve të ndryshme, me detyra në universitetet e Venecias dhe Padovës, si dhe në strukturat veneciane të formimit arsimor, ka qenë, me mandat nga Ministria e Punëve të Jashtme, Lektore e gjuhës italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në të njëjtat vite të aktivitetit në Shqipëri ka zhvilluar aktivitete bashkëpunimi kulturor pranë Institutit Italian të Kulturës, Zyra e Kulturës e Ambasadës Italiane në Tiranë.

Në njëzet vitet e fundit të studimit dhe aktiviteteve kërkimore ka afruar në fushat e veçanta të letërsisë italiane dhe kulturës veneciane, tematika të historisë së çështjeve të Adriatikut dhe në veçanti të historisë së marrëdhënieve mes Serenissima-s dhe Shqipërisë, midis Mesjetës dhe Epokës Moderne, me rezultatet e gjetjet befasuese në arkivat veneciane të faqeve të shumta historike të pabotuara mbi Shqipërinë: duke filluar nga teksti i lashtë i statutive të katërmbëdhjetës së Shkodrës, për të arritur në dokumentacionin mbi migrimin e madh të ‘400 dhe’ 500, si dhe vepra nga botues, shkrimtarë, artistë me origjinë shqiptare në tokat e Republikës së Venedikut, deri te rigjetja e një tragjedie mbi Skënderbeun e shekullit të shtatëmbëdhjetë, e cila kishte humbur.

Si mirënjohje ndaj këtyre rezultateve i është dhënë, nga qyteti i Shkodrës, medalja “Qytetare nderi” e qytetit në vitin 2010 dhe nga Presidenca e Republikës Shqiptare çmimi, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në vitin 2015.