REZULTATET E ZGJEDHJEVE TE 25 QERSHORIT/ Nis stuhia e akuzave brenda kampit të PD ndaj kreut humbës të zgjedhjeve, Lulzim Basha

Humbja e afro 200 mijë votave nga PD-ja në karahasim me rrezultatin katastrofik të 2017-së po krijon një klimë linçimi të Lulzim Bashës që konvergon me largimin e tij nga kryesimi i PD-së. Pas Besnik Mustafajit që i çoi që dje një shkrim tejet të ashpër gazetës Panorama ku pasi kërkonte largimin argumentonte : «Ai nuk ka më asnjë të drejtë të flasë në emër tonë. Lulzim Basha është drejtpërdrejtë përgjegjës pse ne demokratët jemi sot kokulur para kombit për pushtetin e pakufizuar që mori një njeri i rrezikshëm për Shqipërinë si Edi Rama me tarafin e tij » Me të njëjtat tone foli edhe ish zv kryeministri i Berishës Ilir Rusmaili : «Gabimi i madh i Bashës për këtë humbje që po pëson qëndron në faktin se nuk i shpjegoi shqiptarëve kush ishte qëllimi i vërtetë i marrëveshjes, kush ishte arsyetimi politik që qëndronte pas këtij bashkimi me të majtën. Ky bashkim u perceptua si një gjë e papërballueshme, e papëlqyeshme. Basha dështoi në shpjegimin e marrëveshjes dhe për pasojë mori këtë lloj vlerësimi te qytetarët ».

Edhe Edit Harxhi, ish-zv.ministrja e jashtme gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike përpara vitit 2013 ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas daljes së rezultateve të para.“PD-ja ime duhet te ringrihet. Populli foli me heshtje. #Make PD Great Again” – shkruan Harxhi në Twitter.

Por përpos ish zyrtarëve në garë janë future edhe analistët. Gjatë gjithë paradites në emisionin special të zgjedhjeve në Top Channel u debatua si temë kryesore jo faji i padiskutueshëm i Lulzim bashës në humbje, por fakti nëse ai ka përgjegjesi vetëm për 4 muajt e fundit apo për gjithë opozitën 4 vjeçare. Në këtë debat shkëlqeu ish mbështetësi i Bashës Agron Gjekmarkaj që e quajti humbjen një përgjegjësi historike: “Bashës disfatën ia dha lista. PD kishte nevoje për një rinovim cilësor. Ata që duhet të sillte në skenë duhet të ishin personalitete të konfirmuara. Ata që basha solli nuk ishin aspak përfaqësues, por ishin njerëz të vegjël”, tha Gjekmarkaj.

Po t’i shtosh kësaj klime faktin se peshat e rënda të njohura si armiq të Bashës në PD, Topalli, Patozi, Bregu, etj nuk kanë folur ende situate e liderit të humbur bëhet shumë e vështirë. Ai nuk ka asnjë mundësi që të justifikojë se si e refuktoi PD-në nga 57 mandatet e 2013 në 40 deputetë sot, duke fituar vetëm një qark në të gjithë vendin, atë të Kuksit.

Dhe duke qenë se PD ka të planifikuar për 22 korrik zgjedhjen e kryetarit të ri, duhet thënë se Basha gjendet në momentin më të vështirë të karierës së vet. (Lapsi.al)